Lavdërim Hoxha prej dy vitesh ushtron profesionin e pedagogut në Fakultetin e Ekonomisë, departamenti i marketing-turizmit. Ai ka marrë pjesë në disa prej maratonave më të rëndësishme në Shqipëri dhe vende të tjera të Europës, duke arritur rezultate të larta. Një nga pasionet e tij është dhe ngjitja në majat më të larta të vendit dhe jashtë, siç është dhe maja e malit Ararat, një prej eksperiencave më të bukura të tij. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për eksperiencat në maratonën e Tiranës, Berlinit, Shkupit dhe Budapestit, ngjitjen në majat më të larta si dhe punën si pedagog dhe raportet me studentët.
Lavderim Hoxha (Foto personale)
CMG: Keni marrë pjesë në disa maratona në vende të ndryshme të botës. Si nisi ky rrugëtim në shumë shtete në kuadër të maratonave?
Lavdërim Hoxha: Në fakt unë bëra 5 vite ekzaktësisht që jam pjesë e personave që bëjnë maratona brenda Shqipërisë dhe jashtë. Kjo nisi krejt rastësisht 5 vite më para teksa organizohej gjys maratona e Tiranës në vitin 2017, kur unë nuk stërvitesha për vrap sepse isha i angazhuar me punë kryesisht jashtë Shqipërisë, dhe disa miqtë e mi më thanë për të marrë pjesë në maratonën e Tiranës në 21 km. Më vonë më thanë meqë unë nuk isha stërvitur, që të merrja pjesë në 10 km sepse është distancë më e shkurtër dhe më e përballueshme. Sigurisht që këtu pata një lloj sfide që pse jo edhe unë mund ta provoj 21 km, duke qenë se në ato vite isha i angazhuar dhe me alpinizmin, me ngjitje të ndryshme në maja brenda dhe jashtë vendit, dhe thashë pse jo djalë i ri, kam dhe pregatitjen fizike dhe ta provoja për 21 km po pasur një eksperiencë të mëparëshme të distancës më shumë se 5 km. Kështu ndodhi teksa kujtoj vitin 2017 ku ishte një intinerar me tre xhiro, dhe kujtoj që nisa me një lloj sigurie që mund ta bëja si distancë. Mbas kilometrit të 14 filloi të ndjehej lodhja, por që kjo ishte ajo ndjesia që mua më pëlqeu shumë, pra ky konflikti midis vetes dhe thashë si mund të ndaloj unë në Tiranë duke vrapuar, pra do e çoj deri në fund pa ndaluar dhe kështu bëra. Arrita ta përfundoja me sukses rreth 1 orë e 55 minuta, një kohë relativisht e mirë për dikë pa eksperiencë, dhe aty pastaj vendosa që të tentoj dhe maratonën e plotë për të parë sesi është ky konflikti i brendshëm midis logjikës që thotë ndalo dhe dëshirës që thotë vazhdo. Pra ishte diçka që sgurisht në mal ndodh, por ndodh në një formë tjetër dhe unë nuk e kisha rastësisur në këtë lloj mënyre siç më ndodhi në vrap.
Lavderim Hoxha gjate njw ngjitje ne maje (Foto personale)
Lavderim Hoxha ne majen e malit Ararat (Foto personale)
Pastaj mora pjesë në maratonënë e plotë në Shkup në vitin 2019 ku arrita ta përfundoja për 4 orë e 5 minuta, një eksperiencë fantastike ku mbaj mend që në finish kam qarë pa fund sepse ishin momente emocioni dhe të veçanta, dhe nga aty pastaj nuk iu ndava maratonave.
CMG: Cilat kanë qenë maratonat jashtë Shqipërisë ku ju keni qenë pjesëmarrës dhe si kanë qenë rezultatet?
Lavdërim Hoxha: Kam bërë rreth dy maratona në vit, ku vazhdova me maratonën e Budapesti dhe maratonënë e Beogradit. Në fakt dua të veçoj maratonën e parë të Tiranës 42 km që u zhvillua në tetorin e vjetshëm ku isha dhe unë një ndër ato 50 vrapuesit që vendosëm të vraponim në distancën e plotë. Maratona më e rëndësishme që unë kam bërë është ajo e Berlinit para dy muajve, e cila është një ndër 5 maratonat më të mëdhaja të botës dhe më të rëndësishmet. Kështu që unë pata fatin që të merrja pjesë dhe të arrija të realizoja dhe kohën time më të mirë rreth 3 orë e 26 minuta. Pra u bëra dhe unë pjesë e këtij trendi global tashmë prej shumë vitesh, të bërit maratona të suksesshme dhe më të njohura.
