Xi, mesazh urimi konferencës përkujtimore për Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit me Popullin Palestinez
2022-11-30 16:24:00

Dy fermerë palestinezë korrën më 22 nëntor 2022 luleshtrydhe në Beit Lahia të Brezit të Gazës, të cilat do të eksportohen në bregun perëndimor të Lumit Jordan dhe në Izrael/ foto nga VCG

Presidenti i Kinës Xi Jinping i dërgoi të martën një mesazh urimi konferencës përkujtimore të OKB-së me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit me Popullin Palestinez.

Xi vuri në dukje se problemi i Palestinës është thelbi i problemit të Lindjes së Mesme dhe zgjidhja e gjithanshme dhe e drejtë e këtij problemi ka të bëjë me paqen e stabilitetin e rajonit dhe me barazinë e drejtësinë ndërkombëtare. Bashkëjetesa paqësore ndërmjet Palestinës e Izraelit dhe zhvillimi i përbashkët i kombit arab dhe kombit hebre përputhen me interesat afatgjatë të të dy palëve dhe janë shpresa e përbashkët e të dy popujve. Bashkësia ndërkombëtare duhet të ngulë këmbë në "zgjidhjen e dy shteteve" dhe ta vërë problemin e Palestinës në krye të agjendës ndërkombëtare, që ta ndihmojë popullin palestinez të realizojë sa më parë ëndrrën e krijimit të shtetit të pavarur.

Xi Jinping-u theksoi se Kina e ka përkrahur çështjen e drejtë të popullit palestinez për rifitimin e të drejtave të ligjshme kombëtare dhe ka nxitur aktivisht bisedimet e paqes ndërmjet Palestinës dhe Izraelit. Kina përkrah forcimin e autoritetit të Autoritetit Kombëtar Palestinez dhe të solidaritetit ndërmjet fraksioneve të ndryshme palestineze, që të rifillojnë sa më parë bisedimet e paqes midis Palestinës e Izraelit dhe procesi i paqes në Lindjen e Mesme të kthehet në orbitën e duhur. Pala kineze do të vazhdojë t'i ofrojë palës palestineze ndihmë humanitare e zhvillimi dhe ta ndihmojë në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetesës së popullit. Si vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një vend i madh i përgjegjshëm, Kina do të vazhdojë të përpiqet bashkërisht me komunitetin ndërkombëtar për të dhënë kontribut për paqen afatgjatë, sigurinë e gjithanshme dhe lulëzimin e përbashkët në Lindjen e Mesme, u shpreh presidenti kinez Xi Jinping në mesazhin e urimit për konferencën përkujtimore lidhur me Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit me Popullin Palestinez. (Wang Lei/ Artan)