120 vjetori i lindjes së fotografit Misto Cici dhe muzeu në shtëpinë e tij
2022-11-25 12:16:32



Ndërsa ndodhesha një fundjavë në qytetin e bukur të Pogradecit, dhe shijoja pamjen mbresëlënëse të liqenit që ka frymëzuar sa  e sa poetë, fotografë, etj, një mikja ime më tregon se aty pranë ndodhej dhe shtëpia e fotografit të parë pogradecar, Misto Cici, tashmë e përshtatur nga familjarët si shtëpi-muze. Ishte kënaqësi që arrita ta vizitoja këtë shtëpi-muze, që ruante me fanatizëm shumë kujtime, fotografi, aparatin e parë të fotografit, vulat e tij, etj, por më e rëndësishmja ishte mikpritja që na bëri zonja e shtëpisë Silvana, e cila me shumë dashuri për këto kujtime, na solli për pak momente pas në kohë, duke na rrëfyer historitë e këtyre fotove të realizuara nga vjehrri i saj Misto Cici, fotot me përmbajtje historike, fetare, artistike, etj.

Edhe pse ka kaluar afro një shekull nga periudha kur ato foto janë realizuar, përsëri fotot e lara nga pllakat e xhamit janë majft cilësore. Në vitin 2011 Bashkia e qytetit të Pogradecit realizoi ekspozitën e parë, pasi në këtë vit fotografit Misto Cici i është dhënë edhe titulli “Qytetar Nderi- Mjeshtër i Fotografisë Artistike”, ndër të parët e zhvillimit të këtij arti në vend, ku u shpalosën disa foto të ngjarjeve të rëndësishme të ndodhura në qytetin e Pogradecit në vitin 1920 e më tej. Për të larë fotot ka qenë një tjetër vështirësi, pasi ato janë në pllaka xhami dhe duhen laboratorë të veçantë për stampimin e tyre.  Një iniciativë kjo e marrë nga vetë familjarët e fotografit, Misto Cici.

Mbesa e tij, Amanda Cici, në profesion arkitekte është rritur mes fotove të gjyshin të saj. Në një intervistë për ] Grupin Mediatik të Kinës, Amanda na rrëfen rreth jetës së gjyshit të saj, kujtimet me të cilat ajo është rritur, por edhe idesë për të mbajtur gjallë kujtimin e tij, nëpërmjet muzeut të krijuar në shtëpi, aty ku vetë fotografi Misto Cici ka jetuar.

CMG: Përshëndetje Amanda dhe faleminderit për ftesën për të vizituar muzeun në shtëpinë tuaj!

Amanda Cici: Përshëndetje Sava! Të falenderoj për vizitën, në shtëpinë ku ka jetuar fotografi Misto Cici, ku edhe sot ne familjarët jemi munduar ta përshtasim në një shtëpi- muze të fotografisë pogradecare.

CMG: Fotografi i parë pogradecar Misto Cici, si e nisi këtë profesion dhe sa fotografi numëron?

Amanda Cici: Si mbesa e fotografit Misto Cici, jam rritur mes pamjesh bardh e zi të qytetit tim ndër vite dhe mendoj se ka qenë ndikimi im i fshehur për profesionin e arkitektes, ku shpeshherë nuk le pas dhe pasionin e fotografisë.

Duke i përshëndetur të gjithë nga qyteti i dritës, po ju tregoj më tëpër mbi historinë e gjyshit tim. Misto Vangjel Cici u lind në Pogradec, më 10 tetor 1902. Historia e tij me fotografinë filloi që në moshën 13 vjeçare kur Koçi Llakmani sapo ishte kthyer nga Amerika dhe kishte sjellë me vete një aparat fotografik që funksiononte me negative qelqi (pllakë xhami) dhe gjyshi im Misto në atë kohë ishte nxënës i tij. Në vitin 1918, duke parë intuitën artistike të Mistos, ai i shiti aparatin bashkë me laboratorin. Në atë moment nisi dhe rrugëtimi artistik e i gjatë i Mistos, mbi historinë e fotografisë pogradecare, duke e bërë një mjeshtër të fotografisë artistike. Ndër vite janë mundur të ruhen rreth 200 negative në pllaka xhami dhe 2000 fotografi të stampuara që në atë periudhë. Në arkivë ruhen fotgrafi të shkollave të para në qytet, fotografi me tematikë fetare, dhespoti i vdekur i fotografuar sipas traditës, evente të rëndësishme në qytet, festat fetare si, hedhja e kryqit në liqen, nuset e Pogradecit etj,

