Liderët botërorë shprehin ngushëllime për vdekjen e ish-udhëheqësit kinez Jiang Zemin
2022-12-02 16:41:11

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Udhëheqësit e shumë vendeve dhe organizatave ndërkombëtare i kanë shprehur ngushëllimet e tyre të thella me anë të telefonatave, letrave dhe mënyrave të tjera presidentit të Kinës Xi Jinping lidhur me ndarjen nga jeta të ish-udhëheqësit kinez Jiang Zemin.

Presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev tha se Jiang-u ishte i përkushtuar për nxitjen e zhvillimit e përparimit të Kinës dhe për forcimin e ndikimit ndërkombëtar të saj.

Presidenti çek Milosh Zeman tha se Jiang Zemin-i ka arritur një sukses të madh në nxitjen e reformës ekonomike të Kinës dhe arritjet e tij do të shënohen në historinë kineze, duke shtuar se e vlerëson shumë aftësinë e Jiang-ut për të nxitur zhvillimin ekonomik e qëndrueshmërinë e Kinës.

Kryeministri japonez Fumio Kishida u shpreh se Jiang-u ka promovuar reformën e hapjen e Kinës, ka dhënë kontribut në zhvillimin e Kinës dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e zhvillimit të marrëdhënieve japono-kineze.

Kryeministri i Singaporit Lee Hsien Loong theksoi nga ana e tij që Jiang Zemin-i e ka udhëhequr Kinën në nxitjen e reformës dhe hapjes, në integrimin e saj në ekonominë botërore dhe luajtjen e një roli të rëndësishëm në arenën botërore, duke dhënë ndihmesë të madhe në zgjerimin e marrëdhënieve singaporo-kineze. Singapori do ta kujtojë gjithmonë këtë mik të respektuar, u shpreh ai.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres vuri në dukje që Jiang Zemin-i ka mbrojtur me vendosmëri angazhimin ndërkombëtar të Kinës, ka nxitur përparimin e madh ekonomik të Kinës dhe hyrjen e saj të suksesshme në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe e ka udhëhequr Kinën në organizimin e Konferencës së 4-t Botërore për Gratë. Në emër të Kombeve të Bashkuara, ai u shprehu ngushëllime të sinqerta familjes së Jiang Zemin-it dhe qeverisë e popullit kinez.