Xi Jinping-u zhvilloi bisedime me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel
2022-12-01 14:35:02

Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi të enjten paradite në Pekin bisedime me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel.

Xi Jinping-u vuri në dukje se Kina dhe Europa janë dy forca kryesore që ruajnë paqen botërore, dy tregje të rëndësishme që nxitin zhvillimin e përbashkët dhe dy qytetërime të mëdha që promovojnë përparimin njerëzor. Marrëdhëniet kino-europiane kanë ruajtur vrullin e rritjes dhe i përmbahen parimit të përfitimeve të ndërsjella, gjë që është në interes të përbashkët të Kinës, Europës dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Xi Jinping-u bëri të ditura edhe arritjet e rëndësishme të Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës dhe pesë karakteristikat e modernizimit të stilit kinez. Ai theksoi se aktualisht ndryshimet e botës, kohës dhe historisë janë duke u përshpejtuar e të gjitha vendet po mendojnë për të ardhmen. Kongresi i 20-të i PKK-së ka dhënë planin e Kinës, sipas të cilit, brenda vendit do të vijojë të ndiqet rruga e socializmit me karakteristika kineze dhe filozofia e zhvillimit me njeriun në qendër, duke këmbëngulur në thellimin e reformave dhe të hapjes. Ndërsa me vendet e tjera, Kina do të ndjekë me vendosmëri një politikë të jashtme të pavarur paqësore, do t’i përmbahet qëllimit diplomatik të ruajtjes së paqes botërore e të promovimit të zhvillimit të përbashkët, dhe do të jetë e përkushtuar për të nxitur ndërtimin e bashkësisë me të ardhme të përbashkët të njerëzimit.

Xi tha më tej që zhvillimi i Kinës është rritje e forcës së paqes në botë dhe se Kina nuk do të kërkojë kurrë hegjemoni ose ekspansion. Modernizimi i stilit kinez dhe integrimi europian janë zgjedhje të bëra nga Kina dhe Europa duke u nisur nga perspektiva e së ardhmes. Të dyja palët duhet të kuptojnë dhe mbështesin njëra-tjetrën, theksoi ai, duke shtuar se Pekini pret që BE-ja të bëhet një partnere e rëndësishme e Kinës në ndjekjen e rrugës së modernizimit të stilit kinez dhe në ndarjen e mundësive të tregut super të madh, hapjes institucionale dhe thellimit të bashkëpunimit ndërkombëtar të Kinës.

Xi Jinping-u parashtroi katër pikëpamje për zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-BE.

Së pari, të dy palët duhet të synojnë njohjen e drejtë. Kina mbështet autonominë strategjike të BE-së dhe përkrah unitetin dhe përparimin e Europës.

Së dyti, Kina dhe BE-ja duhet të menaxhojnë siç duhet dallimet. Kina është e gatshme të ruajë dialogun me palën europiane për të drejtat e njeriut mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë.

Së treti, Kina dhe BE-ja duhet të zhvillojnë bashkëpunim të nivelit më të lartë. Kina do të realizojë hapjen e nivelit të lartë dhe do të përshpejtojë krijimin e një modeli të ri zhvillimi. Pala evropiane është e mirëpritur të vazhdojë të marrë pjesë në këtë proces.

Së fundmi, Kina dhe BE-ja duhet të forcojnë bashkërendimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Si Kina, ashtu edhe BE-ja përkrahin sistemin ndërkombëtar me Kombet e Bashkuara në thelb.  Ato mund të praktikojnë së bashku multilateralizmin e vërtetë, të punojnë së bashku për të përballuar sfidat dhe të ruajnë së bashku paqen dhe zhvillimin botëror.

Në emër të Bashkimit Europian, Charles Michel shprehu ngushëllime të thella për vdekjen për shkak të sëmundjes të ish-presidentit Jiang Zemin. Ai tha se BE-ja i përmbahet politikës së “një Kine”, respekton sovranitetin e integritetin territorial të Kinës dhe nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme të Kinës. BE-ja është e gatshme të bëhet një partnere bashkëpunimi e besueshme e Kinës.

Të dy palët shkëmbyen mendime edhe mbi krizën e Ukrainës. Xi Jinping-u shpjegoi qëndrimin parimor të Kinës, duke theksuar se zgjidhja e krizës ukrainase me mjete politike është në përputhje me interesat e Europës dhe interesat e përbashkët të të gjitha vendeve të kontinentit euroaziatik.(Zhan Dian/Artan)