Kremtohet në Vlorë 110-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë
2022-11-29 15:07:16

Monumenti i Pavarësisë në Vlore Monumenti i Pavaresise ne Vlorë (Foto: Facebook Presidenca shqiptare)

Monumenti i Pavarësisë në Vlore Monumenti i Pavaresise ne Vlorë (Foto: Facebook Presidenca shqiptare)

110-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u përkujtua të dielën në Vlorë, qytetin ku për herë të parë u ngrit flamurit kuqezi më 28 nëntor 1912.

Në ceremoninë ngritjes së flamurit ishin të pranishëm krerët më të lartë të shtetit shqiptar, përfaqësues nga Kosova, si dhe pjesëtarë të të gjitha institucioneve fetare në vend, njofton “RTSH”.

Të pranishmit nderuan flamurin dhe më pas vendosën kurora me lule në monumentin e Pavarësisë.

Ngritja e flamurit në Vlorë (Foto: Facebook Presidenca shqiptare)

Ngritja e flamurit në Vlorë (Foto: Facebook Presidenca shqiptare)

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi në fjalën përshëndetëse se sot shqiptarët kanë vënë dinjitetin e tyre në botë dhe se Shqipëria është partnere e besuar dhe aleate e SHBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Ndërsa para 110 vite diskutohej copëtimi i trevave shqiptare, sot Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes”,- tha presidenti Begaj.

Kreu i shtetit shqiptar e konsideroi samitin BE-Ballkani Perëndimor, që do të zhvillohet më 6 dhjetor në Tiranë, si një mesazh mbështetje për shqiptarët dhe një arritje për të gjithë rajonin.

“Shqipëria ka detyrë të mbështesë fuqizimin e faktorit shqiptar kudo që ata jetojnë në përmbushje të detyrimeve kushtetuese e kombëtare. Patriotët që nderojmë janë shembulli më i mirë për t’u bashkuar për interesat kombëtare”, tha presidenti shqiptar Bajram Begaj. (Fatosi)