Riza Tufa: Kam provuar çdo zhanër të gazetarisë
2022-11-30 13:09:10


Riza Tufa gjate ne emisioni televiziv 

Riza Tufa ka mbaruar studimet e larta në degën e shkencave të komunikimit dhe masterin e ka kryer për marrëdhënie me publikun në Universitetin Beder në Tiranë. Aktualisht  ai punon si gazetar sportiv në televizionin ABC News ku realizon rubrikën e Voxpopeve me intervista të ndryshme në terren për sportin. Gjithashtu Rizai me një grup të rinjsh krijuan webin “Dritarja e mundësive” për t’i ardhur në ndihmë të rinjve që kërkonin punë si dhe bizneseve për të gjetur punëtorë. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për fillimet e tij në gazetari si dhe planet për të ardhmen. 

Gazetari i sportit Riza Tufa

CMG: Kur ka nisur pasioni juaj për gazetarinë?

Riza Tufa: Në fakt është pak e çuditëshme sepse unë nuk e kam pasur ndonjë ëndërr fëmijërie për t’u bërë gazetar. Ka qenë periudha e gjimnazit në vitin e tretë ku çdo maturant fillon të mendojë për atë se çfarë do të zgjedhi në jetë. Unë i bëra një skaner vetes dhe pashë që çfarë mund të bëhet më mirë, dhe jo se çfarë duhet të bëj sepse nuk kisha një pasion të madh për një gjë, që të lija pasionin për aftësitë e mia. Mendova që gazetaria ishte një nga profesionet që mund ta bëja dhe mund të përshtatej dhe kështu vendosa të zgjedh gazetarinë. Fillova universitetin ku mbarova bachelorin për shkenca komunikimi, pastaj masterin e kam bërë për marrëdhënie me publikun tek Universiteti Beder dhe fillova punë pa e mbaruar universitetin.

CMG: Cila ka qenë eksperienca juaj e parë në media?

Riza Tufa: Eksperienca ime e parë ka qenë në radio, pastaj kam kaluar në gazetarinë e shkruar në portal. Përsa i përket kategorisë që ndahet ky profesion, jo se jam imponuar  por i kam bërë të gjitha, gazetarinë e shkruar dhe atë audiovizive. Unë kam prekur pothuajse të gjitha fushat e gazetarisë si sportin, aktualitetin dhe gjëra të tjera, duke qenë se tregu jonë kaq është dhe nuk ke aq shumë mundësi që ti të bësh atë që di të bësh më mirë apo dëshiron. Herë pas here do bësh dhe gjëra që t’i kërkon puna.

Riza Tufa ne momente pune 

CMG: Preferoni më tepër të ndiqni gazetarinë e shkruar apo atë audiovizive?

Riza Tufa: Përsa i përket asaj që mua më ka mbetur në mendje ka qenë eksperienca e parë me radion. Nuk kam punuar shumë kohë në radio, por për aq pak kohë që punova akoma kam mbetur i dashuruar me radion dhe shpresoj që në të ardhmen të kem një eksperiencë tjetër me radion. Përsa i përket gazetarisë televizive, padyshim që ajo është një nga dëshirat e mia që do realizoj në të ardhmen.

CMG: E kishit pasion sportin që i vogël që zgjodhët gazetarinë sportive?

Riza Tufa: Futbollin e kam pasur pasion dhe kam pasur shumë informacion. Kjo ma bëri më të lehtë që ta nisja gazetarinë me sportin sepse aty e ndjeja veten më të sigurtë. Pastaj u bë profesion dhe tani merrem me sportin.

CMG: Përveç futbolllit jeni marrë dhe me sporte të tjera si basketboll apo volejboll sepse keni dhe gjatësinë e duhur?

Riza Tufa: Unë në shkollën 9 vjeçare kur kam nisur klasën e gjashtë kam qenë më i shkurtëri në shkollë dhe kur mbarova klasën e 9-të isha më i gjati. Nuk e di, ndoshta në atë katër vjeçar që kam qenë në atë shkollë kemi zhvilluar shumë sportin e basketbollit dhe ato kanë qenë vitet që kam luajtur më shumë basketboll. Pastaj nuk jam marrë më me këtë sport pas 9 vjeçares, rrallë ndonjëherë futboll por që të merrem fort me një lloj sporti, nuk e kam bërë.

CMG: Jeni angazhuar dhe me aktivitete të ndryshme në ndihmë të të rinjve. Flasim për këto aktivitete dhe webin që ju hapët bashkë me disa të rinj.  