CMG: Fillimisht ju keni nisur me ngjitjen e majave më të larta brenda dhe jashtë vendit. Flasim për këtë eksperiencë tuajën.
Lavderim Hoxha ne majen me te larte te Austrise (Foto personale)
Lavderim Hoxha ne Maratonen e Beogrsdit (Foto personale)
Lavdërim Hoxha: Prej shumë vitesh unë jam marrë me ngjitje të ndryshme në male, që prej kohës që unë isha në gjimnaz dhe më pas ky pasion vazhdoi ndër vite dhe kam arritur që përveç majave më të larta në Shqipëri bashkë me grupin e miqve të mi kemi ngjitur majat më të larta të rajonit. Maja më e lartë që kemi ngjitur ka qenë ajo e Ballkanit ku në vitin 2017 shkuam në majën e Musallës në Bullgari si maja më e lartë, më pas shkuam në majën e Olimpit, një majë shumë e shenjtë dhe e njohur në Ballkan. Kemi shkuar dhe tek maja e tretë më e lartë në rajon siç është ajo e Trigllavës në Slloveni, dhe më pas kjo dëshira jonë për majat më të larta vazhdoi dhe çdo vit ngjisim nga një majë në këto 5 vitet e fundit.
Në vitin e vështirë të pandemisë 2020 shkuam dhe në Grossglockner në majën më të lartë të Austrisë. Në fakt një nga majat që unë gjithmonë e kam pasur dëshirë për shumë arsye, ku një nga arsyet ka qenë që një prej punës time në vitet e shkuara në turizëm ku më është dhënë mundësia që të udhëtoj tre herë brenda të njëjtit vit në Yerevan të Armenisë ku gjëja që binte më shumë në sy ishte pikërisht maja e Araratit. Kjo majë dukej nga çdo cep i qytetit ku ngjiteshe për të bërë një foto shikoje në sfond Araratin. Bashkë me miqtë e mi vendosëm që në vitin 2021 të shkonim në majën më të lartë të Turqisë zyrtarisht, në një ekspeditë 5 ditore me një eksperiencë fantastike ku ne besojmë që kjo ngjitje ishte më e veçantë dhe e vështirë, por na e bëri më të madh gëzimin për këtë sukses të arritur.
CMG: Ju keni studiuar në fushën e ekonomisë ku turizmi ka qenë në fokusin tuaj, duke bërë që të udhëtoni në shumë vende për të parë kulturat e këtyre vendeve, por duke promovuar dhe turizmin tonë te të huajt.
Lavderim Hoxha ne Maratonen e Berlinit (Foto personale)
Lavdërim Hoxha: Unë kam studiuar për financë në fakultetin e ekonomisë dhe për shumë vite kam punuar në sektorin e turizmit dhe më është dhënë mundësia që të udhëtoj shumë kryesisht në Europë, por edhe në Azi pasi një pjesë e rëndësishme e biznesit që kompania zhvillonte ka qenë tregu aziatik. Aty më është shtuar edhe më shumë dëshira që jo vetëm udhëtimi në këto vende, por dhe gjetja e formës dhe pasionet e e mia siç është alpinizmi apo qoftë dhe vrapi në këto vite t’i ushtroj duke synuar të vrapoj në këto vende, dhe sigurisht të ftoj miq dhe bashkëpunëtorë nga këto vende që të vijnë në Shqipëri e të marrin pjesë në aktivitete që ne zhvillojmë.
Gjithmonë kam besuar që sporti është një nga ato format më të mira sesi mund të bashkoi kultura të ndryshme dhe sesi mund ti bëjë më pranë njëra tjetrës. Besoj që këtë gjë në këto vite unë e kam parë më nga afër, ku teksa isha në maratonën e Berlinit dhe vraponin rreth 40 mijë persona nga 170 vende të ndryshme dhe maratona njihet si një nga sportet më unike ku bashkon të gjithë popujt nga të gjitha kontinentet ku secili prej nesh ka të njëjtin synim, të vrapojë dhe ti përshkruajë ato 42 km pavarësisht kulurës apo shkollimit që ne kemi. Kjo është një nga arsyet e tjera që unë e kam parë maratonën si një formë që të nxisi dhe më tepër ndërveprimin me kultura të ndryshme dhe bashkëpunimit.
CMG: Cila ka qenë eksperienca juaj më e bukur në këto udhëtime?
