14 ide biznesi nga gra sipërmarrëse në Shqipëri
2022-11-29 13:06:20

“We Grow” është një program 4-mujor akselerimi, që do të mbështesë startup-e novatore, digjitale dhe që kanë një projekt zhvillimor të shkallëzueshëm. Këto sipërmarrje, të krijuara dhe udhëhequra nga vajza dhe gra në të gjithë Shqipërinë, duhet të kenë për qëllim zhvillimin dhe punësimin e të rejave dhe të rinjve.

Projekti WeGrow

Projekti i akselerimit mbështet dhe fuqizon startup-et e themeluara nga vajzat dhe gratë që në fazat e parë përmes trajnimeve, mentorimit dhe aktiviteteve të rrjetëzimit, duke e shtrirë kontributin deri në fazat e zhvillimit, testimit dhe lançimit.
Në ambientet e “Tulla Center” u mbajt eventi final i projektit “WeGrow”. Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali e vlerësoi dhe nënvizoi rolin e gruas në sipërmarrje.

“Çdo shoqëri e shëndoshë në bazë ka familjen dhe çdo familje ka nga pas një grua. Numri i grave dhe vajzave që marrin pjesë në projekte të tilla ku promovohen talenti dhe idetë e tyre është gjithnjë e më tepër në rritje. Tri vajza sot do të marrin çmim, por për mua kjo është e parëndësishme sepse këtu në këtë event keni marrë një network, pasi programi vijon edhe pas projektit. Ju këtu nisni një hap shumë të rëndësishëm dhe të jeni të bindura që do t’ju mbështesim edhe në vijim. Të gjitha vendet anë e mbanë botës janë të prekura nga sfida e zhvillimit ekonomik, por ne nuk e kemi ndaluar hapin tonë drejt nxitjes së iniciative te grave dhe vajzave në sipërmarrje, jemi përpjekur që t’i mbështesim ato., – tha ministrja Edona Bilali.

Idetë ishin të gjitha të bukura dhe secila prej tyre kishte diçka për të përcjellë 14 gra, 14 ide, 14 mundësi për një shoqëri më të mirë dhe më të aftë në sipërmarrje.

Erisa Bujari – GEF psychology, Lulia Kocali – Bèhu Boho, Rudina Rica – Azalea, Meri Dishnica – Magic in You, Elma Hoxha – Molla Marketing, Erblina Shehu – Kungul, Franceska Fezollari – CES, Kristjana Ibrahimi – ArtiPak, Ana Ngjegari – Dora ime, Hygerta Pjeshka – DDA, Gerta Kosova – Vashèzat, Elida Vocaj – Thurje Kujtimesh, Marilda Salla – Erudite Academy, Joana Paco – MAPP. Secila prej tyre kishte një element të veçantë për të treguar.


Ja disa prej ideve më të bukura të këtij eventi

Projekti WeGrow

Projekti WeGrow

Kristjana Ibrahimi – ArtiPak

Projekti konsiston në brandim dhe paketim të realizuar me dorë i produkteve tradicionale përmetare për fermerët dhe prodhuesit e vegjël. 50 produkte tipike lokale prodhohen nga 100 fermerë dhe prodhues të vegjël të zonës.

“Është një kënaqësi për mua që të jem pjesë e këtij eventi, mbi të gjitha sepse kam njohur njerëz të rinj dhe ide shumë të bukura. Projekti im mbetet një inicativë që nuk do të ndalojë këtu, sepse janë katër aspekte ku do të operoj: aspekti turistik, ekonomik, mjedisor dhe kulturor” u shpreh ideatorja e projektit “ArtiPak” Kristjana Ibrahimi.

Franceska Fezollari – CES

Ky projekt ka të bëjë me “Ofrimin e Shërbimeve Financiare në mënyrë Digjitale” si dhe “Përgatitja e Studentëve për tregun e punës“.

