Integrimi në BE, presidenti gjerman: Shqipëria, hapa vendimtare përpara
2022-11-30 14:23:56

Presidenti gjerman Frank Walter Steinmeier (Foto:Atsh)

Presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, në prag të vizitës që pritet të zhvillojë në Tiranë, si pjesë e turit në Ballkan, u shpreh se Shqipëria ka bërë hapa vendimtare përpara sa i takon integrimit europian.  

Në një intervistë për “Deutsche Welle”, përcjellë nga “ATSH”, presidenti gjerman tha se vizita e tij në rajon synon të sinjalizojë se Ballkani Perëndimor nuk është aspak i lënë në harresë.  

I pyetur në lidhje me faktin se BE-ja nuk ka një plan kohor për Ballkanin Perëndimor, Steinmeier theksoi se kjo varet nga vullneti i brendshëm për t’u reformuar dhe nga gatishmëria për t’i zbatuar realisht reformat.  

“Sot mund të argumentojmë ndryshe karshi shteteve të Ballkanit Perëndimor. Sepse, për shembull, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë hapa vendimtare përpara. Kjo forcon vetëbesimin në këto vende dhe gjithashtu ua bën të qartë të tjerëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, se ky hap ia vlen. Nuk duhet harruar se përtej çështjes së anëtarësimit në kuptimin e ngushtë të fjalës, edhe gjatë këtij rrugëtimi shënohen përparime. Në Berlin filloi shumë vite më parë procesi i Ballkanit Perëndimor. Siç më kujtohet, ka qenë shumë e vështirë në fillim. Por, duke pasur parasysh samitin e fundit, atëherë mendoj se udhëtimi me letërnjoftime, njohja reciproke e diplomave shkollore dhe universitare, gatishmëria e evropianëve për të ndihmuar në rritjen e çmimit të energjisë, janë përparime domethënëse. E kuptoj padurimin, pa diskutim. Por nuk jemi as në fazën kur duhet të flasim për shkurajim. Jo vetëm për shkak të Ukrainës, sepse ne të gjithë jemi duke mbajtur një sy nga Ballkani Perëndimor, por edhe sa i përket Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ku ka hapa përpara”, tha ai. (Elona)