Kampionati botëror i bodybuilding mbahet për herë të parë në Shqipëri. Një iniciativë dhe hap i ndërmarrë nga Klajdi Gjumsi, i cili gjithashtu ka qënë kampion Shqipërie në këtë sport. Për të sporti është diçka që duhet të marrë vëmendjen e merituar dhe të gjithë bashkë mund ta fuqizojnë. Klajdi ka marrë pjesë në një garë për “Bodybuilding” dhe është shpallur kampion në kategorinë “Men Bodybuilding Junior”. Kjo ishte hera e parë që Klajdi garoi në një garë të tillë dhe u shpall kampion. Fitorja padyshim që e nxiti atë që të garojë edhe në sfida tjera, me perfeksionim akoma më të madh të trupit. Sipas Klajdit, të gjithë ne mund të bëjnë më shumë për sportin në vend. Ndaj ai ka bashkëpunuar dhe insistuar që ky event mbarëbotëror të vijë në Shqipëri. Kjo do të jetë një panoramë shumë e mirë për Shqipërinë, duke na vendosur krah vendeve ndërkombëtare, të cilat e kanë mbajtur këtë kompeticion madhështor.
CMG: Klajdi na tregoni më tepër detaje, pse vendosët që të sillni këtë kampionat në Shqipëri ?
Klajdi Gjumsi: Ky kampionat vjen falë një pune shumë të madhe. Pavarësisht lodhjes apo sakrificave që ne kemi bërë, sot që flasim ndihemi shumë të gëzuar që më në fund edhe Shqipëria do të ngrejë emrin e saj. Kampionati vjen për herë të parëe në Ballkan dhe vetëm fakti që ja besuan Shqipërisë tregon se sa e rëndëishme është për ta që të ndërtojnë një kompeticion të nivelit të lartë.
CMG: Ndikon kjo veprimtari pozitivisht në ekonominë tonë?
Klajdi Gjumsi: Çdo gjë e ka një anë pozitive shumë të forte dhe është tepër e rëndësishme të kuptojmë se si mund të ngrihet ekonomia e vendit vetëm nga evente të këtij lloji. Këtu do të vijnë garues, fansa, njerëz të thjeshtë apo publikë të cilët do të ndjekin garën, që do të qëndrojnë këtu gjithashtu. Akomodimi i tyre dhe çdo gjë tjetër është një mundësi e mirë reklamuese për vendin tone, i cili në një formë apo në një tjetër bën biznes të mirë.
E vetmja gjë që duhet të bëjmë është të besojmë tek puna jonë. As unë nuk e kam pasur të lehtë të bind ndërkombëtarët për ta sjellë këtë event tek ne, por durova dhe arrita ta sjell. Shumica e tyre janë njerëz të njohur dhe do vijnë jo vetëm për eventin, por do të shijojnë edhe vendin.
CMG: Ju vetë, sa i përfshirë jeni në këtë sport?
Klajdi Gjumsi: Unë jam shumë i përfshirë sepse nuk e shoh këtë gjë si punë, por si pasion. Kam mbi dhjetë vite që merrem me sport dhe palestër dhe e bëj pa përtesë. Kështu duhet të funksinojë çdo punë në fakt sepse nëse nuk ka pasion dhe dëshirë brenda saj nuk mund të punohet ndryshe.
CMG: Ju keni qenë kampion i Shqipërisë, si ndiheni që tani kontribuoni për të tjerët?
Klajdi Gjumsi: Sport i sukseshëm është të ndihmosh dhe të tjerët. Duke qenë që kam qenë vetë dhe e di shumë mirë se sa e rëndësishme është të ndihmosh të tjerët aty ku ata kanë nevojë. Arrij të kuptoj pikat e tyre të dobta. Një sportist ka nevojë për mbështetje dhe mua më vjen keq që shumica prej tyre nuk e marrin atë vëmendje që meritojnë të marrin.
Ndaj vendosa që të lë mënjanë garimin dhe të nis të investoj tek ky sport për ta bërë sa më të aksesueshëm nga njëri brez në tjetrin. Trashëgimia më e madhe e një vendi është kultura në sport.
CMG: Si keni menduar të mbështesni këtë event dhe këta sportistë?
Klajdi Gjumsi: Po, gara tani është shumë afër sportistëve. Atyre nuk i’u duhet më që të vrapojnë nëpër vende të tjera apo të shohin se ku mund të kenë mundësi për të shkuar. Tashmë mundësia është këtu mes nesh dhe e prekshme. Gjithashtu, unë duke qenë se kam vetë biznes nuk kam suportuar vetëm këtë event, kemi përcaktuar nje fond për të gjithe sportistët dhe ju vijmë në ndihmë në forma të ndryshme . Investojmë shumë tek ata.
CMG: Sa skeptikë kanë qënë për të ardhur në Shqipëri vetë organizatorët?
Klajdi Gjumsi: E vërteta dhe e sinqerta është që ata kanë qënë shumë skeptikë dhe na është dashur të punojmë qoftë për të kuptuar se ku qëndron mosbesimi i tyre, apo për të kuptuar se çfarë duan të arrijnë. E kuptuam që për shkak se Shqipëria është një vend i vogël mund të ngjallë lehtësisht dyshime se si mund të organizohet, por ne i premtuam që çdo gjë do shkojë mirë dhe jemi garant për këtë event.
Me popullsinë që kemi nuk ka ndonjë interes të madh botëror, por na dhanë një mundësi. Kjo është një mundësi e mirë që t’i bëjmë vetes një prezantim të mirë për ta risjellë në vitet në vijim.
CMG: Gara kur do të mbahet?
Klajdi Gjumsi: Puna ka filluar dhe gara bëhet nga 14-16 prill. Ngaqë vijnë shumë pjesëmarrës, nuk mbaron si garë brenda ditës. Ndërsa vendi është ndërmjet Pallatit të kongreseve dhe Durrësit. Duam që sportistëve t’iu ofrojmë pamjen e bregdetit.
CMG: Si ndiheni që po organizoni një event kaq të madh?
Klajdi Gjumsi: Me punë vjen çdo gjë. Unë ndihem mirë që po ndihmoj sportistët. E thashë dhe do ta them që nëse kontribuon në sport ke lënë një trashëgimi të madhe në shoqëri.
Intervistoi:Megi Latifi