Xhuli Pjetraj, fituese e çmimit të tretë në Festivalin “Luleborë”
2022-11-28 18:31:44


Këngëtarja Xhuli Pjetraj e ka nisur muzikën që në moshën 5 vjeçare dhe sot numëron rreth 22 vite që interpreton në skena. Xhuli këndon në  rryma të ndryshme të muzikës shqiptare dhe asaj të huaj. Edhe pse e re në moshë, në karrierën e saj artistike, ajo numëron pjesëmarrje në festivale të ndryshme në Shqipëri si, Festivali i Rtsh-së ku një vit më parë mori pjesë me këngën “Baladë”, “Kënga Magjike 2022” ku këtë vit konkuroi me këngën “Digju me mua”, si dhe gjashtë pjesëmarrje rresht në Festivalin që mbahet në qytetin e Shkodrës “Loleborë”.  Në edicionin e shtatë të këtij viti, në një duet me këngëtarin Eldis Arrnjeti fituan çmimi e tretë të festivalit me këngën “Nuk ban za”. 

Këngëtarja Xhuli Pjetraj është rritur me skenën dhe që e vogël ka qenë finaliste në “X Factor Albania 3” në vitin 2012, pjesëmarrëse në “Bilbilat e vegjël në Shkodër këndojnë”, në “Festivalin Folklorik të Gjirokastrës” në vitet 2009 dhe 2015, pjesëmarrëse çdo vit në “Pranverë me Kangë”, “Koncertet Verore”, në “Festivalin e Elbasanit”, ku është shpallur fituese e çmimit të “Interpretimi më i mire” (duet) në vitin 2015 dhe fituese e çmimit tё parё nё vitin 2016, etj. Xhuli kohët e fundit është bërë pjesë e bandës muzikore të këngëtares Aurela Gaçe.

Për rrugëtimin e saj artistik, këngëtarja e re Xhuli Pjetraj flet në Grupin Mediatik të Kinës.

Xhuli Pjetraj (Foto Instagrami)

Xhuli Pjetraj (Foto Instagrami)

CMG: Ti ke një jetë që udhëton me muzikën, por si lindi dashuria për muzikën tek ty?

Xhuli Pjetraj: Ka nisur prej familjes sime sepse të dy prindërit i kam artistë, pavarësisht se mami nuk ka mundur ta vazhdojë. Babai im është violinist, kitarist, ka kënduar dhe që nga momenti që  lindi motra ime e madhe, ne fëmijët kemi qenë nën vëzhgimin e babait sepse secili prej nesh ka pasur talent. Kështu që kam edhe vëllain dhe motrën, të cilët merren  me muzikë.

CMG: Po ti luan në ndonjë instrument?

Xhuli Pjetraj: Ndryshe nga familjarët e mi  unë nuk luaj në instrument, nuk doja të shpërqëndrohesha meqënëse kam studiuar paralelisht u përqendrova vetëm tek kënga.

CMG: Po motra dhe vëllai për çfarë studiuan? 

Xhuli Pjetraj: Motra ka studiuar për muzikë dhe fizarmonikë, ndërsa vëllai thjesht është marr me interpretime “live” si unë.

CMG: Të kujtohet kënga e parë që ke interpretuar dhe ku ka qenë?

Xhuli Pjetraj: Kënga e parë që kam kënduar dhe që më ka dëgjuar babai im ka qenë në shtëpi. Pasi më dëgjoi babai e mori  seriozisht këtë gjë. Kam kënduar  në kopësht, shkollë, në koncerte  të ndryshme. 

Eldis Arrnjeti & Xhuli Pjetraj pas fitores  së çmimit të tretë në Festivalin Luleborë (Foto nga Instagrami)

Eldis Arrnjeti & Xhuli Pjetraj pas fitores  së çmimit të tretë në Festivalin Luleborë (Foto nga Instagrami)

CMG: Ke marr mësime private me mësues muzike?

Xhuli Pjetraj: Po, pas moshës 14 vjeçare., më herët jo sepse kam marr formimin e përgjithshëm, duke qenë shumë ambicioze në shkollë për të arritur rezultate të larta, kështu që pas asaj moshe jam marrë me të dyja njëkohësisht, mësimet dhe muzikën.

CMG: Ti je një vajzë shkodrane dhe interpreton shumë bukur këngët qytetare shkodrane, por tek cila rrymë muzikore e gjen më tepër veten?  

Xhuli Pjetraj: Duke qenë se kam 10 vite që po merrem me muzikën live,  kam kënduar në të gjitha rrymat, patjetër që edhe me muzikën qytetare shkodrane se atë e kam dëgjuar në shtëpi dhe e kam akoma më të lehtë. Tek muzika Pop, R&B ndihem më mirë, por mundohem që t’ju përshtatem të gjithave.


