Samiti i BE-së në Tiranë, Xhaçka: Riafirmon rëndësinë gjeopolitike të rajonit
2022-12-01 17:59:23

Foto nga VCG

Samiti i 6 dhjetorit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë do të jetë një riafirmim i Bashkimit Evropian për anëtarësimin e rajonit në familjen evropiane. Ardhja e liderëve të Evropës në Tiranë, për ministren e Jashtme Olta Xhaçka, do të shërbejë për forcimin e bashkëpunimit, por edhe si një tregues se Ballkani ka rëndësi gjeopolitike dhe  gjeostrategjike për BE-në, bën të ditur “RTSH”.

Xhaçka shtoi se ky samit ka rëndësi në kontekstin e sigurisë së brishtë që ka shkaktuar konflikti Rusi-Ukrainë.

“Fakti që Samiti BE-Ballkani Perëndimor do të mbahet në Tiranë, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, flet për një sërë ndryshimesh madhore në kuptimin gjeopolitik të BE-së drejt një imperativi për një vëmendje të qëndrueshme gjeostrategjike të BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ose Evropën Juglindore, veçanërisht në kontekstin e shumëfishtë të sigurisë që ka krijuar konflikti Rusi-Ukrainë. Unë do të thosha se pritshmëritë për samitin janë të dyfishta: së pari riafirmimi i një angazhimi të plotë dhe të qartë për perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimi i hapave pozitivë në të gjitha proceset përkatëse integruese evropiane të vendeve të rajonit, veçanërisht pas Konferencave të para Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në korrik 2022”,- tha ministrja Xhaçka.

Samiti do të shërbejë edhe si një mundësi për forcimin e bashkëpunimit me BE-në në shumë fusha, si siguria dhe politika e jashtme, energjia, transporti e digjitalizimi.

Më 6 dhjetor në Tiranë do të mbërrijnë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe kancelari gjerman Olaf Scholz. Ky samit i BE-së zhvillohet për herë të parë në një vend të Rajonit. (Elona)