Foto nga China Daily
Fan Jinlin, një 26-vjeçar i cili drejton disa shtëpi të kujdesit për të moshuar, bleu kompjuterë dhe instaloi në to videolojëra, kur disa prej banorëve i thanë se e kishin të vështirë të lidheshin me nipërit dhe mbesat që rrinin tërë kohës në kompjuter.
Fan nisi t'i mësonte banorët të luanin dhe disa prej tyre janë bërë të pasionuar pas këtyre lojërave.
Sipas 26-vjeçarit, përveç afrimit me nipërit e mbesat e tyre, disa nga lojtarët më të moshuar iu bashkuan ekipit për të gjetur shokë loje për veten e tyre.
Mos u habitni nëse një ditë zbuloni se konkurrentët tuaj në një turne videolojërash janë të moshuar me flokë argjendi. Në një shtëpi të të moshuarve në Xuchang, provincën Henan, disa nga banorët janë tashmë në trajnim. Fan Jinlin, i cili drejton pesë shtëpi të tilla, fillimisht mendoi t'i mësonte banorët të luanin videolojëra pasi shumë thanë se donin të forconin lidhjet me nipërit e mbesat e tyre.
“Një gjyshe më pyeti se si të luante videolojëra”, - tha 26-vjeçari. "Ajo tha se nipi i saj nuk fliste me të, por luante lojëra gjatë gjithë ditës. Shumë të moshuar kishin të njëjtin problem dhe kërkuan ndihmën time".
Fan bleu kompjuterë dhe instaloi videolojëra të njohura. Për habinë e tij, banorët, të cilët të gjithë mbajnë syze leximi, iu përkushtuan mësimit të lojërave.
"Shumë i zotëruan lojërat në më pak se një javë dhe disa thanë se mund të luanin edhe më mirë se nipërit e mbesat e tyre, veçanërisht gjyshet",- tha Fan. "Ata mësuan shpejt".
Dy nga lojtarët e moshuar janë veçanërisht të etur për të marrë pjesë në garat e lojërave video. "Ata mendojnë se të luash lojëra është në modë dhe pëlqejnë idenë që të jenë në gjendje të udhëtojnë për të marrë pjesë në gara",- tha Fan.
Përveç afrimit me nipërit e mbesat e tyre, disa nga lojtarët më të vjetër iu bashkuan ekipit për të gjetur shokë loje për veten e tyre, tha Fan, duke shtuar se banorët bëjnë çfarëdo aktiviteti që u intereson, duke përfshirë pikturën, leximin, zgjidhjen e problemeve matematikore dhe lojën mahjong.
"Me kalimin e moshës, njerëzit hyjnë në një fëmijëri të dytë, duke u bërë më lozonjarë. Kështu që unë u mësoj atyre aktivitete që tërheqin të rinjtë dhe ndonjëherë ata konkurrojnë me ta".
Shtëpia e kujdesit me seancat e trajnimit të videolojërave nuk u merr para banorëve. Fan përpiqet të përballojë jetesën përmes subvencioneve të qeverisë dhe gjithashtu duke ngarkuar video në një llogari të mediave sociale që filloi në 2020-n. Me një diplomë në transmetim, ai xhiron video të shkurtra të ngjarjeve të përditshme në shtëpi për të mbledhur para për të ndihmuar në subvencionimin e projekteve të tij, në mënyrë që të mund të ofrojë dhoma falas ose me një tarifë të ulët. Llogaria e tij tani ka më shumë se 2 milionë ndjekës në “Douyin”, versioni kinez i “TikTok”-ut.
“Gjyshet që grinden për gjëra të vogla shpesh marrin më shumë pëlqime”, - tha Fan duke buzëqeshur. Rruga e tij drejt drejtimit të shtëpive të kujdesit filloi kur ishte në kolegj dhe vizitoi shtëpinë ku punonte babai i tij. Ai kujton se ishte i tronditur nga ajo që pa.
"Nuk ishte ajo që kisha imagjinuar",- tha ai. "Për mua, shtëpia ideale e kujdesit duhet t'u kujtojë njerëzve hotelet apo edhe shtëpitë. Ato nuk duhet të duken si spitale". Ai gjithashtu vuri re mungesën e punëtorëve të rinj dhe problemet financiare që kishin disa nga banorët.
"Jo shumë të rinj janë të gatshëm të punojnë në shtëpi përkujdesjeje për shkak të atmosferës dhe presionit të kujdesit për të moshuarit",- tha Fan. "Disa banorëve u është dashur gjithashtu të largohen për shkak të kufizimeve financiare".
Shtëpia e tij e parë e kujdesit, të cilën ai e projektoi dhe mobiloi vetë, u hap në tetor 2020. Një ndryshim i madh midis shtëpive të tij dhe të tjerave është se të moshuarit me aftësi të kufizuara jetojnë në një zonë të veçantë nga ata që janë ende në gjendje të kujdesen për veten. "Kam konstatuar se shumë të moshuar me aftësi të kufizuara preferojnë të mos jetojnë me banorë më të aftë për punë, sepse ata ndonjëherë zhyten në keqardhje për veten",- tha Fan. "Shumë të moshuar të shëndetshëm ndihen keq gjithashtu; duke parë banorë me aftësi të kufizuara i bën ata të shqetësohen se shëndeti i tyre mund të përkeqësohet".
Sipërmarrësi i ri shpreson të marrë më shumë mbështetje. “Nuk është e lehtë të drejtosh shtëpitë e kujdesit dhe shpresoj se më shumë të rinj do t'i bashkohen ekipit tonë dhe do të na ndihmojnë të krijojmë një lloj të ri shtëpie për të moshuarit, ku banorët kanë një vend për të realizuar ëndrrat e tyre”,- tha ai.
Fan tha se prindërit e tij i thanë se duan të jetojnë në një nga shtëpitë e tij të kujdesit kur të plaken. “E mora si kompliment”, - tha ai.