BSH: Arsyet e rritjes së inflacionit dhe rrugët për ta mbajtur nën kontroll
2022-12-01 10:23:06

Drejtori i Departamentit të Politikave Monetare pranë Bankës së Shqipërisë Erald Themeli në një intervistë publikuar nga kjo bankë ka sjellë një analizë të shkaqeve të rritjes së inflacionit në Shqipëri dhe për rritjen e normës bazë të interesit. Shkak kryesor për rritjen e çmimeve  në vend, sipas Bankës Qëndrore, janë presionet inflacioniste nga jashtë.

“Konkluzionet kryesore të raportit tremujor te politikës monetare janë tre. Në vija të përgjithshmë konkluzioni i parë ka të bëjë me faktin që presionet inflacioniste në Shqipëri paraqiten të larta ashtu sikurse dëshmohen dhe nga niveli i inflacionit, i cili erdhi në rritje gjatë tremujorit të tretë duke shënuar vlerën 8.1% në muajin shtator për të kërcyer pastaj në vlerën 8.3% në muajin tetor. Në analizat tona arsyeja e rritjes së inflacionit ka të bëjë së pari me faktin që presionet nga tregu i huaj vazhdojnë të jenë të forta dhe me bazë të gjerë duke tejkaluar edhe pritjet tona në fillim të vitit. Së dyti edhe për faktin që edhe ekonomia e brendshme ka filluar të reagojë ndaj tyre dhe goditja fillestare e çmimeve nga tregu i huaj ka filluar të transmetohet tashmë në pritjet për inflacion të agjentëve ekonomikë në vend si dhe në strukturën e kostove të ekonomisë shqiptare. Konkluzioni i dytë ka të bëjë me faktin se edhe përballë kësaj goditjeje që ka ardhur nga ambjenti i huaj, ekonomia shqiptare ka vazhduar të rritet dhe ripërgjithësimi i projeksioneve tona konfirmon faktin që rritja ekonomike e vendit do të qëndrojë në territor pozitiv gjatë vitit 2022 dhe 2023. Kjo kryesisht për arsye të kontributit pozitiv që vjen nga konsumi dhe investimet private, por edhe si pasojë e sezonit turistik dhe rritjes së eksporteve të mallrave gjatë vitit 2022”- thotë Erald Themeli, Drejtor i Departamentit të Politikave Monetare.

Parashikimet janë për nivel të lartë inflacioni edhe në vijim.

“Duke i marrë të dyja këto konkluzione të para në tërësinë e tyre dhe duke i projektuar në të ardhmen, raporti evidenton faktin se në mungesë të reagimit të politikës monetare, inflacioni në vend rrezikon të mbetet në nivele të larta edhe në vitin 2023 dhe në vitin 2024. Pra, të gjithë këto grupe faktorësh ose konkluzione të analizave na shtyn të propozojmë një rishikim të qëndrimit të politikës monetare në drejtim të normalizimit, propozim i cili u miratua nga Këshilli i Mbikqyrjes në mbledhjen e tij të datës 2 nëntor, duke rritur normën bazë të interesit nga niveli 2.25% në nivelin 2.75%.”- shprehet Themeli.

Sërish Banka e Shqipërisë sqaron qëndrimin sa i takon rritjes së normës bazë të interesit  dhe arsyet e këtij vendimi.

“Në një këndvështrim të përgjithshëm rritja e normës bazë të interesit synon të kontrollojë rritjen e shpejtë të inflacionit gjatë vitit aktual dhe ta vendosë atë në një trajektore rënëse gjatë vitit 2023 për ta kthyer në objektivin tonë 3% në gjysmën e parë të vitit 2024. Pra, arsyeja kryesore e kësaj vendimarrje ka të bëjë pikërisht me respektimin e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve të cilin ne e konsiderojmë një predispozitë të pakontestueshme për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare.”, sqaron Themeli

Por si ky menkanizëm mban nën kontroll nivelin e çmimeve?

“ Tre janë mekanizmat nëpërmjet të cilëve kjo lëvizje synon të kontrollojë nivelin e çmimeve dhe të inflacionit në vend. Mekanizmi i parë ka të bëjë me kontrollin e pritjeve inflacioniste. Pra, në duam t’i sinjalizojmë publikut shqiptar dhe agjentëve ekonomikë të tregut financiar që kemi vullnetin dhe dëshirojmë dhe jemi gati të marrim çdo masë për të krijuar kushte të përshtatshme monetare për ta kthyer inflacionin në objektiv. Momenti i dytë ka të bëjë me faktin që përballë një rritje të përgjithshme të çmimmeve dhe të normave të interesit në ambjentin e huaj monetar dhe financiar, një lëvizje simetrike nga Banka e Shqipërisë ofron një stabilitet më të madh për tregun financiar vendas në përgjithësi dhe për kursin e këmbimit të lekut në veçanti. Momenti i tretë po aq i rëndësishëm ka të bëjë me faktin që ky normalizim gradual i politikës monetare synon të krijojë kushte që kërkesa agregate për mallrat, shërbime në ekonominë shqiptare të rritet me ritme të ngjashme me ofertën agregate. Në rast se ne do të kishim një kërkesë agregate më të shpejtë se oferta, e cila paraqitet e reduktuar si pasojë e goditjes në ambjentin e huaj, atëherë inflacioni do të mbetet i lartë për një kohë mjaft të gjatë, diçka që ne e vlerësojmë të jetë e padëshirueshme dhe negative për ekonominë shqiptare” thekson Themeli.

Synimi sipas Bankës së Shqipërisë është të krijojë përfitime afatgjata për ekonominë.

“ Nëpërmjet këtyre tre instrumentave, administrimit të rritjeve të agjentëve ekonomikë, sigurimit të nivelit të qëndrueshëm të kursit të këmbimit dhe kontrollit të shpejtësisë së rritjes së kërkesës agregate jemi të bindur që do të arrijmë që të kontrrollojmë dhe nivelin e inflacionit dhe kthimin e tij në objektiv brenda vitit 2024. Natyrisht që normalizimi i politikës monetare nënkupton dhe kosto më të shtrënguara financiare për agjentët ekonomikë, megjithatë ne jemi të bindur që këto kosto afatshkurtra që do të përcillen në ekonominë shqiptare janë më të vogla në raport me përfitimet afatgjata që i vijnë ekonomisë shqipatare”  theksohet më tej në intervistën e Drejtorit të Departamentit të Politikave Monetare pranë Bankës së Shqipërisë Erald Themeli, publikuar nga Banka e Shqipërisë.