Foto nga VCG
Nga "pronarja digjitale" te folësja e AI-së, nga pajisjet e vogla te produktet e energjisë së re, nga eksporti i mallrave te shërbimet e zinxhirit të furnizimit, në tregun e Yiwu-së, të njohur si "supermarketi botëror", janë shfaqur njëri pas tjetrit formate dhe modele të reja. Nga data 24 deri më 27 nëntor, në Yiwu të Zhejiang-ut u zhvillua Panairi i 28-të Ndërkombëtar i Mallrave të Vogla (Standard) të Kinës, me temë "Pikënisja e re, tregu i ri, zhvillimi i ri". Këtu, fushat e reja të "Made in China" u mblodhën së bashku dhe mijëra produkte tërhoqën vëmendjen e tregtarëve globalë.
"Përshëndetje të gjithëve, unë jam pronarja Yiwu." "Pronarja digjitale", e veshur me një fustan karakteristik qipao blu, përshëndet ngrohtësisht tregtarët në panairin e Yiwu-së, duke bërë të ndihen plotësisht ndryshimet në mënyrën dhe formatin e funksionimit të tregut.
Panairi i Yiwu-së është mbajtur 28 herë deri më tani, dhe Yiwu është zhvilluar gjithashtu nga një "treg rruge" 40 vjet më parë në një "supermarket botëror" që grumbullon 2.1 milionë mallra nga e gjithë bota. Ajo që e bën Panairin e Yiwu-së aq të njohur në botë është forca e madhe e prodhimit kinez, promovimi i vazhdueshëm i hapjes dhe shërbimet e përshtatshme e të besueshme të zinxhirit të furnizimit.
Foto nga VCG
Nën ndikimin e epidemisë, tregu i Yiwu-së po eksploron dhe krijon në mënyrë aktive një sistem zinxhiri furnizimi që përshtatet me modelin e ri të tregtisë. Për këtë arsye, në Panairin e Yiwu-së të këtij viti ishte ngritur rishtazi një zonë ekspozimi e zinxhirit të furnizimit.
"Na duhen vetëm 13 ditë nga nisja e mallrave deri në marrjen e tyre prej konsumatorëve amerikanë, gjë që është shumë më e shpejtë se transporti tradicional detar," u shpreh Cheng Shenglin, menaxher i përgjithshëm i Kompanisë së Logjistikës Ndërkombëtare “Yinghe” të Zhejiang-ut. Ai prezantoi që sistemi digjital i logjistikës cloud, i zhvilluar në mënyrë të pavarur nga kjo kompani, ka realizuar digjitalizimin dhe vizualizimin e të gjithë procesit, që nga porosia e klientit deri te marrja e mallit. Duke synuar tregun ndërkufitar të tregtisë elektronike, mënyra tradicionale e transportit "nga porti në port" është përmirësuar në një shërbim me një ndalesë "derë më derë". Në vitin 2021, Kompania e Logjistikës Ndërkombëtare “Yinghe” e Zhejiang-ut do t’u shërbejë më shumë se 10 000 shitësve të tregtisë elektronike ndërkufitare, duke sjellë një vëllim tregtar prej mbi 1.3 miliardë dollarësh.
Kompania e Menaxhimit të Zinxhirit të Furnizimit “Tony” e Zhejiang-ut ka eksploruar thellësisht tregun indian dhe ka zhvilluar markën "Tony Line". "Dikur ishim një kompani logjistike, por tani jemi më shumë si projektues të logjistikës së shumëllojshme midis Kinës dhe Indisë," tha Du Yuegang, menaxheri i kompanisë. Sipas tij, Kompania e Menaxhimit të Zinxhirit të Furnizimit “Tony” e Zhejiang-ut ka vendosur më shumë se 10 000 metra katrorë magazina cloud në Yiwu, të cilat mund të dërgojnë mallra për shitësit dhe të ofrojnë transport detar e transport ajror dhe zhdoganim të dyfishtë, si edhe shërbime të tjera për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe mikrondërmarrjet të depërtojnë nëpër pikat e bllokuara të logjistikës. Aktualisht ajo mbulon 95 % të kompanive indiane që blejnë në Yiwu.
Foto nga VCG
Më 25 nëntor filloi zyrtarisht ndërtimi i tregut të brezit të gjashtë të Yiwu-së, i cili do të pozicionohet si një qendër tregtare globale digjitale. Tregu do të integrojë epërsitë e teknologjisë digjitale për t'u ofruar tregtarëve shërbime të gjithanshme si zinxhiri i furnizimit, zinxhiri i kapitalit, logjistika dhe magazinimi. Wang Jian, sekretar i Komitetit të Partisë të Yiwu-së, tha: "Reforma e tregtisë digjitale është ndryshorja më e madh në Yiwu aktualisht, dhe është gjithashtu rritësi më e madh i inovacionit dhe zhvillimit të tregut”.
"Supermarketi botëror", Tregu i Yiwu-së, është “erëtreguesi” i tregtisë globale, gjë që mund të shihet nga zona e re e ekspozitës tematike të energjisë së re, e ngritur për herë të parë në Panairin e Yiwu-së. Në këtë panair morën pjesë shumë kompani kryesore fotovoltaike vendase, dhe disa kompani të energjisë së re që janë vendosur rishtazi në Yiwu gjithashtu bënë një paraqitje të përqendruar këtu.
"Produktet fotovoltaike kanë një treg të madh në Senegal, ku ka shumë rreze dielli, çka është e përshtatshme për zhvillimin e prodhimit të energjisë fotovoltaike." Përpara stendës së Kompanisë së Teknologjisë Diellore JA, një prodhuese e paneleve diellore, biznesmeni senegalez Muhammadou po flet me ekspozuesit me shumë interes. Sipas Han Qing, drejtori i Shitjeve për Rajonin e Kinës Lindore të Kompanisë së Teknologjisë Diellore JA, panelet diellore me cilësi të lartë kërkohen shumë jashtë shtetit.
"Panairi i Yiwu-së është një platformë për kompaninë për të gjetur klientë të rinj dhe për të kërkuar zhvillim të ri." Zhu Weiqin, kreu i departamentit të tregtisë së jashtme të Kompanisë së Teknologjisë Fotovoltaike “Gaojing” të Hebei-t, thotë se kjo kompani, e tërhequr nga qendra e industrisë fotovoltaike në Yiwu, ka krijuar një zyrë në Yiwu në qershor të këtij viti.
Vitet e fundit, qyteti Yiwu është kthyer në mënyrë aktive në një qendër të industrisë fotovoltaike dhe ka formuar një zinxhir industrial relativisht të plotë. Sipas të dhënave të doganave të Yiwu-së, në 10 muajt e parë të këtij viti, Yiwu eksportoi panale diellore me vlerë 26.31 miliardë juanë, një rritje prej 247.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vjetshme.