Aranit Hoxha është tenor i njohur shqiptar dhe një nga zërat më të mirë të muzikës shqiptare. Ai e ka nisur rrugëtimin në muzikë që në moshë të vogël me këngën popullore, duke arritur të vlerësohet dhe me çmime. Prej disa vitesh është solist pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke marrë pjesë në koncete të ndryshme me këtë ansamblë. Gjithashtu ai është i pranishëm në çdo event muzikor dhe gëzim familjar brenda dhe jashtë vendit. Para pak kohësh ai është vlerësuar nga Federata Panshqiptare Vatra në New York me “Mirënjohja e artë”. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për fillimet e tij me muzikën popullore, koncertet e mbajtuara në Shqipëri dhe diasporë si dhe projektet muzikore në të ardhmen.
Aranit Hoxha duke interpretuar me kengetarin nga Gjakova Shkelzen Jetishi (Foto personale)
Aranit Hoxha gjate recitalit me tenorin Kastriot Tusha (Foto personale)
CMG: Falë talentit tuaj që kur studionit në liceun artistik dhe më pas në Akademinë e Arteve ju vijoni rrugëtimin artistik në TKOB dhe tashmë jeni në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Të dyja këto eksperienca artistike si kanë qenë për ju?
Aranit Hoxha: Unë kam pothuajse 12 vite që jam pjesë e TOB-së, duke filluar me fondin e rinisë në Opera sapo unë mbarova Akademinë e Arteve, pastaj kalova në ansambël. Të them të drejtën në ansambël më ka sugjeruar ish udhëheqësi artistik në atë kohë i AKVP, Sulejman Balza i cili më mori në një koncert dhe prej asaj dite unë nuk u largova më nga ansambli.
CMG: Besoj se dhe ju ishit i apasionuar pas këngës popullore shqiptare sepse e keni nisur që i vogël dhe keni ëndërruar të ishit pjesë e ansamblit?
Aranit Hoxha: Rrugëtimi im me këngën popullore është në moshë shumë të vogël ku dalja ime e parë ka qenë në zërat e rinj dhe kam qenë në klasën e katërt në shkollën “Siri Kodra”. Kënga ime e parë që kam kënduar në skenën e Teatrit të Operas ka qenë “O vjen behari çel qershia”, një këngë shumë e bukur shkodrane ku unë kam marrë çmimin e parë dhe prej asaj dite unë nuk ju ndava më këngës popullore.
Aranit Hoxha me kengetarin Gezim Nika (Foto personale)
Aranit Hoxha me kolege (Foto personale)
CMG: Këngën e parë që ke kënduar në skenë e mban mend ngaqë u vlerësove me çmimin e pare, apo të ka pëlqyer si këngë?
Aranit Hoxha: Sigurisht që ishte çmimi i parë, por e mbaj mend sepse kishte një episod shumë të bukur me poetin e madh Jorgo Papingji, i cili në atë kohë më pyeti në skenë se pse nuk ka bilbil me pika jeshile, dhe unë i thashë sepse juria ma bën me hile (qesh). Në atë moment qeshi gjithë salla dhe unë prandaj e kam këtë kujtim të bukur.
CMG: Aranit origjina juaj është nga Tropoja, një vend me tradita në folkun shqiptar, por që ju këndoni mjaft bukur jo vetëm këngët e veriut por dhe ato të Shqipërisë së mesme dhe jugut. Kjo vjen falë zërit tuaj prej tenori që i përshtatet këtyre trevave?
Aranit Hoxha: Origjina ime e largët është nga Gjakova, por unë kam lindur dhe jam rritur në Tropojë të vjetër dhe të gjithëve ju them se jam tropojan. Këtë gjë po e lidh për pjesën e muzikës, ku në familjen tonë im atë dhe më të mëdhenjtë e shtëpisë sonë këndonin gjithmonë këngët e vjetra, por në atë kohë i thonin këngë gjakovare. Në kohën e sotme ku këto nuk janë më këngë gjakovare, por janë këngë të qytetit më të bukur të luleve të Elbasanit, pra këngët e Isuf Myzyrit, Mustafa Bodinit, Muharrem Gurrës dhe të tjerë kompozitorëve që kanë lënë gjurmë që në moshën time të vogël, duke i kënduar dhe dëgjuar nga më të rriturit. Prandaj unë sot vazhdoj të këndoj këngë popullore që përfshijnë jo vetëm veriun, por fillon që nga Gjakova dhe deri në jug. Kjo është pjesa e muzikës që unë bëj.