Zhvillimi urban dhe ndryshimet në qytet ndër vite, sot mund t’i studiojmë nëpërmjet arkivës “Cici”. Por Misto Cici, me aparatin e tij, fiksoi edhe shumë festa familjare dhe ceremoni fetare në Shën Naum. Me objektivin e tij ai ka fiksuar gjithçka që ka ndodhur në këtë qytet që nga viti 1915 deri në moementin kur u nda nga jeta, duke i bërë kështu autopsinë qytetit të tij të lindjes që nga gëzimet familjare, portrete qytetarësh, çifte të lumtur, eskursione me vapor nga Ohri në Pogradec, festën e karnavaleve, duke punuar me shije të veçantë dritë- hijen e fotografisë artistike. Janë qindra peizazhe me lagjet karakteristike të Pogradecit, kroin e fshatit me shtatë sylynjarë, pyllin e gështenjave, kalanë e qytetit, brigjet magjike të liqenit, qytetin e mbuluar me borë, stalaktiket e akullit dallgët e liqenit me kreshta të bardha sipër. Mjeshtri Misto Cici ka depërtar me objektivin e tij, deri në skrukturat më intime të natyrës.

CMG: Për sa vite e ushtroi profesionin  dhe a ka lënë ndonjë amanet në lidhje me fotografinë?

Amanda Cici: Fotografia për Miston ishtë pasion, si të tiilë e ka nisur që në vogëli dhe e vazhdoi deri në fund të jetës së tij. Misto Cici u bë një shkollë për shumë fotografë të tjerë të talentuar jo vetëm për Pogradecin, por që kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë. Dy vëllezërit dhe nipi i tij vazhduan rrugën e Mistos. Negativët e fotografive në pllaka xhami, ruheshin në çatinë e shtëpisë së tij, të vendosura në kutitë origjinale të firmave të huaja, ku blinte jashtë vendit materialet që i duheshin për procesin e fotografimit.

Arka e madhe prej druri qëndronte atje në papafingon e shtëpisë  dhe ishte lënë amanet të mos hapej. Duke mos ditur se çfarë kishte brenda dhe bashkëshortja e tij Afroviti, e cila ishte në dijeni për arkivën e fotografisë, nuk lejonte të hapej duke thënë se ishte amanet. Por arsyeja ishte se, në arkivë ndodheshin foto me tematikë fetare, kisha e Shën Naumit, ceromonitë fetare, kisha të qytetit, të cilat u hapën vetëm pas vitit '91, pasi më parë praktikat fetare ishin të ndaluara. Gjithashtu bashkëshortja e fotografit tregon se ka pasur dhe fotografi nudo, por të cilat ndër vite nuk janë mundur të ruhen.

CMG: E kujt ishte idea për t’i larë fotot dhe si arritët deri në procesin final?

Amanda Cici: Prej kohësh, ishte nëna, bashkëshortja e Mistos, e cila na ka treguar për arkën. Kurioziteti dhe dëshira e saj për të nxjerrë në pah punën, vlerat, pasionin e Mistos, ne familjarët sidomos mami im Silvana, filluam të stamponim negativët. Në vitin 2011 pasi kishim mundur të stamponim shumicën prej tyre,  hapëm një ekspozitë e cila ka pasuar dhe me shumë të tjera, të cilat kanë qenë iniciativa personale të familjes. Në vitin 2015, kam marrë pjesë në Konkursin "Endërra ime" të realizuar nga Kryeministria, për të hapur Fototekën "Cici", ku do të ekspozoheshin të gjitha fotografitë sipas tematikave në një periudhë një vjeçare.

CMG: Prej disa vitesh keni krijuar një muze në shtëpi. Si lindi dëshira për t’i pasqyruar këto kujtime?

