Xhon Jesku ( (Foto nga instagrami)
Më 23 Nëntor u mbajt në sallën e koncerteve “Tonin Harapi”, të Liceut Artistik Jordan Misja, koncerti recital i tenorit të ri Xhon Jesku i titulluar “Tenorët Pop Classic”, i cili erdhi nën kujdesin e udhëheqëses Artistike, Suzana Turku (Mjeshtër i Madh). Me një repertor të zgjedhur dhe në shoqërinë e kolegëve të tij, artistë të rinj premtues, interpretuan këngë të njohura botërore si; “Away” , “Never Enough”, “Quizas, Quizas, Quizas”, “Adagio”, etj, të interpretuara nga Xhon Jesku dhe miqtë e tij, Geral Murrja, Diego Zelka, Anduel Kovaçi, Mario Dorre, Marina Kurti, Anita Kerhani, me pjesëmarrjen e pianistes Kledia Toshi dhe këngëtares Rea Nuhu.
Foto nga koncerti Tenorët Pop Classik (Foto CMG)
Këngët erdhën të orkestruara nga Jusiald Xhani, dhe të shoqëruara live nga banda muzikore e djemve, Roni Gjura, Emiljan Dhimo, Gent Shahini dhe Arbër Cerri. Tenori i ri Xhon Jesku është një artist i talentuar të cilin e pret një rrugë e gjatë dhe e suksesshme përpara. Ai ka lindur në qytetin e Pogradecit, ku ka marë pjesë në shumë aktivitete që fëmijë, duke u vlerësuar me çmime që në moshën 12 vjeçare. Ai është përzgjedhur dy herë si back vocalist për të shoqëruar përfaqësuesin e Shqipërisë në Eurovizion. Xhoni ka qenë dy herë përfaqësues i Shqipërisë në “International Festival of Language and Culture”. Ai ka mbaruar studimet e larta në degën e kantos, si dhe ka qenë pjesëtar i kastit të operas “Il Trovatore” në TKOB, etj. Xhoni ka disa pjesëmarrje në Festivalin “Kënga Magjike” dhe shumë aktivitete të ndryshme sa i përket zhanrit operistik. Tenori Xhon Jesku përveç interpretimit bashkë me kolegët e tij të koncertit “Tenorët Pop Classic” arriti edhe të moderonte në mënyrë perfekte të gjithë koncertin prej 60 minutash.
Përgatiti: Sava Lena