Shkencëtarët kinezë zhvillojnë robotë vetëlëvizës për të pastruar mikroplastikën
2022-11-24 12:14:25

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Mikrorobët e krijuar nga studiuesit kinezë janë projektuar për të mbledhur mikro dhe nanoplastikën në ujërat jodetare. Ata u frymëzuan nga robotët që pastrojnë dyshemenë, të cilët mund të punojnë në mënyrë autonome në një rrugë të planifikuar dhe të fshijnë mbeturinat pranë tyre. Robotët vetëlëvizës përfshijnë sfera me nanogrimca magnetike dhe mund të ndërveprojnë me grimcat përreth gjatë lëvizjeve të tyre, duke realizuar heqjen dinamike të mikro dhe nanoplastikës në rrugën e tyre.

Një grup shkencëtarësh kinezë kanë zhvilluar një lloj mikroroboti të mundësuar nga shkëmbimet e joneve për të hequr mikroplastikën dhe nanoplastikën (MNP) nga uji, sipas Universitetit Jinan, një nga zhvilluesit e tij.

Roboti ka një diametër 20 deri në 100 mikron, që është më i hollë se një fije floku. Ka një modalitet inovativ për t’u ushqyer me energji, duke përdorur shkëmbimet me jonet e papastërtive në ujë dhe mund të funksionojë pa energji shtesë.

Hulumtimi, i publikuar së fundmi në revistën “Science Advances”, thotë se ndotja nga mikroplastika dhe nanoplastika në ujërat jodetare përbën një kërcënim të madh për ekosistemin global. Megjithatë, strategjitë ekzistuese, të tilla si flokulimi kimik dhe filtrimi fizik, shpesh dështojnë në largimin e plotë të grimcave plastike ultra të vogla.

Duke kërkuar një zgjidhje më të mirë, shkencëtarët nga Universiteti Jinan me bazë në Guangzhou dhe Universiteti i Hong Kongut projektuan mikrorobotët për të hequr mikro dhe nanoplastikat nga uji, duke u frymëzuar nga robotët që pastrojnë dyshemenë.

“Robotët që pastrojnë dyshemenë mund të punojnë në mënyrë autonome në një rrugë të planifikuar dhe të fshijnë mbeturinat pranë tyre, kështu që menduam se mund të kishte një lloj roboti të ngjashëm për të pastruar mbeturinat në ujë”,- deklaroi për “Xinhua” Wang Jizhuang, një nga studiuesit kryesorë nga Universiteti Jinan.

Sipas tij, robotët vetëlëvizës përfshijnë sfera me nanogrimca magnetike dhe mund të ndërveprojnë me grimcat përreth gjatë lëvizjeve të tyre, duke realizuar heqjen dinamike të mikro dhe nanoplastikës në rrugën e tyre. Çdo robot ka një gamë përthithjeje deri në 200 mikron në diametër.

Ndërkohë, përthithja e plastikës në ujë shkakton një rrjedhje të lëngshme rreth robotëve, duke i shtyrë kështu ata të lëvizin në mënyrë autonome pa ndikim tjetër energjie.

Për shkak të përbërësve magnetikë brenda, robotët gjithashtu mund të mblidhen thjesht me një magnet pas përfundimit të misionit të tyre dhe mund të kontrollohen pikërisht përmes një fushe magnetike të programueshme, tha Wang.

Nga hulumtimi i studiuesve doli se robotët u konfirmuan se tregonin një efikasitet heqjeje prej më shumë se 90 për qind gjatë 100 misioneve të njëpasnjëshme për të hequr mikro dhe nanoplastikën me përbërje, madhësi dhe forma të ndryshme në ujë.

Vlerësohet se çdo litër ujëra të zeza ka nevojë për rreth 5 milionë mikrorobotë të këtij lloji për të pastruar mikro dhe nanoplastikën e pranishme në ujë, tha Wang, duke shtuar se numri i mikrorobotëve është shumë i lehtë për t'u arritur në praktikë.

Grupi ka vendosur synime të mëtejshme kërkimore, të tilla si gjetja e mënyrave që robotët e sapozhvilluar të mbledhin njëkohësisht mikro dhe nanoplastikën dhe t'i degradojnë ato në vend.

Shpresohet që zhvillimi i robotëve vetëlëvizës, me avantazhet e kostos së përballueshme dhe ndotjes dytësore minimale, do t'i bëjë ata të përshtatshëm për aplikime industriale, duke ofruar një strategji tërheqëse për heqjen e grimcave plastike ultra të vogla në një shkallë të gjerë, tha Wang.