Amanda Cici: Unë kam qëndruar në Fototekë për një vit, duke pritur si fillim qytetarët e Pogradecit të cilët kishin shumë kuriozitet. Shumica prej tyre gjenin veten aty kur ishin fëmijë, shihnin të afërmit e tyre dhe kështu ne mundëm të gjenim dhe të sakta vitet kur ishin realizuar fotografitë. Fototeka vizitohej dhe nga të huaj. Kjo ka qenë një eksperiencë shumë e veçantë për mua, pasi gjatë një viti, hapëm disa ekspozita, ku nisëm me foto artistike të cilat kanë qenë tematika kryesore e Mistos, pasioni për natyrën, qytetin, liqenin, etj. Më pas kemi hapur ekspozitën me fotot historike, një tjetër temë ka qenë, shkollat e  para në qyetet, por edhe nuset e qytetit të Pogradecit, ka qenë një tjetër  ekspozitë me shumë interes nga vizitorët. Gjithashtu edhe jeta kulturore në qytet, teatri etj.

CMG: A është i hapur muzeu për të gjithë dhe si mund të kontaktojnë personat e interesuar?

Amanda Cici: Pas përfundimit të projektit 1 vjeçar, fototeka u transferua në shtëpi, e cila ndodhet në lagjen historike të qytetit dhe është lehtësisht e aksesueshme për të gjithë turistët. Në lagjen e “Burimave” pranë kishës së vjetër të qytetit ndodhet shtëpia e mjeshtrit të fotorgrafisë Misto Cici, ku ruhet arkiva fotografike e cila përbëhet nga negativë xhami, fotografi të printuara, aparat fotografik, çmime të fituara ndër vite, laboratori, etj.

CMG: A e ka trasheguar ndonjë nga familja juaj këtë profesion?

Amanda Cici: Nga familja ime, për fat të keq jo, por fotografia është e lidhur me profesionin tim  dhe pasioni për të ka qenë inspirim për ndjekur studimet e larta për arkitekturë.

Misto Vangjel Cici u lind në Pogradec, më 10 tetor 1902. Historia e tij me fotografinë filloi që në moshen 13 vjeçare, kur mësuesi i tij i sapo kthyer nga Amerika kishte sjellë me vete një aparat fotografik që funksiononte me negative qelqi (pllakë xhami). Në vitin 1918, mësuesi i tij duke parë intuitën artistike të Mistos, ia shet aparatin bashkë me laboratorin. Këtu nis dhe rrugëtimi artistik dhe i gjatë i Mistos mbi historinë e fotografisë pogradecare, duke e bërë një mjeshtër të fotografisë artistike. Dëshira e madhe e bashkëshortes së tij për të “shkundur pluhurin” nga arkivi bëri të mundur që trashëgimtarët e tij ta bëjnë sa më të prekshëm “pasionin bardhë e zi” për qytetarët e Pogradecit dhe më gjerë. Në vitet ’40 veprimtaria e tij u zgjerua edhe jashtë shtetit. Në po këto vite në Itali u stampuan 12 foto-peizazhet e Pogaradecit nën autorësinë e Misto Cicit, të cilat shërbyen si kartolina që edhe sot gjenden në duart e pogradecarëve të vjetër.

Gjithë jetën, që në vogëli, ai ja kushtoi kapjes të ngjarjeve në çdo cep të qytetit liqenor, si dhe fiksimin e çdo stine pogradecare. Të gjithë jetën e kaloi në harmoni mes familjarësh dhe miqsh që sot e kujtojnë si njeri me vlera të mëdha, të përkushtuar, me dashuri të sinqertë ndaj familjes dhe të pakufizuar për qytetin. Të gjithë e thërrisnin babi Misto dhe ende kështu e njohin të gjithë, për kujdesin e madh që tregonte. Edhe pse pas shumë përpjekjesh nga trashëgimtarët e tij, qyteti i Pogradecit e vlerësoi në vitin 2011 kur mori titullin “Qytetar Nderi”. Mistoja u bë mësues për vëllezërit e tij Sotiraq Cici, Pandi Cici dhe nipin Kristaq Shuke, të cilët pas viteve ’50  e ushtruan artin e fotografisë duke u fokusuar më së shumti në fotografitë familjare të qytetit të Pogradecit, por jo vetëm.

Misto Cici në vitin ’47 u cilësua si fotografi më i mirë për cilësinë dhe saktësinë e fotografimit gjatë fushatës për pajisjen e popullsisë me pasaporta të reja. Ai u shndërrua në fotografin e parë të Pogradecit dhe të parin e fotografisë artistike në Shqipëri.

Intervistoi: Sava Lena