Ekspertët: Inflacioni i lartë do të ndikojë në rritjen e varfërisë
2022-11-28 14:27:24

Rritja drastike e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve ka detyruar Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që të rrisë për herë të pestë brenda një viti normën bazë të interesit. Kjo lëvizje për ekspertët vlerësohet si e duhur dhe në linjë me Bankën Qëndrore Europiane.

Prof. Selami Xhepa (Foto: UET)

Në një intervistë për mediat, ekpserti i ekonomisë dhe financave Selami Xhepa thotë se gjithësesi sfidat mbeten të shumta.

“Mendoj që qëndrimet e Bankës së Shqipërisë deri tani kanë qenë më të ngjashmet dhe një lloj imitimi i politikave të kujdesshme që ka ndjekur dhe Banka Qendrore Europiane, në dallim nga vendimet shumë më të forta dhe më të shpeshta që ka marrë nga Shtetet e Bashkuara. Në këtë kuptim politika monetare në Shqipëri vazhdon akoma të karakterizohet në gjykimin tim dhe besoj dhe të studimeve është akoma akomoduese, pra normat e interesit vazhdojnë të konsiderohet të ulëta, çka do të thotë se hapësira për rritjen e mëtejshme të tyre ekizston dhe duhet të realizohet në mënyrë që të mbajmë nën kontroll fenomenin e rritjes shpërthyese të çmimeve, që ka karakterizuar ekonominë për më shumë se 1 vit aktualisht. Kështu që pavarësisht se Banka Qendrore po përpiqet të jetë e kujdesshme për të mos goditur fort dhe për të mos dhënë efekte të forta negative sidomos kur bëhet fjalë për borxhin e qeverisë që edhe tashmë është mjaft i lartë dhe nga ana tjetër për të mos rrezikuar edhe rritjen e  sistemit tonë financiar mendoj që kjo lloj maturie do të ketë si kosto që inflacioni do të vazhdojë. Kështu që dilemat janë të mëdha dhe zgjidhjet janë shumë të vështira, ose duhet të realizojmë një rritje më të fortë të normës së interesit për ta frenuar sa më shpejt inflacionin ose do të vazhdojmë një periudhë të rritjeve të  ngadalta të ulëta, me shkallë të ulët dhe për pasojë ndoshta do të ndihmojmë që ekonomia të jetë ndoshta pak sa më mirë dhe në përgjithësi borxhi publik i qeverisë, ama inflacioni do të vazhdojë që të mbetët prezent në ekonomi.”- thotë presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, prof Selami Xhepa.

Shqipëria është prekur këtë herë nga rritja e çmimeve si shumë vende të botës.

“Fenomeni i rritjes së çmimeve ka qenë shqetësimi numër një të paktën mendoj që nga vitet ’90. Në tranzicionin e Shqipërisë asnjëherë në nuk jemi përballur me një fenomen të rritjes së çmimeve dhe ndoshta dhe në vitin 2007 kur patëm një krizë globale të ushqimeve, Shqipëria nuk ishte një nga vendet që u ekspozua kaq fort, por ajo që kemi parë është që prej gati 2 vitesh tashmë, çmimet e produkteve kritike dhe kur flasim për çmimet e shportës, rritja ka qenë shumë më tepër se niveli i përgjithshëm i inflacionit gati 8%, sepse rritja ka qenë 15 ndoshta dhe deri në 18%.”, thekson eksperti Xhepa

 Por kjo situatë me inflacionin rrit pasiguritë dhe frikën e rritjes së personave që futen në varfëri, sipas njohësve të ekonomisë.

“Edhe me qenë se shqiptarët në përgjithësi  shpenzojnë një pjesë të rëndësishme të të ardhurave në këto produkte, duhet të kuptojë që dhe barra e rritjes së çmimeve është shumë më e fortë sesa thjesht indikatori i përgjithshëm i inflacionit. Po qe se do të shikojmë efektet sociale që ka patur kjo, tashmë dhe studimet e para kanë filluar të dalin që varfëria po rritet shumë. Vlerësimet janë që për shkak të rritjes së inflacionit ndoshta gati deri 90% të popullatës mund t’i bashkohet pjesës së popullsisë në varfëri që jeton në kushtet e varfërisë, dhe jo vetëm kaq, sepse duke qenë një taksë disproporcionale që godet gjithmonë ata që janë me të ardhura më të ulëta, jo vetëm që ndikon në varfëri, por njëkohësisht e hollon edhe më shumë shtresën e mesme të shoqërisë. Bëhet fjalë për ata që kanë të ardhura relativisht më të mira dhe paguajnë një faturë akoma më të lartë, sepse kjo është klasë që shpenzon më shumë për transportin dhe për pasojë goditet më shumë akoma nga burimet e energjisë në rastin konkret nga nafta. Në dimensionin e vet social mendoj që jo vetëm ka probleme me varfërinë, por edhe me shtresën e mesme të shoqërisë, pasuria e së cilës do të hollohet dhe më shumë për shkak se njerëzit janë të detyruar që ta përballojnë këtë situate, duke përdorur kursimet. Efektet e saj janë jo vetëm sot por do të ndihen shumë dhe vitet e ardhshme. “- shton eksperti.

Sipas Xhepës, e vetmja mënyrë  për ta adresuar inflacionin në afat të gjatë është që duhen bërë investime të mëdha në rritjen e ofertës në treg.

“Sigurisht që në periudha pasigurish është gjithmonë shumë e vështirë që të besh parashikime sepse pastaj qeshin me parashikimet tona zotat, kështu qe duhet të jemi pak të kujdesshëm, por mendoj që vlerësimet janë që për të paktën një periudhë 2 vjecare do të jemi të detyruar të jetojmë në një situatë të tillë. Sidoqoftë duhet te hapim një kllapë për te bërë një vrejtje në këtë rast që nëse lufta në Ukrainë mund të përfundojë më shpejt dhe për pasojë bota mund t’i rikthehet normalitetit, pra tregjet do të furnizohen me lëndët e para, produktet e energjisë do të shkojnë ne nivelet e tyre normale etj.  Nëse bota i rikthehet normalitetit në kuptimin gjeopolitik ashtu siç ishte para luftës, atëherë këto efekte mund të përthithen shumë më shpejt. Nga ana tjetër nëse kjo nuk ndodh duhet që mënyra e vetme për ta adresuar inflacionin në afat të gjatë është që duhen bërë investime të mëdha në rritjen e ofertës. Problemi kryesor është oferta, mungon nafta dhe çmimi rritet, mungojnë lëndët e para dhe çmimet e produkteve ushqimore rriten, kështu që mungesa e lëndëve të para dhe e produkteve të gatshme ne treg është faktori kryesor i rritjes së çmimeve. Mënyra e vetme për ta adresuar nuk janë thjesht politikat monetare.”, bën të ditur eksperti Xhepa

Nuk mjaftojnë vetëm politikat monetare për të zbutur efektin.

“Politikat monetare reduktojnë konsumin, por nuk zgjerojnë bazën prodhuese kështu që mënyra e vetme për ta adresuar në afatin e gjatë, prandaj them që të paktën do të ndodhë në dy apo dhe tre vite, duhet që vendet të investojnë per të zgjeruar kapacitetet prodhuese, si zgjerimin e prodhimit të naftës, zgjerimin e prodhimeve ushqimore dhe produkteve të tjera në mënyrë qe në afatin e gjatë të kemi mundësinë për të parë një botë me nivele më të ulëta të rritjes së çmimeve dhe të frenohet ky fenomen negativ.”- shprehet  eksperti Selami Xhepa.