Librat per femije (foto: koha jone)
“Një fëmijë që lexon, do të bëhet një i rritur që mendon”. Me këtë thënie mund ta përshkruajmë Panairin e Librit 2022, i cili gjatë edicionit të tij të 25 ofroi për fëmijët një numër të bollshëm, titujsh, autorësh dhe historish.
Ne, edhe pse të rritur, shpesh herë e kapim vetën duke shfletuar libra për fëmijë. Pasi nuk janë vetëm fëmijët ata që mund t’i lexojnë librat e fëmijëve, por edhe të rriturit, për të kuptuar më mirë fëmijët e tyre, për t’u zhytur në aventurat e harruara të fëmijërisë, apo për tua lexuar librat më të vegjëlve. Pasi është prindi, i pari që krijon komunikimin mes librit dhe fëmijës.
Sivjet, shtëpitë botuese, duke kuptuar nevojën e madhe që ka letërsia për fëmijë, sidomos për autorë shqiptarë, kanë arritur të sjellin libra për fëmijët e të gjitha moshave, duke përmbushur më mirë, misionin e madh që ka libri në edukimin dhe formimin e brezave.
Si në çdo panair, edhe libri për fëmijë pati të kurorëzuarit e vet. Fituesja e Librit për fëmijë, ishte autorja Natasha Shuteriqi Poroçani me librin “Kalendari i ëndrrave të mollës”, botuar nga Albas. I konceptuar si një bashkëbisedim i pemës së mollës me fëmijën, ky tekst shkon për fëmijët e moshës mbi 4 vjeç, të cilët sapo kanë nisur të fitojnë aftësitë e të folurit dhe të njohjes së gërmave. Fletë pas flete, fëmijët njihen me ciklin jetësor të një peme përgjatë stinëve, por nxiten të flasin e të shkruajnë për ciklin e tyre jetësor përgjatë një viti.
Aria hidh dhe prit(foto: Mediaprint)
Fituesja është njëkohësisht autore e disa librave të tjerë për fëmijë, si “Bëhu si unë”, “Kur zemërohet Evaristi”, “Pa e vrarë mendjen”, “Splash”, si dhe kolana “Bëmat e Estes dhe Kokosë”.
Beteja për librin për fëmijë është më e vështira dhe më e padukshmja. Autorët që shkruajnë letërsinë për fëmijë kanë marrë mbi supe barrën, ndoshta më të vështirën e procesit krijues, pasi të krijosh për fëmijët, është si të krijosh edhe një tjetër realitet, përveç atyre që krijojnë vetë fëmijët përmes fantazisë së tyre të pafund. Në këtë sprovë të vështirë, shtëpitë botuese dhe autorët shqiptare, me të cilët kanë zgjedhur të bashkëpunojnë, i janë vënë një pune të madhe për ta sjellë librin shqip për fëmijë tek lexuesi në atë sasi dhe cilësi që ky lexues meriton.
Jona dhe deti (foto:Mediaprint)
Shtëpia botuese Mediaprint, ka kohë që i është kushtuar botimeve për fëmijë dhe të rinj. Pjesë e titujve të saj është libri “Tullumbacja e bardhë”, nga Rovena Rrozhani, ku rrëfehet historia e një vajze të vogël, e cila duke ndjekur tullumbacen, gjendet në fshat. Nëpërmjet humorit dhe lojës, kjo përrallë e mbështetur në motive popullore orienton fëmijët të përcjellin vlerën e miqësisë dhe të mbështetjes së njerëzve që gjenden në vështirësi.
Një tjetër libër i ri për fëmijë është ai me titull “Jona dhe deti” (poemë vere), shkruar nga Zimo Krutaj, edhe ky botim i Shtëpisë Botuese “Mediaprint”. Libri në fjalë është fitues i Fondit të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, për krijimtarinë letrare për fëmijë, viti 2022. Libri e ka pikënisjen në kontaktin e parë të një vajze të vogël me detin. Thënë ndryshe, është përshkrimi, historia, befasitë e ndodhitë e Jonës, gjatë ditës së parë të vogëlushes buzë detit, në një lojë reale e imagjinare ku ndërthuret e shkrihet realiteti dhe trillimi, koha dhe hapësira. Interesante është gjetja e autorit që të fusë në poemë edhe personazhe të hershme të letërsisë shqiptare dhe të huaj, duke e shndërruar librin edhe në një lloj antologjie të mrekullueshme.
Mbetemi sërish tek letërsia për fëmijë, shkruar nga autorë shqiptarë. Shkrimtarja Edi Gogu tashmë ka tre libra për fëmijë, të cilët u prezantuan në Panairin e Librit, si “Dhëmbët e mëdhenj të gomarit Zilko”, “Flutura gazplote” dhe “Tuli Turtuli”. E pasionuar pas botës së kafshëve, përmes gjuhës dhe botës së tyre, autorja ka sjellë tre libra vërtet zbavitës për lexuesit e vegjël.
Ndërkohë, një botim shumë interesant vjen nga shtëpia botuese Dugagjini. Bëht fjalë për librin “Gres”, shkruar nga Gresa Rugova & Bardh Rugova, një libër që frymëzohet nga legjenda, sa nokturne, aq edhe romantike e “Besës së Kostandinit”. Libri sjell për fëmijët e një moshe më të rritur, një ritregim të freskët dhe epik.
Letërsia për fëmijë ka një traditë të spikatur. Shumë prej veprave i kanë qëndruar kohës dhe mbeten po aq të këndshme edhe sot për lexuesit e vegjël. Seria e Çufos së Gaqo Bushakës, “Tregime të moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit, por edhe vepra të tjera të autorëve si Petro Marko, Dionis Bubani, Bedri Dedja, Tahsim Gjokutaj, e kanë lexuesin e tyre besnik edhe sot. Lexuesit e vegjën i duan edhe librat e Petro Markos, si: “Shpella dhe piratëve” dhe “Fantazma dhe plani 3 + 4”.
Ndërkohë shkrimtarja për fëmijë Adelina Mamaqi vazhdon krijimtarinë e saj për lexuesit e vegjël, thuajse pa ndërprerje. Ndonëse vepra e saj është e hedhur në qarkullim përmes botuesve të ndryshëm, sërish ajo ka ç’tju tregojë vogëlushëve. Ndër autorët e spikatur të letërsisë për fëmijë janë edhe Shkëlzen Zalli, Xhahid Bushati dhe Viktor Canosinaj. Ndërkohë që sot mund ta konsiderojmë fat, që autorë si, Natasha Shuteriqi, Rovena Rrozhani, Edi Gogu, etj., po e ndjekin këtë traditë të bukur të letërsisë për fëmijë dhe kanë krijuar tashmë lexuesin e tyre. Panairi i këtij viti e dëshmoi më së mirë këtë prirje të re të vazhdimësisë.
Neritana Kraja a