Pak më shumë se një muaj më parë, tetë studentë nga dega e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit erdhën në Universitetin e Tiranës për të studiuar shqip përmes programit të bursave të shkëmbimit qeveritar Kinë-Shqipëri. Si janë ata tani? Janë mësuar me jetën në Tiranë? Çfarë ndjejnë ata për kohën e kaluar këtu? Tre prej tyre pranuan intervistën e CMG-së dhe rrëfejnë eksperiencën studimore në Shqipëri.
Dy vite më parë, Jin Ziyu, Zuo Zhaoyang dhe Men Jingqi zgjodhën të studionin shqip në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit për shkak të dashurisë së tyre për të zotëruar dhe komunikuar edhe në gjuhë të tjera. Dhe duke qenë se donin të thelloheshin më tej për gjuhën dhe kulturën shqiptare, aplikuan për të studiuar në Universitetin e Tiranës.
Edhe pse jeta e tyre studimore ka pak më shumë se një muaj që ka nisur, tre studentët kinezë rrëfejnë ndjenjat e përjetuara deri tani prej tyre, që gjithsesi janë të ndryshme dhe të veçanta.
Jin Ziyu
Jin Ziyu është një vajzë e ngrohtë dhe gazmore. Ajo ka marrë pjesë edhe në klasën e Tai Chi-së të Institutit Konfuci në Tiranë. Një herë në javë ajo mëson Tai Chi me ushtrues vendas. "Jam e befasuar nga miqtë shqiptarë që kam në klasë, sepse mes tyre nuk ka vetëm të rinj si unë, por edhe fëmijë dhe njerëz në moshë të madhe. Të gjithë kanë kuptimin e tyre për Tai Chi-në, madje shumë syresh janë mjaft të njohur me këtë art marcial apo kulturën e vendit tim. Si kineze, jam e mahnitur nga aftësitë e tyre të larta në kung fu, butësinë e lëvizjeve dhe njohuritë e pasura për artet marciale." – thotë ajo. Sipas Jin Ziyu, ndarja e eksperiencave të ndryshme me miqtë shqiptarë, ndihmon jo vetëm ata për të kuptuar më mirë kulturën kineze dhe Kinën, por edhe vetë atë për të pasuruar më tej kuptimin e saj për kulturën tradicionale kineze.
Sa për djalin e pashëm Men Jingqi, ai është jashtëzakonisht i emocionuar që pati fatin të shihte me sytë e tij monumentet shqiptare të cilat më parë i kishte shikuar në librat shkollorë të Kinës, si Xhamia e Et’hem Beut, Sheshi Skënderbej etj. Ai mendon se kjo është një përvojë e mrekullueshme.
Ndërsa Zuo Zhaoyang shijon më shumë ritmin e ngadaltë të jetës këtu, në krahasim me Pekinin, gjë që i jep më shumë kohë dhe mundësi për të përjetuar thellësisht bukurinë e Shqipërisë.
Kur i pyet se çfarë shpresojnë të fitojnë gjatë studimeve në Shqipëri, Jin Ziyu përgjigjet shumë thjeshtë. Ajo mendon të luajë rolin e një ure midis Kinës dhe Shqipërisë, por edhe Kinës dhe botës. Ajo tregon dëshirën e saj për të qenë në vijën e parë të shkëmbimeve kulturore mes Kinës dhe vendeve të tjera. Gjatë procesit të studimit jashtë Kinës, ajo jo vetëm do të përmirësojë aftësitë e saj gjuhësore, por do të mësojë edhe historinë dhe kulturën shqiptare, duke e përdorur këtë mundësi të çmuar dhe avantazhet e saj gjuhësore në përhapjen e kulturës kineze dhe rrënjosjen e kujtimeve të çmuara të rinisë së saj.
Men Jingqi
Men Jingqi thotë se është shumë i interesuar për Ballkanin dhe Evropën Juglindore, ndërsa shpreson që përmes studimeve në Shqipëri, të mësojë të shikojë disa çështje nga këndvështrimi i një shqiptari, të hapë rrugën e mendimit të tij dhe mbledhë më shumë informacione rreth këtij rajoni. Kjo do të shërbejë edhe si një përgatitje e vlefshme për kërkimet e ardhshme në këtë fushë.
Gjatë studimeve në Shqipëri, tre të rinjtë janë takuar me shumë shqiptarë të interesuar për Kinën. Ata janë të befasuar me mrekullitë e zhvillimit të Kinës dhe kanë mjaft kuriozitet për kulturën kineze. Të gjitha këto i bëjnë të rinjtë kinezë që studiojnë në vende të huaja që të ndihen krenarë.
Të tre studentët kinezë përmendin fjalën "ngrohtësi" në intervistën e tyre, duke shtuar se përvoja e tyre këtu rrethohet nga miqësia që u ofrojnë shqiptarët.
Zuo Zhaoyang
Si Zuo Zhaoyang, edhe Men Jingqi tregojnë se qoftë shoferët e taksisë, arkëtarët e bankave, apo të moshuarit që takojnë në rrugë, përcjellin gjatë gjithë kohës entuziazmin dhe dashamirësinë e shqiptarëve ndaj kinezëve. Kjo lloj miqësie, së bashku me jetën komode dhe klimën e butë, i bëjnë ata të kenë një humor të mirë çdo ditë.
Ngrohtësia që ndjen Jin Ziyu vjen nga mirëkuptimi i saj për shqiptarët. Ajo tregon se para se të vinte këtu, e dinte se Shqipëria jo vetëm është një vend i vogël në skajin juglindor të Ballkanit, por që ka një histori të gjatë dhe karakteristika unike kulturore. Ajo përmend konkretisht se shqiptarët i kushtojnë shumë rëndësi besës. Kjo e bëri atë që ta admirojë edhe më shumë këtë popull. Ajo beson se besa është themeli i komunikimit njerëzor, prandaj ka një dashuri të natyrshme për shqiptarët. Pikërisht kjo ndjenjë për shqiptarët e shpërblen atë me të njëjtin favor dhe entuziazëm, ndërsa ndihma që i ofrojnë shqiptarët e bën të ndjehet jashtëzakonisht mirë dhe ngrohtë si një vajzë që jeton jashtë atdheut të saj.
Besoj se kjo periudhë e studimeve jashtë vendit do të jetë e shkëlqyer dhe e paharrueshme për ta dhe shpresoj që ngrohtësia që ata ndjejnë të zgjasë përgjithmonë. (Çang Çuo/ Li Huailiang)