Daniel Mezini, shqiptari që u mëson gjermanisht bashkëkombësve të tij
2022-11-28 14:16:14


Daniel Mezini ka lindur në Gjermani dhe jeton në qytetin e Mynihut. Që në moshë të vogël ai ka mësuar gjuhën shqipe dhe e flet shumë mirë. Prej disa vitesh Danieli u mëson gjermanisht përmes një platforme online, shqiptarëve dhe personave të tjerë nga vende të ndryshme, të cilët duan të shkojnë dhe punësohen në Gjermani. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për punën që bën si mësues i gjermanishtes, udhëtimet në vende të ndryshme si dhe lidhjet e tij me vendlindjen. 

CMG: Përshëndetje Daniel dhe të falenderoj për këtë intervistë në Radio Ejani.

Daniel Mezini: Përshëndetje dhe gëzohem shumë për këtë intervistë, ku do mundohem të flas sa më pastër shqip ngaqë flas më shumë gjermanisht dhe anglisht ndonjëherë dhe harroj disa fjalë, por do mundohem.

CMG: Ju Daniel keni lindur në Gjermani, por si arritët ta mësonit gjuhën shqipe atje?

Daniel Mezini: Unë kam lindur dhe jam rritur në Mynih të Gjermanisë dhe prindërit i kam nga Shqipëria, babai nga Durrësi dhe mami nga Tirana. Para 25 vitesh prindërit e mi kanë ardhur në Gjermani, ku edhe për ata në fillim ka qenë pak e vështirë gjuha dhe ne kemi folur vetëm shqip në fillim, por kur hyra në kopësht dhe më vonë në shkollë patjetër që kemi folur vetëm gjermanisht. Kur fillova të jepja vetë kurse për të mësuar gjermanisht, patjetër që edhe shqipja ime u përmirësua.  Unë bleva disa libra dhe zhvillova kurse idividuale me mësuese nga Shqipëria që edhe unë të përmirësoja gjuhën shqipe dhe ta flas saktë. Patjetër që dhe gjuha shqipe nuk është shumë e lehtë.

CMG: Cila nga gjuhët të është dukur më e vështirë për ta mësuar, shqipja apo gjermanishtja?

Daniel Mezini: Për mendimin tim gjuha shqipe është më e vështirë sepse nuk ka shumë ngjashmëri me gjuhët e tjera, por dhe gjermanishtja është e vështirë, por ka disa fjalë që gjenden në anglisht. Kurse gjuha shqipe është shumë e veçantë mendoj unë.

CMG: Në Gjermani ju keni krijuar një kompani tuajën ku jepni mësime në gjuhën gjermane. Flasim për këtë platformë online që ju keni krijuar.

Daniel Mezini: Para dy vitesh unë kam filluar të jap mësime individuale  nëpërmjet platformave të ndryshme që ekzistojnë online. Kur filloi pandemia kishte shumë platforma që ofronin mësimdhënien ku ti mund të japësh vetë mësim. Unë u regjistrova në këto platforma ngaqë dija vetë gjermanisht dhe më erdhi rasti të kisha një shqiptar si nxënës. Kishte gjithmonë persona nga Spanja apo Franca, por kisha në atë rast një shqiptar të cilin e kam ndihmuar shumë që dhe ai të gjejë një punë në Gjermani, pra kisha shumë kontribut në jetën e tij. Aty kuptova sesa shqiptarë apo sa persona ka që kanë dëshirë të mësojnë gjuhën gjermane. Pastaj hap pas hapi u zgjerua si punë duke postuar video të ndryshme në kanalin YouTube, ku mora shumë reagime pozitive nga persona nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Kështu kjo gjë mori ritmin e duhur, duke u përhapur dhe bërë më e madhe dhe tani jemi një kompani.

CMG: Si ka ecur deri tani kjo platformë që ju krijuat gjatë pandemisë dhe a ka shumë kërkesa për të mësuar gjermanishten?

Daniel Mezini: Ka shumë kërkesa ngaqë dhe në Gjermani ka shumë mundësi për punë, ka shumë spitale, kompani që kërkojnë shumë punëtorë. Pra ka ndryshuar pak ekonomia ku po kërkohen shumë punëtorë, dhe ka shumë vende ku ka shumë njerëz që janë shumë të aftë dhe që kanë studiuar në vendet si Shqipëria, Maqedonia e Veriut ose Greqia, por që nuk ka shumë mundësi ekonomike apo aq shumë kompani që ofrojnë punë. Ngaqë Gjermania i ka këto gjëra dhe shumë njerëz vendosin që të shkojnë për të jetuar në Gjermani, patjetër që kur shkon atje për të ardhmen duhet dhe gjuha sepse sa më mirë të flasësh gjuhën aq më shumë dyer të hapen në Gjermnai.

