Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ka diskutuar projektligjin “Për disa ndryshime në “Kodi Rrugor”, duke miratuar me konsensus disa ndryshime. Ndryshimet kanë të bëjnë kryesisht me shpejtësitë e lejuar në autostradat shqiptare, si dhe rritjen e moshës për mbajtjen e lejes së drejtimit.
Pas disa diskutimesh, deputetët e komisionit kanë vendosur që shpejtësia e lejuar nëpër autostradat shqiptare nga 110 km/orë që është aktualisht, të rritet në 130 km/orë, citon “RTSH”.
Sipas deputetëve në komision, por edhe ekspertëve të sigurisë rrugore që ishin të pranishëm në mbledhjen e komisionit parlamentar, autostradat në Shqipëri i kanë kushtet për lëvizjen e automjeteve në nivelin e shpejtësisë deri në 130 km/orë.
Një ndryshim tjetër ishte edhe kufiri i moshës për të lejuar mbajtjen e patentës. Tashmë, me ndryshimet e miratuara në komision, qytetarëve deri në 70 vjeç, do t’u lejohet mbajtja e patentës. Kohëzgjatja ndryshohet nga mosha 65 vjeç deri në 70 vjeç.
Vendim tjetër i miratuar në komision është edhe lejimi i mbajtjes së dy patentave. Kujtdo qytetar shqiptar që zotëron një patentë të huaj nuk do t’i hiqet e drejta për të mbajtur edhe atë të vendlindjes.
Në komision u diskutua dhe për lëvizjen e monopatinave në rrugët interurbane. Deputetët sugjeruan që të vendosen rregulla edhe për këta drejtues mjetesh.
Ndryshimet e propozuara dhe të miratuara në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, pritet të votohen edhe në Kuvend, ku kërkohet një shumicë e cilësuar votash, minimumi me 2/3 e votave të parlamentarëve. (Elona)