Zhong Danda,themelues i kompanisë "Ujë burimi Nongfu" i provincës Zhejiang/ foto nga VCG
Në Listën "Hurun" të 100 Pasanikëve të Kinës 2022, të publikuar nga Instituti Hurun në fillim të nëntorit, 68-vjeçari themelues i kompanisë "Ujë burimi Nongfu" i provincës Zhejiang, Zhong Dandan u radhit në vendin e parë, duke u bërë njeriu më i pasur në Kinë për të dytën herë, me një pasuri prej 455 miliardë juanësh. Ai shënoi dhe rekordin për pasuritë mes pasanikëve kinezë për mbi 20 vite.
Biznesmenët e provincës Zhejiang janë përfshirë shpesh në Listën "Hurun". Rupert Hoogewerf (emri origjinal i Hurun-it), presidenti dhe kryestudiuesi i Listës "Hurun" analizoi se nga këndvështrimi gjeografik, sipërmarrësit nga provinca Zhejiang dhe provinca Guangdong kanë qenë më të shumtë në listën e tij. "Gjatë mbi dhjetë viteve të fundit, më të pasurët kanë qenë nga provinca Zhejiang." Përveç këtyre, qysh nga viti 1999 kur u krijua Lista e 100 Pasanikëve të Kinës, në këto 24 vjet plot 9 herë njeriu më i pasur vjen pikërisht nga Zhejiang.
Sa i fuqishëm është grupi i biznesmenëve të Zhejiang-ut? Në vitin 2021, ndër 500 ndërmarrjet më të fuqishme private kineze, 107 ishin nga provinca Zhejiang, ndërsa vazhdojnë të renditen në vendin e parë për 24 vite me radhë. Gjatë dekatës së fundit, vëllimi i ekonomisë private të kësaj province u rrit nga 2.2 trilionë në 4.9 trilionë juanë. Sot në provincën Zhejiang, ka një "boss" ndër 7.8 persona, kurse para dhjetë vitesh ky numër ishte 17.6.
Selia në qytetin Hangzhou e grupit "Alibaba", gjiganti nr.1 i tregtisë elektronike i Kinës/ foto nga VCG
Interneti dhe produktet e konsumit janë degët kryesore me të cilat merren më të pasurit e Zhejiangut. Qysh nga viti 2008 kur qyteti Hangzhou, kryeqendra e provincës Zhejiang, u titullua si "kryeqendra e tregtisë elektronike e Kinës", ai ka krijuar me radhë shtatë zona shembullore të shërbimeve për tregtinë elektronike, ku ofrojnë ndihma për ndërmarrjet e biznesit elektronik, pakësojnë tatimet dhe inkurajojnë të diplomuarit të kenë biznesin e vet. Sot, në qytetin Hangzhou janë përqëndruar shumë gjigantë të internetit, si "Alibaba", "Ant Group", "NetEase" etj. Duke u bërë me të vërtetë qyteti i internetit. Të gjitha këto ndërmarrje janë private. Gjatë dekadës së kaluar, ekonomia private kanë zënë një përqindje gjithnjë e më të madhe në ekonominë e provincës Zhejiang.
Krahas industrisë së internetit, edhe dega e produkteve të konsumit ka zënë një përqindje të konsiderueshme. "Sivjet dega tradicionale pati një ngritje të dukshme," - vuri në dukje Rupert Hoogewerf, duke shtuar se "është vështirë të përfytyrosh se në kohën e sotme të zhvillimit të vrullshëm teknologjik, më i pasuri kinez, Zhong Dandan, merret me ujin mineral natyral dhe pasuria e tij është pothuajse sa vëllimi i përgjithshëm i dy pasanikëve pas tij, që janë përkatësisht Zhang Yiming, pronari i "Tiktok"-ut dhe Zeng Yuqun, që merret me energjinë e re".
Pan Helin, ekonomist nga Universiteti Zhejiang është i mendimit se prodhimi i produkteve të konsumit dhe biznesi elektronik kanë mbështetur njeri-tjetrin. Nga njëra anë, prodhimi i produkteve të konsumit ka qenë fusha kryesore e ekonomisë së provincës Zhejiang. Me zhvillimin e ekonomisë së Kinës, janë shtuar dhe kërkesat e banorëve të thjeshtë për konsum, ndërsa ndërmarrjet private në Zhejiang janë treguar të zgjuara për të kuptuar kërkesat e tregut. Nga ana tjetër, pas vitit 2008, gjithnjë e më shumë produkte konsumi nga provinca Zhejiang janë shitur përmes internetit në gjithë vendin, madje në mbarë botën.