CMG: Ti tashmë konkurove këtë vit në Festivalin “Kënga Magjike”. Na trego si lindi ideja e kësaj pjesëmarrjeje?

Xhuli Pjetraj: Në fakt momenti për të marr pjesë ka qenë që prej disa viteve, por kam nguruar që kur u bë ndarja e kategorive “New Artist” dhe “Big Artist” dhe mendoja se unë e kisha kaluar fazën e kompeticioneve të reja, por kaluan disa vite dhe mendova të mos e anashkaloja më.

CMG: Si u ndjeve në këtë konkurrim, ku në garë ka patur konkurrentë shumë të rinj me zë mjaft të bukur?   

Xhuli Pjetraj: Është konkurencë shumë e fortë sepse ka shumë këngë të bukura faktikisht. Unë jam munduar ta shijoj nga momenti i parë tek i fundit, momentin e përgatitjes së rrobave, këngës, etj.

CMG: Ishe ti qe zgjodhe kompozitorin, tekstshkruesin e këngës apo të zgjodhën ata ty?

Xhuli Pjetraj: Në fakt e kemi zgjedhur njëri-tjetrin. Ka vite që po bashkëpunoj me të dy autorët e këngës dhe për  këngën na ka ardhur frymëzimi në studio. Unë njihem me ta prej kohësh dhe jemi në bashkëpunim e sipër dhe për projekte të tjera.

Xhuli Pjetraj në Kënga Magjike  (Foto nga Instagrami)

Xhuli Pjetraj në Kënga Magjike  (Foto nga Instagrami)

CMG: Ti ke sjellë në festivalin “Kënga Magjike” këngën me titullin “Digju me mua”, çfarë emocionesh të sjell kjo këngë dhe nëse mundesh të na tregosh për fabulën e kësaj kënge. Çfarë ndjesie të jep ty dhe cilat kanë qenë komentet e publikut?

Xhuli Pjetraj: Në momentin e parë që e  kam dëgjuar vetëm muzikën sepse teksti nuk ishte realizuar ende, më ka çuar në dimension komplet tjetër nga çfarë kisha përjetuar me këngët e tjera. Është pak orient, pak greek style, prandaj jam paraqitur edhe me atë lloj veshje sepse kështu ka qenë imazhi im që në momentin e parë që kam dëgjuar këngën. Teksti i këngës  është realizuar nga Erjona Rushiti, të cilën e përshëndes. 

CMG: Ja ke kërkuar ti Erjonës pak a shumë diçka të tillë, apo e ke lënë të gjithë në dorën e saj?

Xhuli Pjetraj: E kam lënë në dorë të lirë. Teksti flet për dy të rinj që duhen aq shumë sa dashurinë e tyre e krahasojnë me dashurinë e kohëve të shkuara.

CMG: Po ti vetë si e krahason dashurinë  me kohët e sotme? 

Xhuli Pjetraj: Nga historitë që dëgjoj çdo ditë, çfarë të them… Dashuri që mbaron për 2-3 ditë, për një muaj, e njëjtë si këngët limonatë, që përsërisin  vetëm 2,3 fjalë dhe kaq.

CMG: Xhuli, ti përveçse ke marrë pjesë në festivalin e 60-të në RTSh, me një baladë, do të jesh më aktive në festival në vazhdim?

Xhuli Pjetraj: Ashtu është, nuk do t’i ndahem as publikut e as festivaleve. Balada ka ardhur një vit më parë se të merrja pjesë në festival dhe titulli i saj është “Baladë”. Deri tani ajo është kënga ime e zemrës, e ndjej shumë si këngë në tërësi, si tekstin, melodinë dhe jam 100% vetvetja, është komplet stili im, por do mundohem tani të eksperimentoj pak, të dal prej baladave. Kënga që mora pjesë tek “Kënga magjike” nuk është baladë, është etno-pop dhe më pas të shohim të rradhës.

Xhuli Pjetraj në Kënga Magjike (Foto nga Instagrami)

Xhuli Pjetraj në Kënga Magjike (Foto nga Instagrami)

CMG: Çfarë pret nga “Kënga Magjike”? 

Xhuli Pjetraj: Kënga deri tani ka ecur shumë mirë, ka patur shumë shikime dhe vlerësime të mira dhe doja që publiku ta shijojë edhe një herë në Pallatin e kongreseve, ta shijoj edhe unë gjithashtu performancën.

CMG: Çfarë të pret ty pas këtij festivali?

Xhuli Pjetraj: Projekte të reja, përsëri jam pranë publikut çdo fundjavë duke kënduar live dhe sigurisht nuk do të mungoj sepse kam munguar mjaftueshëm deri tani.

CMG: Ti ke vite që interpreton muzikën live, por na trego më tepër?

