Ambasadori Zhou Ding merr pjesë në seminarin “Kina dhe Ballkani Perëndimor në vitin 2022”
2022-11-23 20:43:35

Ambasadori kinez në Tiranë Zhou Ding mori pjesë të hënën në seminarin “Kina dhe Ballkani Perëndimor në vitin 2022 - Sfidat, mundësitë dhe potencialet e bashkëpunimit”, të organizuar nga Instituti i Studimeve të Globalizimit i Shqipërisë (AIGS), ku shkëmbeu mendime me ekspertët e instituteve kërkimore dhe të qarqeve akademike, mediatike e të biznesit nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Në këtë veprimtari, përfaqësuesja e posaçme e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës për Bashkëpunimin Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore Jiang Yu dhe ambasadori kinez në Shkup Zhang Zuo mbajtën fjalime përshëndetëse.

Në seminar, ambasadori Zhou i njohu pjesëmarrësit me Kongresin e 20-të Kombëtar të PKK-së dhe zhvillimin e tanishëm të marrëdhënieve Kinë-Shqipëri. Sipas tij, në Kongres u publikua një udhërrëfyes për zhvillimin e ardhshëm të Partisë dhe të vendit. Kina do t’i përmbahet hapjes me nivel të lartë dhe do të ndjekë rrugën e modernizimit me karakteristika kineze. Modernizim me karakteristika kineze do të thotë modernizim i një popullsie gjigante, me begati të përbashkët, zhvillim të bashkërenduar të qytetërimeve materiale e shpirtërore, bashkëjetesë harmonike ndërmjet njeriut dhe natyrës, si dhe zhvillim paqësor. “Kina është e gatshme të jetojë në mënyrë paqësore dhe të zhvillohet bashkë me vendet e tjera të botës në bazë të respektit dhe leverdisë së ndërsjellë. Kina është e përkushtuar për nxitjen e qëndrueshmërisë afatgjatë dhe lulëzimit të përbashkët të Ballkanit Perëndimor dhe do të krijojë më shumë raste zhvillimi për vendet e rajonit, duke përfshirë Shqipërinë”, tha përfaqësuesi diplomatik i Kinës në Shqipëri.

Ndërkohë, shkëmbimet e nivelit të lartë Kinë-Shqipëri kanë ruajtur hovin e madh të zhvillimit dhe bashkëpunimi ekonomiko-tregtar dypalësh është shtuar. Importet e Kinës nga Shqipëria janë rritur me 102.6 % vitin e kaluar. Ndërmarrjet kineze kanë dhënë një kontribut të madh në taksa, duke krijuar shumë vende pune. Shkëmbimet njerëzore dhe kulturore kanë qenë mjaft të frytshme, si për shembull, zhvillimi me sukses i Javës së Kulturës Kineze pak kohë më parë në Tiranë. “Ky vit shënon 10-vjetorin e nisjes së mekanizmit të Bashkëpunimit Kinë-EQL. Gjatë dekadës së kaluar, ky bashkëpunim u ka sjellë mirëqenie konkrete vendeve dhe popujve të Ballkanit Perëndimor. Kina është e gatshme të shtojë bashkëpunimin e nivelit të lartë me vendet e rajonit, duke përfshirë Shqipërinë, në bazë të miqësisë tradicionale dhe parimit të leverdisë së ndërsjellë”, tha ambasadori Zhou Ding.

Seminari përfshinte katër panele, që përkatësisht ishin: Bashkëpunimi në kuadrin e nismave kineze në rajon dhe ekonomia; Kultura, filozofia kineze dhe shkëmbimet njerëzore; Media dhe portretizimi i Kinës në Ballkanin Perëndimor; Politika, gjeopolitika dhe prezenca e Kinës në Ballkan. Pjesëmarrësit ishin të mendimit se ka hapësira të mëdha dhe perspektivë të ndritur bashkëpunimi midis Kinës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky bashkëpunim do të arrijë më shumë përparim krahas ecurisë së modernizimit të Kinës. (Zhang Yan/Artan)