Betohet Dua Lipa (Foto:Facebook Bashkia Tiranë)
Në vigjilje të koncertit të madh për 110-vjetorin e Ditës së Pavarësisë, mbajtur në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë, këngëtarja Dua Lipa u betua si shtetasja më e re shqiptare.
Në një ceremoni të veçantë ajo u betua para kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj, përmes një postimi në “Facebook”, ku publikoi dhe foto nga ceremonia, deklaroi se kjo është një ditë shumë e veçantë sepse një ikonë e këngës botërore si Dua Lipa, tashmë është edhe zyrtarisht një shtetase shqiptare.
“Një shtetase globale, e cila ka mbetur me rrënjë në Shqipëri e Kosovë, bëhet pjesë e skuadrës sonë dhe një shtetase shqiptare. Je një burim i jashtëzakonshëm krenarie si shtetase e re e Shqipërisë”,- shkroi kryebashkiaku Veliaj.
Për yllin e muzikës botërore, Dua Lipa, ky është një moment gëzimi i papërshkrueshëm. Ajo tha se në vizitën e ardhshme drejt Shqipërisë, do të përdorë pasaportën shqiptare.
“Faleminderit shumë! Është një gëzim i papërshkrueshëm dhe një nder shumë i madh. Jam shumë e emocionuar nga mikpritja, dashuria dhe mbështetja”,- tha Dua Lipa. (Fatosi)