Biznesmenët e huajë blenë pajisje metalike në Qendrën e Ekspozitës Ndërkombëtare të Yiwu-së të provincës Zhejiang / foto nga VCG
Pan Helin vë në dukje se pas ekonomisë së shkëlqyer private të provincës Zhejiang, qëndron mjedisi i mirë i biznesit atje. Në një raport të publikuar në fillim të nëntorit mbi mjedisin e biznesit të vlerësuar nga 10 mijë ndërmarrje private, provinca Zhejiang radhitet në vendin e parë ndër 10 provincat me mjedisin më të mirë të biznesit, ndërsa 3 qytete të Zhejiang-ut, si Hangzhou, Wenzhou dhe Ningbo janë ndër 10 qytetet e para kineze në këtë renditje.
Provinca Zhejiang është gjithashtu krahina e parë kineze që zbatoi rregulloren e nxitjes së ekonomisë private në Kinë për mbrojtjen e të drejtave të ligjshme të ndërmarrjeve private. Në provincën Zhejiang, numri i banorëve që merren me biznes zë një përqindje të lartë mes popullsisë së provincës, ndërsa ekonomia private ka pësuar një zhvillim të vrullshëm dhe nxjerrë shumë prej pasanikëve kinezë.
Po pse banorët në këtë provincë parapëlqejnë biznesin dhe janë të aftë në biznes? Veprimtaria tregtare ka një histori të gjatë në këtë provincë. Historikisht, popullsia e madhe dhe sipërfaqja relativisht e paktë e tokave të punueshme i kanë detyruar vendësit të zgjedhin tregtinë si një alternativë të arsyeshme. Që nga dinastia Song e Jugut (1127-1279), qendra ekonomike dhe kulturore e Kinës u shpërngul në jug dhe veprimtaria tregtare në provincën Zhejiang, që ndodhet në juglindje të vendit, njohu një zhvillim të mëtejshëm, duke u bërë "vendlindja e peshkut dhe orizit" si dhe "kryeqendra e mëndafshit". Në dinastinë Ming, filizi i kapitalizmit në Kinë u shfaq në radhë të parë në Zhejiang. Pas Luftës së Opiumit, qendra e tregtisë së jashtme u transferua nga Guangzhou në Shangai dhe shumë mallra e investime të huaja hynë në këtë qytet brenda një kohe të shkurtër. Me këtë rast, një kontingjent i madh biznesmenësh nga Zhejiang u transferuan në Shangai, i cili ndodhet afër Zhejiang-ut, duke u bërë një degë më e madhe dhe me ndikime më të mëdha mes biznesmenëve në Shangai.
Zhang Huamei demonstroi lisencën e saj të tregtisë individuale në qytetin Wenzhou, të parën në Kinë / foto nga VCG
Pas reformës së hapjes së Kinës, që nisi në fund të viteve '70-të të shekullit të kaluar, gjithnjë e më shumë familje në Wenzhou të provincës Zhejiang filluan të merreshin me prodhimet e thjeshta, si rrobaqepësi, prodhim këpucësh, shitje veshjesh etj. Administrata e Wenzhout lëshoi të parën lisencë të tregtisë individuale në Kinë në nëntor 1980 dhe lejoi e para në Kinë dhënien e kredive private. Më vonë, moda e zhvillimit të Wenzhout u përhap në mbarë provincën Zhejiang dhe ekonomia private njohu një zhvillim të vrullshëm.
"Biznesmenët e provincës Zhejiang guxojnë për të provuar gjëra të reja. Wenzhou, Yiwu dhe shumë zona të tjera të provincës Zhejiang janë pararojë e reformës dhe hapjes." - analizon Pan Helin. Krahas kësaj, biznesmenët nga Zhejiang janë të bashkuar. Në shumë vende ekzistojnë dhomat e tregtisë të Zhejiang-ut, ku sipërmarrësit ndihmojnë njëri-tjetrin.
Në vitin 2003, kur ishte kreu i provincës Zhejiang, Xi Jinping e vlerësoi gjenin kulturor të biznesmenëve të Zhejiang-ut si guximi i novacionit, fryma që nuk shpërfill artikujt e vegjël në kohën e ekonomisë së planifikimit dhe përpjekjet e mundimshme, që "punon si pronar gjatë ditës dhe fle në dysheme natën". Gjeni kulturor i biznesmenëve të Zhejiang-ut është një pasuri e çmuar e Kinës, theksoi Xi. (Wang Lei/ Laçi)