CMG: Çfarë emocioni ndjen kur vesh kostumin dhe jelekun tradicional popullor?
Aranit Hoxha: Jelekun kur e kam veshur për herë të parë ka qenë i bukur sepse profesori Sulejman Balza më tha, “Aranit këtë jelek që po vesh ti është jeleku që e ka veshur i madhi Ibrahim Tukiçi. Dalja ime e parë me këtë jelek ka qenë në Kroaci me ansamblin kur kemi bërë koncertin tre tenorët, unë, Kastriot Tusha dhe një këngëtar tjetër, që sot jeton jashtë vendit. Ka qenë dalja ime e parë dhe unë mbaj mend në atë kohë në Kroaci, ku koncerti zhvillohej në një stadium dhe njerëzit ishin në këmbë duke kërcyer.
Aranit Hoxha ne interviste per CMG
Aranit Hoxha pas marrjes se dekorates nga Vatra (Foto personale)
CMG: Para pak kohësh ju bashkë me tenorin e njohur Kastriot Tusha keni dhënë një koncert recital, i cili u prit mjaft mirë nga publiku. Si erdhi ky bashkëpunim?
Aranit Hoxha: Profesor Kastrioti më thonte gjithmonë që të bënim një koncert që ta kishte në fonotekëne tij. Një ditë shkova në Akademinë e arteve dhe unë i tregova një inçizim. Ai sa dëgjoi inçizimin më tha se i pëlqente shumë dhe shkoi në TOB ku takoi drejtuesit, kështu vendosëm që të bënin recitalin. Falë mbështetjes që unë pata në Teatrin e Operas dhe drejtorisë së ansamblit popullor, stafit të orkestrantëve dhe djemve që ishin gjithmonë gati, bëmë një koncert vërtetë të shkëlqyer. Emblema e këtij koncerti ishte që të bashkonim Qamilin e vogël të zonës së Gjakovës, Mustafa Bodinin, Muharrem Gurrën dhe të madhin Isuf Myzyri që është një vlerë e çmuar e kombit tonë.
CMG: Ju keni qenë me ansamblin në shumë turne jashtë vendit, duke dhënë koncerte deri në SHBA. Si ju ka pritur publiku i diasporës gjatë këtyre koncerteve me ansamblin?
Aranit Hoxha: Eksperienca ime e parë në SHBA ka qenë shumë herët, kur kam vajtur me ansamblin popullor dhe atje e kam kuptuar më thellë emocionin i cili të përçonte shumë mall dhe dashuri për vendin tënd. Ne kemi dhënë shfaqje në çdo vend në Europë, por vërtetë emocion bio siç është dhe ky emision bio, ishte në SHBA ku kam një mbresë të jashtëzakonshme.
CMG: Jeni vlerësuar nga Federata Panshqiptare Vatra me çmimin “Mirënjohje e artë”, një vlerësim i veçantë që besoj e ruani nga kujtimet tuaja më të bukura.