Riza Tufa: Në fakt nuk po bën shumë kohë që me një grup shokësh që ishim studentë në atë kohë morëm një iniciativë për të hapur një web që quhej “Dritarja e mundësive’. Ne  aty kishim për qëllim të ndihmonim të rinjtë, por edhe bizneset që të rinjtë të gjenin punë  dhe bizneset ndërkohë të gjenin punëtorët e tyre. Pra secili mund të linte CV-në dhe të kërkonte një punë, por dhe bizneset mund të bënin njoftime për punë dhe një pjesë e jona kryente lidhjen ku bëheshin marrëveshje herë pas here. Kjo zgjati një periudhë kohore, por tani nuk është në aktivitet webi. Ishte diçka që ne e bëmë me pasion dhe nuk e bëmë për përfitime. Kjo do jetë një nga eksperiencat më të bukura jo vetëm e imja, por e të gjithë shokëve të mi që morën pjesë aty. Ishte deri diku dhe humanitare  përderisa nuk kishim përfitim dhe bëmë disa gjëra të mira ku arritëm disa marrëveshje, bëmë që disa të rinj të gjenin vendin e punës.

CMG: Kjo ishte një iniciative e bukur që u nis, por që e mbyllët. Cilat ishin vështirësitë që hasët?

Riza Tufa: Padyshim që vështirësitë ishin financat për të mbajtuar webin hapur apo dhe për të lëvizur sepse ne e nisëm me Tiranën, por mendonim që të shtriheshim në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu vështirësi tjetër ishte sepse ne e kishim nga një punë parësore dhe nuk na dilte koha. Një arsye tjetër ishte se sot jo çdo njeri dëshiron të bëjë diçka pa fitim për një kohë të gjatë dhe disa filluan të tërhiqeshin duke mbetur pak veta dhe për momentin është pezull, por është diçka që në çdo moment mund të niset sërish.

CMG: Cili është angazhimi juaj në televizon për këtë muaj, që po zhvillohet Kampionati Botëror i Futbollit Katar 2022?

Riza Tufa: Duke qenë se është evenimenti më i madh futbollistik në botë, padyshim që ne me zor e prisnim. Gazetarët e sportit tani janë në momentin që kanë se çfarë japin dhe nuk ndalen. Ky është momenti për të bërë më shumë intervista, vox pope, pra ka material për të bërë.

Riza Tufa.

CMG: Prej kohësh ju punoni si gazetar sporti në ABC News dhe realizoni voxpope. Ju pëlqen gazetaria e terrenit?

Riza Tufa: Gazetaria e terrenit më pëlqen më shumë se ajo e shkruara, sepse më pëlqen marrëdhënia me kamerën, por për momentin jam te voxpopet dhe këtë gjë e bëj me pasion. Nuk është e thjeshtë të merresh me njerëzit në terren, por është një punë që e bëj me pasion dhe kur e bën me pasion do realizosh diçka që të dalë e bukur. Vox popet deri diku janë diçka popullore që përcjell tek audienca realitetin, ku ti e ndalon njeriun dhe thotë atë që ka për të thënë, nuk pret gjë. Kjo është një nga rubrikat që pëlqehet shumë.

Nëse sot media mbahet nga rrjetet sociale, vox popi është një ushqim i fortë që i vjen rrjeteve sociale, ku një vox pop i mirë mund të ngrejë faqen e Facebook-ut duke e bërë edhe për kolegët e tjerë që puna e tyre të ecë më shumë sepse aktiviteti rritet dhe shikueshmëria nuk do rritet vetëm tek vox popet, por edhe tek lajmet që hidhen në faqe.

Riza Tufa ne interviste me gazetarin e njohur sportiv Defrim Methasani 

CMG: E shikoni karrierën tuaj këtu në Shqipëri apo mendoni për ndonjë kualifikim jashtë vendit?

Riza Tufa: Unë nëse do të kisha lëvizur nga Shqipëria do e kisha bërë, por nuk mendoj se është gjëja më e mirë dhe nuk duhet të marrësh vendimin shpejt për t’u larguar nga vendi. Unë kam vendosur që të provoj gjithçka në Shqipëri, të jap çdo gjë dhe pas një periudhe kohe ndoshta mund të lëviz, por duke parë situatën aktuale dhe me hapat që po eci besoj që do të jem këtu dhe nuk do t’i ndahem gazetarisë. Shpresoj që në të ardhmen të punoj në një televizion në një emision sportiv timin, por kjo do t’i mbetet kohës. Kamera është diçka që ta jep që në momentin e parë nëse të do apo nuk të do. Unë deri tani me vox popet kam bërë diçka, por  nuk besoj se e kam dhënë provën e vërtetë sa i përket televizionit.

CMG: Përveç pasionit për gazetarinë dhe sportin, keni ndonjë pasion tjetër ?

Riza Tufa: Unë që fëmijë nuk kam pasur ëndrra apo pasione të mëdha, ose i kisha për njëfarë kohe dhe pastaj zhdukeshin. Si çdo fëmijë përveçse të bëja gazetarinë sportive, do dëshiroja shumë të luaja futboll. Kam luajtur një periudhë kohe dhe pastaj e lashë, po ashtu kam luajtur dhe basketboll në shkollën fillore. Pra e gjithë kjo gjë anon tek sportet, ku pasionet e mia janë sportet në përgjithësi, boksi, Formuala uno dhe them se jeta ime është e lidhur më shumë me sportin.

 

Intervistoi: Gazmend Agaj