Xhuli Pjetraj: Po bëj rreth 10 vite që merrem me muzikën live, jam angazhuar që në Shkodër, në Tiranë kam munguar për shumë vite ndoshta duhej  të vija më herët, por asnjëherë nuk është vonë dhe po mundohem t’i realizoj ato synimet që kam pasur më përpara dhe mendoj se është momenti i duhur. Njëkohësisht po organizoj edhe jetën time këtu në Tiranë, po sistemohem edhe me punën time dhe të shohim sesi do të shkojë e gjitha kjo.

CMG: Mbetemi tek muzika live, ku ti interpreton prej disa kohësh edhe me bandën muzikore të artistes Aurela Gaçe. Si ndihesh aty dhe a je komode?

Xhuli Pjetraj duke performuar me Aurela Gaçen (Foto nga Instagrami)

Xhuli Pjetraj duke performuar me Aurela Gaçen (Foto nga Instagrami)

Xhuli Pjetraj: Ndihem shumë komode dhe i kam krahët e ngrohta. Aurela për mua është një artiste,  një nga influencerat më të rëndësishme dhe që i jep shumë mbështetje artistëve të rinj. Unë e kam pasur ëndërr të këndoja një këngë me Aurela Gaçen, e tani kam fatin e madh të këndoj me të çdo fundjavë dhe është një nisje shumë e mirë për mua. Realisht nuk e kam menduar kurrë që do të vinte ky moment dhe i jam shumë falenderuese Zotit dhe fatit për këtë mundësi.

CMG: Siç duket ëndrrat kanë filluar të bëhen realitet. Ëndrra të tjera që  ia ke vendosur synimin vetes cilat janë?

Xhuli Pjetraj: Këto nuk i them dot, sepse kam frikë se s’më plotësohen pastaj. (Qesh) Bëj shaka, kam synime ta shtrij karrierën time muzikore dhe të jem aktive shumë më tepër se sa kam qenë më përpara.

CMG: Ti nuk ke studiuar muzikë, por muzika ka ardhur si bashkëshoqëruese në jetën tënde dhe paralelisht me profesionin tënd ti këndon. Na trego se si arrin ti menaxhosh të dyja njëkohësisht?

Xhuli Pjetraj: Po bëj gati 3 vite që punoj në profesion ku jam ekonomiste, financiere. Është e vështirë t’i koordinosh të dyja sepse në momentin që jam në punë duhet të përkushtohem totalisht tek puna dhe pasi të shkëputem nga puna duhet të mendoj për muzikën live, për këngët e reja, për provat dhe kjo më konsumon shumë. Jam munduar të bëj një balancë të të dyjave dhe deri tani po shkon gjithçka shumë mirë.


CMG: Dashuria më e madhe nga të dyja?

Xhuli Pjetraj: Sigurisht që muzika, ajo është e lidhur me shpirtin.

CMG: A mendon se do të ndihmojë kjo për të menaxhuar mirë veten në fushën e artit?

Xhuli Pjetraj: Unë kam mbaruar për Menaxhim -Biznes dhe pse mos ta kthej muzikën në biznes dhe ta menaxhoj veten.

CMG: Ku e sheh veten pas 10 vjetësh?

Xhuli Pjetraj: Pas 10 vjetësh mendoj të kem krijuar emrin tim, këngët e mia  të identifikohem si Xhuli, që me 3 sekondat e para kur të nisi një këngë, të kem një club timin, bandën time që ta këndoj çdo javë për publikun.

Xhuli Pjetraj në intervistë për CMG

Xhuli Pjetraj në intervistë për CMG

CMG: Xhuli ti që e vogël ke marrë pjesë në shumë konkurse, je vlerësuar me çmime, Pas “Këngës Magjike” more pjesë në Festivalin “Luleborë”, ku së fundi u ndave edhe me çmimin e tretë. Si kanë qenë këto kompeticione për ty?

Xhuli Pjetraj: Kam marrë pjesë në shumë aktivitete dhe festivale që e vogël,  Po ato që janë vlerësuar me çmime janë, në vitin 2015 ku mora çmimin  “Interpretuesi  më i mirë” ku kam interpretuar këngën në duet, dhe në vitin 2016 u ndava me çmimin e  parë si këngëtarja më e mirë e festivalit, dhe ka . shënuar tek unë, pra ka lënë gjurmë. Si edhe çmimi i tretë në Festivalin “Luleborë” me një tjetër duet. 

CMG: Cili është synimi yt për të ardhmen? 

Xhuli Pjetraj: Për momentin këtu, gjithë vëmendjen time e kam tek këto projekte që kam në dorë dhe nuk dua të shpërqëndrohem sepse dua t’i bëj mirë gjithçka që kam nisur, më pas të shohim. Sigurisht që kam menduar edhe  për jashtë vendit, por pak më vonë.  

CMG: Ku do të të gjejë mbrëmja e ndërrimit të viteve?

Xhuli Pjetraj: Do të jem aty ku këndoj përherë, me këngëtaren  Aurela Gaçe.


Intervistoi: Sava Lena