Aranit Hoxha: Çdo artist ka nevojë për këto vlerësime dhe mirënjohjet të bëjnë të ndjehesh mirë. Kur erdhi ftesa që unë do të shkoja në New York për të marrë këtë titull nuk e besova dhe i pyeta se për çfarë do të vij unë në SHBA. Ata më thanë se do të merrja një dekoratë nga Federate Panshqiptare Vatra. Unë e dija se kush ishte Vatra sepse kisha dëgjuar për të, por emocioni që mua më pushtoi në moment ishte se Vatra kur është bërë shteti i parë shqiptar ka kontribuar dhe ka sjellë nga SHBA për herë të parë bandën frymore me 50 instrumentistë për të realizuar himnin shqiptar dhe ky ishte një emocion shumë i fortë për mua. Aty u nderova dhe i falenderoj të gjithë personat e atij komuniteti sepse është një komunitet që na bën të ndjehemi krenarë në SHBA dhe jo vetëm. U ndjeva shumë i lumtur dhe i vlerësuar, sepse mendoja me veten time që nuk e meritoj këtë dekoratë sepse unë jam shumë i ri dhe mund ta meritonte dikush tjetër përpara meje më shumë, por ata zotrinjtë e kanë menduar kështu dhe unë i falenderoj shumë që më nderuan.
CMG: Një rrugëtim i gjatë artisik që në moshë të vogël dhe deri sot. E mendoje në fillimet tuaja se do të arrije këtu ku je sot, që të vlerësohesh me çmime?
Aranit Hoxha: Në moshën kur e kam filluar unë muzikën në klasën e katërt, jo që nuk e mendoja por as nuk e perceptoja dot që unë do të kisha një të ardhme në muzikë. Thjesht ishte një fillim që unë dua të flenderoj një njeri i cili ma dha dorën në atë kohë, që ishte Luan Bakiu. Ai më mori nga shkolla dhe më tha hajde se ti paske zë dhe do të konkurosh në festivalin e fëmijëve, ku fitova çmimin e parë. Prej asaj dite unë nuk u ndala më, ku mora pjesë në disa festivale.
CMG: Keni bërë mësim dhe me tenorin e famshëm Gaqo Çako, që sot e kujtojmë me nderim të madh. Mendoni se keni qenë me fat që të merrni mësime muzike nga ky tenor i madh shqiptar?
Dekorata nga Federata Panshqiptare Vatra per tenorin Aranit Hoxha (Foto personale)
Aranit Hoxha: Nisja ime e parë me kanton ka qenë kontakti me profesor Gaqon. Unë isha shumë i vogël atëhere ku nuk kisha hyrë as në liceun artistik kur e takova. Gaqo Çako është një njeri shumë i madh dhe një vlerë e kombit tonë. Unë e takova për herë të parë dhe i thashë se kam ardhur të bëj mësim. Ai më pyeti se nga jam, dhe unë i thashë se jam nga Tropoja. Ai më tha shkojmë te pianoja sepse ju keni zëra shumë të bukur dhe unë nuk e harroj këtë moment.
CMG: Keni publikuar disa këngë popullore duke e ruajtur muzikën e mirëfilltë popullore. Flasim për krijimtarinë tuaj popullore dhe angazhimet në gëzimet familjare.
Aranit Hoxha: Që kur e kam filluar muzikën popullore, e kam filluar me muzikë të mirëfilltë shqiptare dhe për asnjë moment nuk ja kam lejuar vetes jo të devijoj, por qoftë dhe ta mendoj që të bëj një rrymë tjetër sepse unë aty jam pozicionuar. Mendoj që njeriu duhet të bëjë më mirë atë që di të bëjë mirë. Këngën popullore unë e njoh shumë mirë, punoj me të, jetoj më këtë muzikë ku unë nuk flas për një institucion siç është TOB apo ansambli i shtetit, por unë kam aktivitetin tim që shkoj në çdo shtëpi shqiptare nëpërmjet muzikës time dhe muzikës së mirëfilltë shqiptare. Unë shkoj nëpër dasma dhe në të gjitha gëzimet e njerëzve ku më kanë ftuar dhe jam i nderuar sepse njrëzit ndajnë ditën më të bukur të jetës me mua dhe me orkestrën time.
CMG: Me cilët këngëtarë të muzikës popullore keni bashkëpunuar në duete?
