Ministrja Krifca: Kemi objektiv rivitalizimin e fshatit shqiptar
2022-11-30 13:03:19


Ministrja Krifca dhe ministri gjerman i bujqësisë (Foto Argumentum.al)

“Rivitalizimi i fshatrave është në fokus të qeverisë shqiptare”. Këtë e ka deklaruar ministrja e bujqësisë dhe zhvillimit rural Frida Krifca në një takim me Shoqatën e Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare me  Aleancën Kosovare të Biznesit ku u nënshkruan edhe marrëveshje bashkëpunimi.

“Do doja të paraqisja disa nga punët që kemi bërë dhe disa nga prioritetet që kemi në vijim. Të lidhim sa më shumë pikat e takimit mes operatorëve të ndryshëm që rrisin përformancën e sektorit të bujqësisë dhe rrisin përformancën e ekonomisë në tërësinë e vendit”- tha Krifca.

Nga punët në bujqesi (Foto nga Agro web)

Ministrja u ndal tek bashkëpunimi me Kosovën.

“Me Kosovën kemi lidhur dy marrëveshje ne fushën e bujqësisë, në fushën e shkëmbimit të njohurive për një sërë fushash pikërisht për të komplimentuar dhe për të fuqizuar marrëdhënien tonë. Kemi shumë rruge për të bërë në mënyrë që bujqësitë tona të cilat janë komplementare me njëra- tjetrën, ne prodhojmë në periudha që ju nuk prodhoni dhe ju prodhoni produkte që këtu nuk prodhohen, të mund të krijojë një sinergji më të mirë dhe të ketë shumë më tepër konsum të produkteve shqiptare. Unë kam pasur rastin të vizitoj Prishtinën dhe e fillova ditën time të punës në tregun e prodhimeve të fruta- perimeve. Jam ndjerë shumë mirë sepse të gjithë operatorët që ishin grumbullues dhe shitës të fruta- perimeve me shumicë kishin një respekt të thellë për produktet shqiptare dhe kishin një marrëdhënie shumë të fortë me pikat e grumbullimit të Shqipërisë dhe kontakte shumë të mira. Kështu që, patjetër kemi shumë rrugë për të bërë, por kemi përparuar shumë në atë drejtim. “- tha Kricfa.

Fshati Bogë (Foto Agroweb)

Shqipëria, sipas ministres, ka potenciale të mëdha në zhvillimin e fshatrave dhe në hapjen e vendeve të reja të punës në këto zona.

“Ndërkohë dua t’ju rikujtoj pak një politikë që ne kemi nisur në vitin 2018, një politikë që ka të bëjë me mbështetjen e agroturizmit, e cila në fakt është nisur sepse ne bujqësinë nuk e shohim vetëm si një bujqësi prodhuese primare dhe fshatin nuk e shohim vetëm si një vend ku prodhohet dhe merret ai prodhim dhe s’ndodh asgjë. Ne objektiv kemi rivitalizimin e fshatit shqiptar, kemi jetëzimin e fshatit shqiptar sepse e shohim si një minierë ari për turizmin, për ta vizituar, për ta eksploruar sepse aty ka shumë magji që ndodh në fakt, që është e lidhur edhe me traditën, me fenomenet kulturore, trashëgiminë kulturore, me mënyrën e jetesës që është unike në vetvete, me një hapësirë e cila deri para pandemisë shumë pak ishte e eksploruar edhe sepse ne vetë kohën kryesore për të kaluar pushimet e çonim në vendet e plazhit apo në qytete jashtë Shqipërisë dhe shumë pak merrnim iniciativën për të hulumtuar çfarë ndodh përtej hapësirave urbane. Pandemia mirë ose keq dhe këtë në fakt e kam vërejtur edhe në vendet e rajonit, pandemia na detyroi që të eksploronim më shumë vendin tonë. Jemi futur në thellësirat e hapësirave rurale dhe aty kemi zbuluar magjitë që ndodhin. Kemi zbuluar mikpritjen si fenomenin e besës, por e kemi pasur mundësinë ta prekim vetë personalisht, kemi pasur eksperienca personale. Nëse ka një brend mirëfilli që mund t’i ofrojmë botës dhe një pasaportë reale patjetër është ushqimi. “- shprehet ministrja.

Ministrja Krifca dhe ministri gjerman i bujqësisë në takim me sipërmarësit shqiptarë (Foto ATSH)

Krifca thotë se ka marrë dakortësinë edhe të përfaqësuesve të qeverisë gjermane për bashkëpunim.

“Unë kisha këtu javën e kaluar ministrin gjerman të bujqësisë me të cilin ramë dakord për një mori zhvillimesh në hapësirën rregullative, ligjore të bashkëpunimit, të ndërveprimit mes institucioneve tona. Ajo që doja të bëja është që ai të ikte me një shije shqiptare dhe brenda ministrisë organizuam me disa shefa shqiptarë një show në thonjza, një promovim, një degustim të disa produkteve shqiptare të sjellura ndryshe. Më pas e çova në një nga subjektet që përpunon produktet bujqësore dhe më pas e çova te Mrizi i Zanave, që është padiskutim një nga modelet më të mira që ne kemi me të cilin ne krenohemi, por krenohet i gjithë rajoni. Pas dy orësh, pasi kishte kaluar këtë eksperiencë jo vetëm në të ushqyer por ishte në të parit të të gjithë mënyrës sesi përpunohet produkti primar, si përpunohet djathi, frutat, perimet, sesi zhvillohet një ekonomi qarkulluese me të gjitha produktet e fermerëve më tha: “Më është mbushur telefoni,” se kishte bërë një postim në mediat e veta sociale, “me miqtë të mitë që më thone: Po, po unë kam qenë aty. Paske qenë dhe ti aty, kam qenë dhe unë aty.” Pra, një pasaportë e jashtëzakonshme. “- është shprehur ministrja  Krifca.