Bibliotekat digjitale ndriçojnë botën e brendshme të personave me probleme në shikim
2022-11-24 11:46:43

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në Bibliotekën Kombëtare në provincën Shandong të Kinës lindore janë hapur biblioteka digjitale për personat me probleme në shikim, të cilët mund të shijojnë kënaqësinë e përthithjes së një libri apo filmi përmes versionit audio, që në rastin e filmave përmbajnë dhe përshkrime. Deri më sot, ruajtja totale e të dhënave të burimeve digjitale ka arritur në 15 terabajt me mbi 3 milionë shikime.

Zhang Xuejing   së fundi shijoi një film të bukur së bashku me tetë persona të tjerë me probleme në shikim në një bibliotekë në provincën Shandong të Kinës lindore. Ishte një version me përshkrim audio i “The Magical Brush”, një film i njohur kinez. Përshkrimet audio u shtuan për të ndihmuar audiencën e veçantë të kuptonte historinë.

“Përshkrimet ishin aq të gjalla sa ndjeva se isha pranë protagonistit të guximshëm dhe të zgjuar Ma Liang. Sa herë që jam në teatër ndihem mirë dhe i kënaqur”,- tha Zhang.

Filmat me përshkrim audio janë një nga disa shërbimet digjitale që Biblioteka Shandong ka nisur për të pasuruar jetën kulturore të personave me probleme në shikim. Që në vitin 2013, biblioteka nisi një projekt të bibliotekës digjitale për grupin, duke i kthyer librat prej letre në materiale audio që janë të aksesueshme në internet. Deri më sot, ruajtja totale e të dhënave të burimeve digjitale ka arritur në 15 terabajt me mbi 3 milionë shikime.

Nëpërmjet koordinimit me 17 biblioteka publike në të gjithë Shandong-un, biblioteka provinciale ka shpërndarë falas 15.000 sete të lexuesve të zgjuar të librave audio.

“Leximi nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e njohurive, por edhe pasurimin e mendjes”,- tha Zhou Yushan, zëvendësdrejtor i Bibliotekës Shandong, duke shtuar se bibliotekat digjitale janë kthyer në një strehë shpirtërore për lexuesit me probleme në shikim.

Kur Zhang humbi shikimin dy vjet më parë për shkak të sëmundjes dhe iu desh të hiqte dorë nga puna, ajo u ndje e dëshpëruar. Për fat të mirë, në bibliotekën digjitale, ajo mësoi shkrimin “Braille” dhe bëri miq që janë në situata të ngjashme. Ata i treguan asaj për shumë opsione karriere për personat me probleme në shikim, si sintonizuesit e pianos, këshilltarët psikologjikë dhe këngëtarët, të cilat i shtuan shpresat Zhang për një jetë të re. Tashmë 42-vjeçarja është një “podkaster” me goxha ndjekje në rrjetet sociale. Ajo lexon dhe ndan poezi dhe artikuj të bukur dhe ka krijuar kurse psikologjike për të ofruar mbështetje shpirtërore për audiencën e saj.

Kina ka promovuar vazhdimisht shërbimet kulturore për grupet me aftësi të kufizuara. Në vitin 2017, Këshilli i Shtetit lançoi një program për të avancuar aksesin e barabartë në shërbimet bazë publike, duke i drejtuar autoritetet vendore që të sigurojnë që personat me aftësi të kufizuara të kenë akses pa pengesa në produktet dhe shërbimet kulturore dhe persona të tillë mund të shijojnë televizionin, filmat, shfaqjet dhe zhanre të tjera kulturore.

Në të njëjtin vit, disa ministri dhe Federata e Personave me Aftësi të Kufizuara të Kinës nisën së bashku një projekt të promovimit të leximit digjital për personat me probleme në shikim në Bibliotekën Kombëtare, duke ofruar shërbime kulturore të personalizuara dhe të qëndrueshme për grupin.

Deri më sot, Shandong ka ndërtuar 83 dhoma leximi digjitale me prani fizike në shkolla speciale, biblioteka publike dhe qendra shërbimi për personat me aftësi të kufizuara dhe 181 biblioteka në provincë kanë ngritur zona leximi për të verbrit.

“Leximi digjital u mundëson individëve me probleme në shikim të zhvillojnë shprehi të leximit dhe të kenë akses në vepra kulturore të thella dhe ndriçuese, duke i lejuar ata të arrijnë qëllimet e tyre në jetë”,- tha Li Yingjie, zyrtar në Federatën e Personave me Aftësi të Kufizuara Shandong.

“Tani shoqëria është më e respektueshme dhe më e kujdesshme për të verbrit dhe ne kemi më shumë mundësi për zhvillim”,- tha Zhang, duke shtuar se ajo shpreson të ndajë përvojën e saj me njerëzit në nevojë dhe të inkurajojë më shumë njerëz me probleme në shikim që të integrohen në shoqëri.