CMG: Cilat nivele të gjuhës gjermane ofroni ju me këtë platformë për kursantët?

Daniel Mezini: Ne ofrojmë çdo nivel të gjuhës, nga niveli fillestar A1 dhe deri në nivelin e avancuar C1 sepse kemi grupe që kanë dëshirë të studiojnë në Gjermani, dhe aty të duhet patjetër niveli minimum B1 që është shumë i avancuar. Ka pastaj dhe grupe që duhet të bëjnë një profesion, pra ka shumë profesione në Gjermani ku duhet të kesh një nivel të caktuar. Ka dhe raste që nuk duhet gjuha nëse punon në ndërtim, duhet vetëm niveli fillestar, por pas pesë vitesh duhet dhe në Gjermani një nivel B1 i avancuar në mënyrë që të vazhdosh dhe dokumentat atje për të marrë leje qëndrimin.

CMG: Jeni i kënaqur me këtë punë që bëni në Gjermnai?

Daniel Mezini: Jam shumë i kënaqur sepse çdo ditë zgjohem dhe lexoj gjithmonë komentet të cilat janë shumë pozitive dhe kjo më jep akoma më shumë energji ose më shumë motivim që edhe unë të ulem çdo ditë të prodhoj video dhe përmbajtje për njerëzit. Nganjëherë nuk e kuptoj dhe vetë sepse unë jam në dhomën time ose në zyrën time duke punuar, por gjithmonë kur lexoj më jep shumë energji nga reagimet e njerëzve që kanë gjetur një punë ose diçka është përmirësuar në jetën e tyre dhe kjo është shumë gjë e bukur.

CMG: Keni ardhur shpesh për vizitë në Shqipëri, ju pëlqen Durrësi dhe Tirana?

Daniel Mezini: Unë vij shumë shpesh në Shqipëri ngaqë kam dhe pjesën e madhe të familjes në Shqipëri. Atje kam nënën, tezet dhe pothuajse kam gjithë familjen në Shqipëri. Gjithashtu për shkak të kësaj pune së bashku me kompani të tjera në Gjermani që merren me call center, pothuajse 3-4 muaj në vit jam në Tiranë. Gjithashtu kam dhe familjen në Durrës sepse babai im është nga Durrësi. Shqipëria më pëlqen shumë dhe ka shumë potencial, por studentët dhe njerëzit duhet të rrinë në Shqipëri ose të kthehen dhe të bëjnë diçka në Shqipëri sepse do të ketë shumë potencial si vend.

CMG: Në Gjermani keni miqësi vetëm me shqiptarë apo dhe të kombësive të tjera që jetojnë atje?

Daniel Mezini: Unë nuk kam aq shumë shoqëri të madhe, kam dy-tre shokë dhe vëllain im, por njoh shumë veta sepse këtu ka njerëz nga çdo vend. Nuk merrem vetëm me persona nga Shqipëria edhe pse ajo është pjesa më e madhe, por gjithashtu nga Italia, Afrika dhe nga çdo vend tjetër.

CMG: Ju pëlqejnë udhëtimet në vende të tjera dhe ku keni udhëtuar?

Daniel Mezini: Udhëtimet më pëlqejnë shumë, tani jo më aq shumë sepse dua të fokusohem në punë dhe kur udhëton është pak vështirë të ulesh dhe të kesh një ditë të rregullt. Përpara kam udhëtuar shumë. Kam qenë në Azi, në Tajlandë por dhe në Kinë. Kam studiuar 8 muaj në Argjentinë dhe kam qenë 1 vit në Grand Canaria, i cili është një ishull që i përket Spanjës.

CMG: Si ishte si eksperiencë vizita juaj në Kinë dhe përshtypjet tuaja për këtë vend?

Daniel Mezini: Përshtypjet e mia për Kinën janë shumë pozitive për aq sa kam parë sepse unë kam bërë një praktikë në një kompani atje. Kina po ecën shumë shpejt në çdo fushë dhe nëse sheh një ndërtim në Kinë që tashmë ka filluar, pas disa ditësh ka mbaruar ai ndërtim. Pra ka aq shumë njerëz e punëtorë dhe gjërat mbarojnë shumë shpejt atje.

CMG: Cili do të ishte mesazhi juaj për brezin e ri?

Daniel Mezini: Unë jam vetë shumë i ri 27 vjeç dhe besoj se në këtë moshë nuk kupton gjithçka në jetë, por një mesazh që më ndihmon mua është të provosh sa më shumë gjëra, të punosh sa më shumë dhe gjithashtu të gjesh një mënyrë për të ndihmuar njerëzit e tjerë.

Intervistoi: Gazmend Agaj