Inflacioni i lartë a ka arritur pikun dhe kur do të fillojë rënia?
2022-12-02 09:59:29

Inflacioni (Burimi monitor.al)

Inflacioni (Burimi monitor.al)

Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë disa herë brenda pak muajve, duke rritur normën bazë të interesit, me qëllim për të ulur inflacionin. Ky është një instrument që po përdoret në mjaft vende nga bankat qëndrore, për të frenuar rritjen e çmimeve shkaktuar nga mungesa e ofertës në tregjet ndërkombëtare. Këtë e trajton në një bisedë për Grupin Mediatik të Kinës, eksperti i ekonomisë Ersuin Shehu

CMG: Kemi një rritje të normës bazë të interesit për të mbajtur nën kontroll inflacionin. Si paraqitet  situata aktualisht?

Ersuin Shehu: Siç e dimë të gjithë inflacioni është në nivele mjaft të larta. Ishte 8.3 % sipas matjeve të muajit tetor dhe është niveli më i lartë në njëzetekatër vjet ndikuar nga rrethana të ndryshme. Ndikuar nga faktorë të destabilitetit social dhe politik tani është një fenomen më kompleks lidhur me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe të gjithë i kemi ndjerë pasojat në rritjen e ndjeshme të çmimeve të konsumit për pjesën më të madhe të produkteve. Banka e Shqipërisë ka nisur një proçes normalizues të politikës monetare me qëllim për të ulur inflacionin.

Norma bazë është rritur me 2.5 pikë  përqindjeje dhe kjo nënkupton një kosto më të lartë të produkteve financiare duke nisur nga instrumenetet e borxhit të qeverisë deri tek huatë e sektorit privat që janë bërë më të shtrenjta. Deri në këtë moment inflacioni ka vijuar të rritet, por ka një optimizëm sepse ritmet e rritjes po ngadalësohen, ka një besim që ndoshta piku i valës mund të jetë pranë fundit dhe po arin nivelet më të larta të pritshme. Duke nisur nga viti i ardhshëm mund të kemi një normalizim të situatës. Kjo ka ndodhur dhe si pasojë e kontrollit të bërë nga bankat qendrore kudo.

Ersuin Shehu në intervistë për CMG

Ersuin Shehu në intervistë për CMG

CMG: Ka qenë një situatë e vështirë dhe për bankat tregtare në dhënien e kredive?

Ersuin Shehu: Po qëllimi është që të ngadalësohet kredidhënia, por po shfaqen sinjalet e para që kredia pavarësisht se po vazhdon rritjen dhe po shfaqen shenjat e para të një ngadalësimi. Edhe bankat po mbajnë një qasje të kujdesshme, sepse në momentin kur inflacioni rritet fuqia blerëse, aftësia paguese e huamarrëseve ulet. Nëse i referohemi kredive ekzistuese në lekë ato afatgjata kanë një normë interesi të ndërtuar mbi ecurinë e bonove të thesarit, në një vit është rritur me 4 pikë përqindjeje dhe të gjithë këtë vit po përballen me një shtrenjtim të këstit të tyre të kredisë.

 

inflacion (Burimi monitor.al)

inflacion (Burimi monitor.al)

CMG: Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka vlerësuar Shqipërinë për mbajten e situatës nën kontroll. Si ia ka dalë shqipëria?

Ersuin Shehu: Fakti është që ne kemi normë inflacioni më të ulët krahasuar dhe me vendet e tjera, kjo ngjall skepticizëm. Por janë dy arsye kryesore, e para  subvencionimi i energjisë elektrike për konsumatorët e vegjël dhe e dyta një varësi më e pakët nga gazi natyror. Mund të thuhet që Shqipëria nuk ka ndërmarrë politika të tjera agresive në kuptimin e mbështetjes së shtresave në nevojë, kemi pasur disa paketa por kontributi kryesor ka qenë që të subencionojmë çmimin e energjisë dhe kjo e ka lehtësuar presionin inflacionist. Banka e Shqipërisë ka rritur normat e interesit nga ana tjetër, por nuk mund të themi që efektet janë të dukshme pasi duhet pak kohë. Për momentin inflacioni ka shkaktuar më pak probleme krahasuar me ekonomi të tjera. Norma e papunësisë është në nivelet më të ulta historike, pra kjo periudhë ka kaluar me dëme të kufizuara pasi të tjerat do t’i shohim gjatë vitit 2023.