foto: VCG
气候---[qì hòu]---klimë
Që nga fillimi i këtij viti, ngjarjet ekstreme të motit, si valët e të nxehtit, shkrirja e akullnajave, reshjet shumë të dendura dhe thatësira të mëdha kanë ndodhur në shumë vende të botës, duke treguar se ndryshimet klimatike globale janë bërë më të rënda e më serioze dhe urgjenca e trajtimit të sfidës së ndryshimeve klimatike është rritur më tej. Të mërkurën, Qendra Ndërkombëtare e Shkëmbimeve Ekonomike e Kinës mbajti “Bisedën ekonomike mujore”, në të cilën ekspertët pjesëmarrës diskutuan për temën "Përshpejtimi i ritmit të ruajtjes së energjisë dhe uljes së lëshimeve, reagim ndaj humbjeve dhe dëmeve të shkaktuara nga ndryshimet klimatike".
Wang Yiming, nëndrejtori i Qendrës Ndërkombëtare të Shkëmbimeve Ekonomike dhe kryetari i Komitetit Akademik të kësaj Qendre, theksoi se në 10 vjetët e fundit, Kina ka luajtur një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në trajtimin e ndryshimeve klimatike globale, duke u bërë një pjesëmarrëse aktive dhe një kontribuese e rëndësishme në përballimin e ndryshimeve klimatike globale.
"Nga viti 2012 deri vjet, norma mesatare vjetore e rritjes së konsumit të energjisë në Kinë prej 3 % mbështet një rritje mesatare vjetore ekonomike prej 6.5 %, dhe lëshimet e dioksidit të karbonit për njësi të PBB-së janë ulur me rreth 34.4 % krahasuar me ato në vitin 2012. Përqindja e konsumit të qymyrit ra nga 65.8 % në vitin 2014 në 56 % në vitin 2021, me një rënie mesatare vjetore prej 1.4 pikë përqindjeje, që është rënia më e shpejtë në histori. Kapaciteti i instaluar i energjisë së përtëritshme përbën 1/3 të vëllimit të përgjithshëm të botës, dhe kapaciteti i instaluar i energjisë ujore, të erës dhe fotovoltaike i kaloi 300 milionë kilovatët, duke u renditur i pari në botë. Më shumë se 80 % e përbërësve të pajisjeve të energjisë së erës dhe fotovoltaike në botë vijnë nga Kina. Investimet e përgjithshme të Kinës në energjinë e përtëritshme kanë arritur në 380 miliardë dollarë amerikanë, duke zënë vendin e parë në botë," tha ai.
foto: VCG
Wang Yiming beson se ruajtja e energjisë dhe pakësimi i lëshimeve, veçanërisht objektivat e arritjes së kulmit të karbonit dhe të asnjanësimit të karbonit, do të sjellin shtysë të madhe për të promovuar optimizimin e strukturës së energjisë dhe për të nxitur përparimin teknologjik.
"Industria e energjisë së re, si produktet e lidhura me energjinë fotovoltaike, është bërë një pikë e re rritjeje në fushën e zhvillimit të gjelbër dhe me karbon të ulët, dhe gjithashtu ka formuar një energji të re kinetike, veçanërisht për automjetet me energji të reja. Shpejtësia e zhvillimit të automjeteve me energji të reja këtë vit është e paprecedentë, qoftë për sa i përket prodhimit, ashtu edhe shitjeve," theksoi Wang Yiming.
Ai beson gjithashtu se promovimi i përparimit teknologjik ka një rëndësi të madhe për promovimin e uljes së lëshimeve. Në periudhën e uljes së lëshimeve, do të realizohet gradualisht zhvillimi teknologjik. Gjatë shndërrimit të sasisë në ndryshim cilësor do të ndodhë një përparim revolucionar në teknologji, që do të çojë në uljen e shpejtë të lëshimeve.
“Nga këndvështrimi i kushteve teknike, energjia tradicionale fosile është pjekur dhe është e vështirë të bëhen përparime të mëdha në teknologji, ndërkohë që energjia e përtëritshme është ende në fazën e hershme të zhvillimit teknologjik dhe ka ende shumë hapësirë për zhvillimin e ardhshëm teknologjik. Prandaj, mund të imagjinohet se ka ende shumë hapësirë për përmirësimin e efikasitetit të energjisë dhe uljen e kostos,” vuri në dukje Wang Yiming.(Zhan Dian/Artan)