Foto nga VCG
Me lëshimin me sukses të anijes kozmike me astronautë "Shenzhou-15", kauza e fluturimeve kozmike me astronautë e Kinës hodhi një hap tjetër të rëndësishëm. Tani kanë përfunduar të 12 lëshimet për ndërtimin e stacionit hapësinor të Kinës.
Në orën 23 e 8 minuta të së martës, anija "Shenzhou-15" me tajkonautët - siç quhen ndryshe astronautët kinezë - Fei Junlong, Deng Qingming dhe Zhang Lu, u nis me anë të raketës mbartëse "Marshimi i Madh-2F" nga Qendra e Lëshimit e Jiuquan-it në shkretëtirën e Gobit në Kinën Veriperëndimore.
Pas lëshimit me sukses, kryeprojektuesi i kësaj rakete mbartëse, Rong Yi, tha: "Ky është lëshimi i fundit për ndërtimin e stacionit hapësinor, prandaj është shumë i rëndësishëm. Njëkohësisht, hasëm për herë të parë në temperaturë të ulët gjatë lëshimit të anijes me astronautë. Fatmirësisht, kemi fituar përvojë për kushte të tilla nga lëshimi i anijeve pa ekuipazh. Pra, masat tona dhe raketa jonë e kaluan provën dhe ne e kurorëzuam me sukses këtë detyrë, duke e mbajtur premtimin për t'i çuar kozmonautët në hapësirë në mënyrë të sigurt dhe në kohë."
Si detyrë e fundit e fazës së ndërtimit të stacionit hapësinor të Kinës, ekuipazhi i anijes "Shenzhou-15" do të qëndrojë në stacionin hapësinor për gjashtë muaj, ku do të bëjë kontrollin e tre moduleve të stacionit, do të zhvillojë eksperimente shkencore e teknologjike dhe do të kryejë 3-4 veprimtari jashtë stacionit.
Në mëngjesin e së mërkurës, tre astronautët e ekuipazhit të anijes kozmike "Shenzhou-15" u takuan me sukses me tre pjesëtarët e ekuipazhit të "Shenzhou-14", të cilët kanë qëndruar në stacionin hapësinor për afro gjysmë viti. Kryeprojektuesi i sistemit elektrik të anijeve kozmike "Shenzhou", Nan Hongtao, i tha CMG-së se "ky takim" historik verifikoi disa teknologji të stacionit hapësinor. "Gjatë takimit të të dy ekuipazheve, të dy anijet kozmike janë vendosur njëkohësisht në stacionin hapësinor dhe stacioni duhet t'u sigurojë paralelisht atyre energjinë elektrike, transmetimin e informacionit dhe shërbimet e ajrimit dhe të ngrohjes. Ky do të jetë një verifikim për aftësinë e funksionimit të stacionit hapësinor. Nga ana tjetër, edhe sistemi i përtëritjes dhe i garantimit të jetesës i stacionit hapësinor do të përballet me një provë shumë serioze, me vendosjen e dy anijeve kozmike dhe jetesën e përbashkët të gjashtë astronautëve. Nga tre deri në gjashtë, kjo ka vërtet rëndësi të madhe."
Tani stacioni hapësinor i Kinës përbëhet nga gjashtë pjesë: moduli kryesor "Tianhe", modulet laboratorike "Wentian" dhe "Mengtian", anija kozmike e mallrave "Tianzhou-5", si edhe anijet kozmike me astronautë "Shenzhou-14" e "Shenzhou-15". Pesha e përgjithshme e këtyre gjatë mjeteve arrin afro një qind tonë.
Çfarë punësh do të kryejnë bashkërisht gjashtë astronautët në stacionin hapësinor? Kryeprojektuesja e sistemit të astronautëve Huang Weifen i tha CMG-së:
"Gjashtë astronautët do të qëndrojnë së bashku për pesë ditë. Gjatë kësaj periudhe, ata do të administrojnë e mirëmbajnë kompleksin prej tre modulesh dhe tre anijesh. Më e rëndësishmja është se ata do të bëjnë dorëzimin e punëve për pajisjet në stacionin hapësinor, për gjendjen e këtyre pajisjeve, si edhe materialet. Ata do të bëjnë edhe dorëzimin e disa eksperimenteve që janë të zhvillim e sipër. Gjithashtu, ata do të rregullojnë dhe do të zhvendosin mallrat në anijen 'Shenzhou-15' dhe do t'i çojnë mostrat dhe materialet në stacion në ‘Shenzhou-14’, që do të kthehet së shpejti në Tokë. Ata do të shkëmbejnë dhe përvojë për jetën në kozmos."