Bonot (Foto atsh.gov)
Qeveria ka hapur thirrjen për investime nga qytetarët në bonot e thesarit. Rritja e normës së interesit ka qenë një nga arsyet që e ka çuar qeverinë në marrjen e këtij vendimi. Eriola Hoxha, eksperte ekonomie analizon këtë thirrje të qeverisë shqiptare dhe instrumentet e zbatimit të saj
“Titujt qeveritarë janë instrumente borxhi, të cilët emetohen dhe garantohen nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë emeton tituj qeveritarë rregullisht në treg nëpërmjet ankandeve.Titujt emetohen me vlera të caktuara, të cilat blihen nga individë, nga banka apo nga institucione të tjera financiare për një kohë të përcaktuar më parë. Pas mbarimit të kësaj kohe (ose kur maturohen titujt) qeveria i riblen letrat me vlerë dhe së bashku me çmimin fillestar me të cilin i ka shitur, ajo i paguan edhe një interes mbajtësit të tyre. Ky interes është shpenzim për qeverinë dhe fitim për investitorin.”, thekson ekspertja Hoxha.
Bonot e thesarit (foto atsh.gov.al)
Çfarë instrumentesh ofron aktualisht Ministria e Ekonomisë dhe Financave?
“Ministria ofron dy kategori titujsh: bono thesari dhe obligacione. Bonot e thesarit janë tituj afatshkurtër me maturitete 3, 6 ose 12 mujore. Ndërsa obligacionet janë tituj afatmesëm dhe afatgjatë me maturitete 2, 3, 5, 7, 10 dhe 15- vjeçare.”, sqaron ekspertja
Cilat janë avantazhet e investimit në tituj qeveritarë për qytetarët në vend?
“Duhet theksuar se titujt qeveritarë janë instrumente borxhi të cilët emetohen dhe garantohen nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Si rrjedhojë, këta tituj mbartin risk më të ulët në krahasim me forma të tjera investimi dhe ndihmojnë në diversifikimin e portofoleve të investimit në tërësi. Titujt qeveritarë janë të tregtueshëm në tregun sekondar, pra në rast se qytetarit ne nje moment te caktuar i duhet likuiditet, mund të shesë titullin që zotëron përpara datës së maturimit të specifikuar në kontrate, me çmimin që ofron tregu në atë moment.”, nënvizon ekspertja
Pjesmarrja e individëve në ankandet e titujve qeveritarë për Ministrinë e financave dhe ekonomisë është e rëndësishme, përse?
“Një bazë e diversifikuar e investitorëve është e rëndësishme jo vetëm për emetuesin, por edhe për tregun në tërësi, në mënyrë që të reduktohet ekspozimi i tepërt i sektorëve të caktuar kundrejt rreziqeve potenciale. Sigurisht që individët nuk janë e vetmja kategori e cila do kontribuonte në këtë diversifikim. Kategori të tjera mund të jenë fondet e pensioneve, apo skemat e investimit kolektive. Prandaj, mbi të gjitha në kontekstin ekonomik aktual kur normat janë në rritje, komunikimi me investitorët individual është identifikuar si më direkt dhe me impakt te shpejtë.”, thotë Hoxha
Ministria e Financave (Foto ministria.gov.al)
Cilat janë karakteristikat kryesore të bonove të thesarit dhe të obligacioneve?
“Bonot e thesarit janë instrument që tregtohen me zbritje, pra përfitimi nga investimi është diferenca midis vlerës nominale që Ministria e financave shpall dhe çmimit të blerjes. Shuma minimale me të cilën mund të merret pjesë në ankandet e bonove të thesari është 300 mijë lekë, ose 2 mijë EUR/USD. Çdo investitor që rezulton i suksesshëm pas ankandit paguan çmimin që ka ofruar (pra aplikohet i ashtuquajturi ‘mekanizmi me shume çmime’). Kërkesat e qytetarëve mund të jenë konkurruese (ofrohet shuma dhe yieldi) ose jo-konkurruese (ofrohet vetëm shuma dhe merret yieldi mesatar). Obligacionet nga ana tjetër tregtohen me para value, pra vlera nominale dhe çmimi i blerjes janë të barabartë dhe interesi paguhet çdo 6 muaj. Shuma minimale e investimit 300 mijë lekë ose 3 mijë EUR/USD. Përsa i përket mekanizmit të çmimit, ky i fundit është uniform, pra të gjithë investitorët marrin normën maksimale të interesit të pranuar nga MFE. Përjashtim bëjnë vetëm titujt referencë 3 dhe 5 vjeçare për të cilët mekanizmi i çmimeve është i njëjtë me bonot e thesarit. Duhet theksuar se rasti i rihapjes së obligacioneve (pra kur për të njëjtën linjë obligacioni, me të njëjtin kod, emetohet një shumë shtesë) është më kompleks për t’u kuptuar nga ana teknike, prandaj qytetarët këshillohet të informohen paraprakisht në faqen e MFE mbi karakteristikat e këtyre emetimeve” thekson ajo
Eriola Hoxha (Foto personale)
Cilat janë kanalet përmes të cikave individët mund të marrin pjesë në anakndet e titujve qeveritarë?
“Çdo qytetar mund të marrë pjesë në ankandet e titujve qeveritarë nëpërmjet sporteleve në degët e Bankës së Shqipërisë (vetëm për bonot e thesarit) ose nëpërmjet bankave të nivelit të dytë (për bonot e thesarit dhe për obligacionet).”, bën të ditur ekspertja e ekonomisë
Cila është proçedura për të marrë pjesë në ankand nëpërmjet Bankës së Shqipërisë?
“Hapja e një llogarie Cash-i për pjesëmarrje në ankandin e bonove të thesarit, pranë një banke të nivelit të dytë. Derdhja e fondeve që do të investohen në llogarinë e Cash-it të hapur për këtë qëllim. Marrja nga banka e nivelit të dytë e IBAN-it dhe vërtetimit për bllokimin e shumës për pjesëmarrje në ankandet e Bonove të Thesarit. Paraqitja e IBAN-t të llogarisë së cash-it të hapur dhe vërtetimit për bllokimin e shumës për pjesëmarrje në ankandet e Bonove të Thesarit pranë sporteleve të Bankës së Shqipërisë për të hapur llogarinë e titullit pranë këtyre sporteleve, dhe për të plotësuar kërkesën për pjesëmarrje në ankandin e bonove të thesarit. Hapja e një llogarie cash-i dhe titulli për pjesëmarrje në ankandin e titujve qeveritare, pranë subjektit te liçencuar nëpërmjet se cilit kërkohet të merret pjesë në ankand. Derdhja e fondeve që do të investohen në llogarinë e hapur për këtë qëllim. Të plotësojë kërkesën për pjesëmarrje në ankand”, u shpreh për Grupin Mediatik të Kinës ekspertja e ekonomisë, Eriola Hoxha