Aranit Hoxha: Unë kam pasur disa bashkëpunime ku kam bërë një duet me këngëtaren e madhe Shkurte Fejza, me këngëtaren tonë të mrekullueshme Valbona Halili, me artisten e madhe Fatmira Breçani. Gjithashtu kam bashkëpunuar me këngëtaren Juliana Pasha, me Shkëlzen Jetishin dhe këngëtarë të tjerë të Kosovës. Gjithmonë kam qenë shumë selektiv tek pjesa e bashkëpunimeve, jo sepse unë jam shumë problematik në bashkëpunim, thjesht është pjesa e çensurës te muzika sepse unë jam shumë fanatik tek muzika jonë popullore shqiptare e pastër.
CMG: Me cilët kompozitorë keni bëshkëpunuar për realizimin e këngëve?
Aranit Hoxha: Pjesa e këngëve shqiptare që unë i trashëgoj dhe i këndoj sot në ansambël janë këngë popullore të mjeshtrave të mëdhenj, duke filluar nga Palok Kurti, Çesk Zadeja deri te kompozitori më i ri që kemi Edi Balili, i cili po bën një muzikë shumë të bukur shqiptare për të cilën jam shumë krenar që po e ruan dhe deri te kompozitori më i fundit që është djali im Nearti, i cili ka filluar të shkruajë për mua.
CMG: Djali juaj Neart ka kompozuar një këngë për ju. Na tregoni për historinë e kësaj kënge?
Aranit Hoxha: Historia është shumë e bukur.Unë bashkë me shokët e orkestrës sime bëjmë prova zakonisht dhe Nearti dhe Bjorni i ndjekin të gjitha provat e mia, por Bjorni është më i vogël dhe më këmbëngulës, kurse Nearti është gjithmonë mbas meje. Unë në fakt nuk e dija, por më thonë shokët e grupit që do shkojmë të bëjmë prova, ku dëgjoj këtë këngën e cila më pëlqeu shumë dhe i pyeta se si është puna. Ata më thanë se kompozitori i këngës është Nearti. Unë jam shumë i lumtur faktikisht sepse ai po punon shumë dhe po bën disa këngë, dhe investimi im është që një ditë të kem një studio të mirë për djemtë e mi, të cilët e duan shumë këtë punë.
CMG: Këngëtari i mirënjohur i muzikës popullore Gëzim Nika gjithmonë e ka thënë publikisht vlerësimin e tij për ju si zëri më i mirë i muzikës shqiptare, por që akoma nuk keni bërë ndonjë këngë së bashku. Do të kemi ndonjë surprizë së shpejti?
Tenori Aranit Hoxha (Foto personale)
Aranit Hoxha: Gëzim Nika nuk është vetëm miku im, por është miku i të gjithë shqiptarëve dhe unë jam me fat që e kam mik. Tropoja e ka xhevahir të çmuar, ku fillon me Fatime Sokoli, Fatmira Breçani, Gëzim Nika, po vjen Araniti, por ka dhe disa artistë të tjerë shumë të mirë. Të them të drejtën nuk ka ardhur akoma momenti, por ne e kemi menduar me Gezimin. Kemi bërë bashkë mbrëmje, festa, dhe me ansamblin kemi kënduar bashkë. Po e mendojmë se ka ardhur momenti që të bëjmë një bashkëpunim, por problem është se ne duhet të gjejmë diçka që vërtetë të kënaqen të gjithë ata që na duan dhe na njohin.
CMG: Jemi në prag të festave të nëntorit dhe shumë afër festave të fundvitit. Cilat janë planet tuaja për këto festa?
Aranit Hoxha: Me ansamblin për festat kombëtare gjithmonë jemi të angazhuar, ose jemi në Vlorë për festën e Flamurit ose jemi në një trevë shqipfolëse qoftë në Maqedoninë e Veriut, Kosovë apo Mali i Zi. Aty ku ka shqiptarë ansambli është prezent për festë shqiptare.
CMG: Së fundi një mesazh për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.
Aranit Hoxha: Unë ju them të gjithë atyre që më njohin dhe ndjekin muzikën time që të vazhdoni të ndiqni muzikë të bukur shqiptare, duajeni fort këngën popullore dhe vazhdoni të bëni gëzime sa më shumë me muzikën tonë sepse është muzika më e bukur në botë.
Intervistoi: Gazmend Agaj