Është ribotuar pas 40 vjetësh libri "Një udhëtim i rrezikshëm" me autor Bedri Dedjen, i cilësuar si “Libri më i mirë për fëmijë i vitit 2000” nga organizata ndërkombëtare IBBI, me qendër në Bazel të Zvicrës.
“Libri i Bedri Dedjes ka qenë për fëmijët e asaj kohe që dinin të lexonin, libri më i preferuar e më i jashtëzakonshëm i lexuesve-personazhe-fëmijë, që i gjeje në çdo lagje të Tiranës e nuk di, ndofta dhe kudo në Shqipëri… Bedri Dedja, ishte për ne shkrimtari më i madh i kohrave e vepra e tij një habi se si kish mundur t’i njihte e skaliste aq bukur heronjtë-kalamaj. Dikush na tha më vonë, se model patën qenë kalamajt e pallatit ku banonte prof. Bedriu. Domethënë kalamajtë si të gjithë ne” thotë dr.Ylli Pango.
Ndërsa vajza e shkrimtarit, Edlira Dedja është shprehur se ky libër dhe shume të tjerë kanë një forcë të jashtëzakonshme në forcimin e dijes për fëmijët.
Kontributi i tij është i shumëfishtë si akademik dhe profesor në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë, një personalitet shumëplanësh në krijimtarinë letrare shqiptare për të vegjlit dhe atë shkencore për të rriturit: poet e prozator, përrallëtar e dramaturg, tregimtar e publicist, novelist e romancier, përkthyes, gazetar e kritik, studiues i psikologjisë.
Për merita të veçanta shkrimtari Bedri Dedja është fitues i shumë çmimeve letrare, “Qytetar Nderi” i Beratit, mbajtës i “Çmimit të Republikës”, “Urdhrit Naim Frashëri” dhe titullit “Mjeshtër i Madh”, Bedri Dedja është vlerësuar gjithashtu nga Qendra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh, duke zënë vend në Vëllimin e XVI të biografive si autor i shquar i shekullit.
E bija e tij Edlira Dedja ndan me ne emocionet e ribotimit të kësaj vepre letrare.
CMG: Edlira, si ndiheni që ribotoni këtë libër pas 40-vitesh ?
Edlira Dedja: Unë ndihem e vlerësuar nga të tjerët, por e ndiej edhe vetë që kam arritur të bëj një punë për të cilen flet vepra. Kjo punë do të mbetet gjatë dhe unë po përpiqem të ndërtoj nje arkivë, e cila do t'i mbetet brezave ndër vite.
CMG: Ju keni përgatitur tashmë një kolanë botimesh?
Edlira Dedja: Po mund ta quajmë kështu sepse në fakt përveç ribotimeve që kemi bërë deri në këto momente, unë jam duke punuar që të nxjerr edhe një tjetër ribotim për festat e fundvitit. Dua që t'iu vij më pranë fëmijëve të vegjël, të cilët do të jenë lexuesit e pare. Romani "Kalamajtë e pallatit tim 3" po përgatitet që të jetë dhurata për të trokitur për festa tek çdo bibliotekë e fëmijëve.
CMG: Pse zgjodhët të ribotoni këtë libër pas 40 vitesh?
Edlira Dedja: Dëshira për të ribotuar këtë libër ka ardhur sepse unë kujtoj veten që në fëmijëri. Kam qenë një fëmijë që kam dashur shumë të lexoj dhe kam parë me dëshirë të madhe karrierën e babit tim në ngritje. Shihja fëmijët që i donin aq shumë librat e tij . Ky libër nuk e pati fatin të dilte në treg për shkak të mentalitetit partiak. Unë nuk do doja të mbetej i fshehtë dhe të mos shkonte deri në bibliotekat e lexuesve, ndaj vendosa ta risjell.
CMG: Sa vite kanë kaluar nga botimi i tij i parë dhe çfarë ka ndryshuar në këtë libër ?
Edlira Dedja: Nuk ka ndryshuar asnjë pikë dhe asnjë presje. Janë po të njëjtat gjëra dhe detaje që kanë qenë në atë libër dikur. Aroma e librit nuk ndryshon është po ai me një mori të plotë historish për fëmijë të frymëzuara në jetën e përditshme. Përballë jetës së tij ai ka pasur gjithmonë një laps dhe një letër për të shkruar në çdo moment frymëzues. Më është dashur pak punë që të shkruaj në kompjuter të gjithë historinë, por me në fund ndihem e lumtur që është në duart e vogëlushëve
CMG: Si është pritur ribotimi ?
Edlira Dedja: Ribotimi është pritur shumë mirë sepse unë vijoj të mbaj komunikim me shtëpinë botuese. Tashmë kolana është futur edhe nëpër shkolla për t’u studiuar. Do ketë nevojë për kohë sepse autori ka shumë vite që i mungon tregut dhe prindërit do te kenë absolutisht nevojë për kohë që të kthejnë vëmendjen tek librat e tij .
Shkrimtari i njohur i viteve ’60 mjeshtri i madh Bedri Dedja, pas nderimeve të shumta nderohet nga presidenti në 90-vjetorin e lindjes me titullin e lartë “Kalorësi i urdhrit të Skënderbeut”.
Së bashku me nderimin ka nisur edhe botimi i plotë i veprës së tij në bashkëpunim me botuesen Rita Petro, ku janë kujdesur që t’i përcaktojnë edhe moshën se kur duhen lexuar.
CMG: Si e konsideron këtë ribotim, si emocion ?
Edlira Dedja: Babi im e ka parë gjithmonë botimin e një libri si ardhjen në jetë të një fëmije. Ky emocion ka depërtuar edhe tek unë këtë periudhë. Më është dukur sikur kam arritur të sjell në jetë diçka të madhe. Unë kam ringjallur tashmë shkrimtarin sepse është babai i letërsisë shqipe për fëmijë. Është e çuditshme se sa me padurim e pres ribotimin dhe takimin me lexuesit e vegjël. Unë nuk kam hasur asgjë vështirësi në botimin e librit sepse më kane mbështetur shumë dhe e kanë pritur mirë .
CMG: Cilat janë komentet më të bukura mbi librin ?
Edlira Dedja: “Ç’ishte more ky shkrimtar që na njihte kaq mirë ne kalamajve?”. Është ky komenti që bën Ylli Pango për shkrimtarin, që për mua është shumë i bukur dhe identifikues. Pastaj komente të tjera ka plot absolutisht.
CMG: Sa e njeh ky brez shkrimtarin Bedri Dedja ?
Edlira Dedja: Pak ose aspak, ose ka dhe shumë . Megjithatë me këto ribotime ne po ju japim hapësirën e duhur dhe kohën e mundshme që ata t'i njohin dhe t’i duan këto libra.
CMG: A keni ju një mesazh për lexuesit e vegjël ?
Edlira Dedja: Me përralla fëmijët kaliten me nuhatje morale kështu që patjetër fëmijët duhet të lexojnë.
Intervistoi: Megi Latifi