Teksa situata me përmbytjet në veri të Shqipërisë po shkon drejt përmirësimit, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka paralajmëruar se reshjet po zhvendosen drejt jugut, ku mund të ketë problematika.
Në një komunikim për mediat, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Peleshi tha se priten prurje të larta në lumin e Shushicës dhe Drinos, përcjell “RTSH”.
“Pritet të ketë prurje të larta në lumenjtë Shushicë dhe lumi i Drinos. Nuk ka probleme të konsiderueshme në lumenjtë e tjerë. Në Gjirokastër era e fortë ka shkaktuar probleme me furnizimin me energji. Kemi një situatë drejt normalizimit të shpejtë në Durrës, Kukës dhe Dibër. Nuk ka akse nacionale të bllokuara. Në akset dytësore ka rrezikshmëri dhe u bëj apel qytetarëve të jenë të kujdesshëm për të evituar çdo ngjarje të pakëndshme. Problematika mbeten rezervuarët në të gjithë Shqipërinë. Kemi rreth 600 rezervuare në vend”,- tha Peleshi.
Ndërkohë, në veri të vendit, sipas ministrit, është larguar uji në tre të katërtat e sipërfaqes së tokës që ishte përmbytur dhe të gjitha akset kombëtare janë tashmë të kalueshme.
“Në Shkodër janë evakuuar 22 familje, nga 52 që ishin në fillim. Nuk ka asnjë banesë me prezencë uji. Në Lezhë ka 4 banesa me prezencë uji dhe 1300 hektarë tokë e përmbytur”,- u shpreh Peleshi.(Elona)