Seminari Kinë-Ballkani Perëndimor, ambasadori i Kinës në Shqipëri, Zhou Ding: Promovon bashkëpunimin
2022-11-23 17:59:01

Ambasadori Zhou Ding në seminar

Ambasadori Zhou Ding në seminar

Ambasadori i Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, ka vlerësuar seminarin mbi Kinën dhe Ballkanin Perëndimor, ku siç u shpreh u ndanë pikëpamje për thellimin e marrëdhënieve, veçanërisht për mënyrën se si mund të promovohet efektivisht bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar dhe shkëmbimet njerëzore dhe kulturore midis Kinës dhe Shqipërisë.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, ambasadori kinez shpreh kënaqësinë për shkëmbimin e ideve në aktivitetin e organizuar në Tiranë nga Instituti Shqiptar për Studimet e Globalizimit.

“Kënaqësi e madhe që mora pjesë në seminarin “Kina dhe Ballkani Perëndimor 2022: Sfida, mundësi dhe potenciale bashkëpunimi”, organizuar nga Instituti Shqiptar për Studimet e Globalizimit, si dhe të takoja dhe shkëmbeja ide me studiues, përfaqësues të universiteteve, mediave dhe ndërmarrjeve nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut”,- shkroi ambasadori.

Diplomati kinez shtoi se përballë sfidave të shumta, mezi pret të punojë me miq nga të gjitha qarqet në Shqipëri për t'u përballur me këto sfida në vazhdim dhe për t’i ngritur marrëdhëniet dypalëshe në një nivel të ri. (Elona)