Forumi kinez i shkencëtarëve tërheq më shumë studiues ndërkombëtarë për të ardhmen e globit
2022-11-24 17:37:31

A duhet të ketë më shumë mbështetje për të siguruar reduktimin e emetimeve të karbonit në vendet në zhvillim? A është e pranueshme që vendet e ndryshme të ndjekin secili rrugët e veta për transformimin e konsumit të energjisë?

Foto:Xinhua

Në të kaluarën, dallimet e opinioneve për këto çështje shpesh kanë penguar  bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë drejtim. Por tani në Shangai, shkencëtarët globalë janë të gatshëm të përballojnë vështirësitë dhe të punojnë së bashku për të gjetur zgjidhje shkencore për sfidat e përbashkëta me të cilat përballet njerëzimi. 

Forumi Botëror i Laureatëve 2022 (Forum WLA), i cili mblodhi 60 shkencëtarë të njohur nga mbi 20 vende dhe rajone, duke përfshirë 27 nobelistë, paraqet një përgjigje të përsosur për botën. Kjo është hera e pestë e organizimit të Forumit WLA. Në pesë edicionet e fundit, suksesi i Forumit ka pasqyruar besimin e Kinës në fuqinë e teknologjisë për të nxitur inovacion dhe zhvillimin, gjë që dëshmon gjithashtu gatishmërinë e vendit për zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe siguruar që më shumë të rinj të ndjejnë kënaqësinë e zbulimit shkencor.

“Kur biseduam me ekspertë të huaj në Forum, shumë prej tyre u ndjenë të habitur dhe të emocionuar që kaq shumë shkencëtarë të mirë, mendje kaq të shkëlqyera nga e gjithë bota dhe me prejardhje të ndryshme kërkimore- shkencore, mund të udhëtonin deri në Shangai për të diskutuar mbi zhvillimin e shkencës”, - tha Jiang Xuefeng, profesor i Inxhinierisë Kimike dhe Molekulare nga Universiteti Pedagogjik i Kinës Lindore.

Foto:Xinhua

Krahas pandemisë globale COVID-19 që pengon udhëtimet ndërkombëtare dhe sjell një situatë kaotike, çfarë bëri që një forum i organizuar nga një organizatë joqeveritare të tërheqë vëmendjen e kaq shumë shkencëtarëve më të mirë nga e gjithë bota? “Është një takim shkencor vërtet madhështor, pasi Forumi ofron një mundësi unike për të mësuar mbi përparimet më të fundit në fusha të ndryshme”, - thotë Roger Kornberg, fitues i Çmimit “Nobel” për Kimi në vitin 2006 dhe kryetar i Shoqatës Botërore të Laureatëve në ceremoninë e hapjes së Forumit.

Synimi i përmbushjes së tre misioneve, si promovimi i studimeve të shkencës bazë, nxitja e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mbështetja e rritjes së fëmijëve me vizionin e "Shkencës dhe Teknologjisë për Fatet e Përbashkëta të Njerëzimit", është fokusi i Forumit WLA. Ai gjen jehonë të gjerë, duke bërë që shkencëtarët në mbarë botën të pasionuar dhe mbështetës ndaj këtij aktiviteti, të kontribuojnë me njohuritë e tyre për disa nga problemet më urgjente të njerëzimit. Nga ana tjetër, Forumi pasqyron edhe rëndësinë që Kina i ka kushtuar shkencës dhe qëndrimin e hapur të saj ndaj botës së jashtme.

Mjafton të merren si shembuj dy çmimet e dhëna në këtë edicion të Forumit. Ai për Shkencë Kompjuterike ose Matematikë iu akordua shkencëtarit kompjuterik amerikan Michael I. Jordan, ndërsa biokimistit gjerman Dirk Görlich, çmimi për Shkencën e Jetës ose Mjekësinë. Të dy shkencëtarët përfituan një shpërblim nga 10 milionë juanë (1.4 milionë dollarë) secili, duke e bërë WLA-në një nga çmimet më të larta shkencore në botë.

Foto:Xinhua

Çmimi WLA është një vlerësim ndërkombëtar i dhënë nga një institucion joqeveritar kinez dhe i rekomanduar nga shkencëtarët më të njohur botërorë. Institucionet kineze që shpenzojnë një sasi kaq të madhe fondesh për të vendosur çmime të tilla pasqyrojnë besimin dhe vendosmërinë e Kinës për t'u përfshirë thellësisht në qarqet më të larta akademike shkencore në botë, gjë që ndihmon gjithashtu në rritjen e ndërgjegjësimit të publikut mbi shkencën dhe teknologjinë dhe thellimin e të kuptuarit të progresit si dhe zhvillimit shkencor e teknologjik ndërkombëtar.

Vitet e fundit, Kina ka bërë investime të papara në shkencë dhe teknologji, me shpenzimet për kërkim dhe zhvillim (R&D) që u rritën nga 1 trilion juanë në vitin 2012, deri në 2.8 trilion juanë në vitin 2021. "Ne jemi bërë më të fortë në kërkimin bazë dhe inovacionin origjinal. Kemi bërë përparime në disa teknologji thelbësore në fusha kyçe dhe kemi nxitur zhvillimin e industrive strategjike". Kështu thuhet në raportin e Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së, i cili përgjithësoi arritjet kryesore shkencore të vendit gjatë dekadës së fundit.

Sipas Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale, renditja e Kinës në Indeksin Global të Inovacionit, u rrit nga vendi i 34-të në vitin 2012, në vendin e 11-të në vitin 2022. Besohet se në të ardhmen, numri i çmimeve të shkencës dhe teknologjisë së Kinës do të rritet më tej. Gjithnjë e më shumë shkencëtarë kryesorë globalë do të jenë krenarë të vlerësohen me çmimet e shkencës dhe teknologjisë të Kinës.

Ndërkohë, Kina shfaq edhe qëndrimin e hapur ndaj botës në fushën e shkencës. Vitet e fundit, Kina ka marrë pjesë në më shumë se 200 mekanizma ndërkombëtare dhe shumëpalëshe që kanë të bëjnë me shkencën dhe teknologjinë, ka vendosur bashkëpunim shkencor dhe teknologjik me 161 vende dhe rajone, ka nënshkruar 114 marrëveshje ndërqeveritare në këtë drejtim, ka nisur ndërtimin e 53 laboratorëve të përbashkët sipas Iniciativës "Një brez një rrugë" (BRI), duke ndërtuar pesë platforma rajonale për transferimin teknologjik të nivelit kombëtar me vendet anëtare të ASEAN-it, Azinë Jugore, vendet arabe, Azinë Qendrore dhe Evropën Qendrore dhe Lindore.