“Asgjë nuk është e pamundur dhe unë e kam njohur tregun kohë më parë, ndaj dhe kam bindjen që kjo ide do të ngjallë interes dhe do të ketë sukses., – tha Franceska Fezollari, ideatore e projektit “CES”

Ana Ngjegari – Dora ime

Me projektin “Dora ime”, Ana Ngjegari solli më pranë nesh një tjetër ide të bukur, e cila në pamje të parë dukej e thjeshtë, por kishte nevojë për një vëmendje të dedikuar.

“Dora ime ka nisur si një pasion që kisha për punën e dorës. Kam kuptuar që tregu ka kërkesa dhe vlerësohet, e për rrjedhojë kam vendosur ta zhvilloj më tej si biznes. Gjatë vitit të fundit janë shitur mbi 100 spila të personalizuara. Klientë të kënaqur brenda dhe jashtë vendit. Ajo që tani duam të arrijmë është bashkëpunimi me më shumë artistë për krijimin e një e-shop, shprehet Ana Ngjegari, ideatore e projektit “Dora ime”

Projekti WeGrow

Projekti WeGrow

Erisa Bujari – GEF psychology

Pandemia Covid-19 i mësoi edhe njëherë njerezit se sa e rëndëishme është të jesh i trajtuar mirë psikologjikisht për një jetë më të lumtur dhe më të shëndetshme. Këtë koncept dhe ide ka dhe GEF psychology, ndërtimi i një plaftorme ku, kushdo ka mundësi të trokasë për një konsulencë psikologjike.

Julia Kocali – Bëhu Boho

Julia është arkitekte në profesion. Aktualisht ajo po merret me produktet e riciklueshme dhe po punon për këtë sektor.

“Si arkitekte unë kam hulumtuar shumë për të gjetur materiale të riciklueshme, por kam hasur shumë vështirësi. Pikërisht këtu nisi gjithçka. “Bëhu Boho”, është një projekt i cili jep ide alternative për të prodhuar. Materialet janë të gjitha të riciklueshme. Aktualisht po prodhohen tapetë 100% me dorë dhe punime me grep”, – u shpreh Julia Kocali

Rudina Rica – Azalea

Projekti lindi si një nevojë për të qenë afër grave që nuk kanë mundësi të shkojnë tek mjeku apo që duan një mbështjeje shëndetësore më shumë se mjeku i familjes.

“Projekti ka fokus shëndetin e gruas. Na dallon prania e stafit mjekësor, 100% femëror dhe në shërbim 24/24. Perspektiva jonë është që këtë projekt ta kthejmë në fitim së pari në një mbështetje dhe ndihmë të sa më shumë grave dhe pastaj, sigurisht, edhe në të ardhura për familjet tona. Duam të identifikojmë gra, të cilat kanë nevojë, por nuk mundësi të pagajnë dhe t’ju japim shërbim falas”, tha ideatorja e projektit “Azalea” Rudina Rica.

Erblina Shehu – Kungul

Projekti WeGrow

Projekti WeGrow

Përmes aplikacionit “Kungul”, synohet të analizohen të dhënat e produkteve kozmetike, për të kuptuar nëse kanë apo jo kimikate.

“Ndaj dhe mendova që të sjell një aplikacion të këtij lloji edhe në Shqipëri. Në thelb, ky aplikacion mundëson një lexim të shpejtë dhe lehtëson punën për ata që duan një informacion për produktin që duan të blejnë. Më në fund ata do të kuptojnë nëse ia vlen ose jo një product”, thekson Erblina Shehu, ideatore e projektit

Hygerta Pjeshka – DDA

Të vuash nga diabeti është një sfidë e madhe me veten dhe shoqërinë. Sa persona vuajnë dhe sa të tjerë nuk e shfaqin? “DDA lindi për t’i ardhur në ndihmë komunitetit të personave me diabet, duke ofruar dieta të ndryshme ushqimore. Gjatë dy viteve të fundit numëri i të prekurve me diabet në Shqipëri u rrit me 200%, ndaj dhe duhet të nisim menjëherë nga ndërgjegjësimi”, tha Hygerta Pjeshka, ideatore e projektit.

Projekti u mbyll me tre çmime fituese, Erisa Bujari – GEF psychology, Erblina Shehu – Kungul dhe  Ana Ngjegari – Dora ime.

Përgatiti Megi Latifi