Lavdërim Hoxha: Patjetër do veçoja Tokion e Japonisë si një vend shumë të veçantë dhe ndryshe nga vendet e tjera. Çdo gjë në kulturë, mirësjellje, sesi ato bëjnë biznes, sesi ushqehen sepse ato janë dhe vendi me jetëgjatësinë më të lartë në botë, sepse i japin shumë rëndësi kulturës, formave të respektimit të disa normave shoqërore që janë shumë më të vështira për kulturën tonë. Ajo që unë veçoj dhe më pëlqente shumë pasi udhëtimet që unë bëj atje janë në bashkëpunim me biznes, ata gjithmonë e mirëkuptonin diferencën dhe faktin që unë mos t’i kuptoja mirë për faktin e normave të tyre, por gjithmonë ishin mirëkuptues dhe kjo gjë e bënte më të veçantë bashkëpunimin dhe harmoninë në atë vend. Mund të shtoj dhe Singaporin si një ndër shtetet më të ri në këto 50 vitet e fundit, por që ka një zhvillim të jashtëzakonshëm, dhe sigurisht ana ekonomike atje që është për tu marrë shembull. Gjithashtu udhëtimi në Armeni ka qenë ndër të veçantët për mua.
Lavderim Hoxha ne Maratonen e Budapestit (Foto personale)
CMG: Keni të tjera pasione në jetë përveç alpinizmit, udhëtimeve dhe vrapimit?
Lavdërim Hoxha: Pasioni im i fëmijërisë që mundohem akoma të jem aktiv jo më si dikur është patjetër sporti i shahut. Shpeshherë dikur miqtë e mi qeshnin sepse nuk e quanin sport, por faktikisht është sport sepse ka dhe federatë, botëror dhe olimpiadë shahu. Ky është padyshim një nga sportet dhe pasionet ku unë që i vogël falë babait tim si ish oficer, që dikur shahun e kishte shumë të pranishëm dhe unë e mësova që në moshë të hershme kur isha 5 vjeç. Kam marrë pjesë në turne të ndryshëm ku dy vite kam dalë kampion i Tiranës për gjimnazet kur isha nxënës i gjimnazit “Qemal Stafa”. Jam federuar dhe si gjyqtar ndërkombëtar i shahut, pra u mundova në disa kompeticione që të jepja kontributin tim në shahun vendas. Ka qenë një ndër sportet që unë e vlerësoj më së shumti pasi që në ]vitet e para të shkollës e lidhja shumë me matematikën pasi arrija të kuptoja rrjedhën logjike. Në një moment të caktuar në shah duhet të marrësh një vendim të caktuar, duhet të bësh 7-8 kalkulime dhe çfarë do lëvizte lojatari tjetër. Shpeshherë ishte një mënyrë e duhur që unë e përdorja dhe në matematikë, në ushtrimet e vështira gjatë kohës së shkollës 8 vjeçare apo qoftë dhe në gjimnaz dhe shpeshherë më rezultonte e suksesshme, pasi ajo që ti mësoje nga shahu ishte sesi të ushtrohesh në një moment të vëshitrë për të bërë vendimin e duhur. Po ashtu në matematikë e gjeja të lidhur, dhe besoj që jo vetëm matematikë në ato vite por dhe në jetë më vonë për të marrë vendime të duhura në momente të rëndësishme personale apo qoftë dhe profesionale. Tani e kam hasur dhe në fakultet pjesën e strategjisë si lëndë, pra shahun gjithmonë e kam parë si një ndër ato gjërat e rëndësishme të CV-së apo historikut të jetës time.
CMG: Punoni si pedagog në fakultetin e ekonomisë. Si janë raportet me studentët të këtij fakulteti?
Lavderim Hoxha ne Maratonen e Shkupit (Foto personale)
Lavdërim Hoxha: Unë prej dy vitesh jam tashmë pjesë e stafit pedagogjik të fakultetit të ekonomisë në departamentin e marketing-turizmit. Për mua është një eksperiencë shumë e bukur dhe e veçantë, dhe sigurisht marrëdhënia me studentët është shumë e rëndësishme, ku unë bëj pjesë tek ato pedagogë që janë gjithmonë mirëkuptues dhe nuk e shoh si një marrëdhënie të njëanshme që vetëm unë do bëj leksionin dhe studentët do dëgjojnë.
Unë gjithmonë falë dhe teknikave që kemi mësuar nga universitetet më të mira perëndimore ku roli i pedagogut është dhe të nxisë studentët që të zhvillojnë raste studimore, të bëjnë punë kërkimore, të jenë aktiv në debate të ndryshme për situatat që ne marrim në shqyrtim. Pra është gjithmonë një marrëdhënie që sesi ti nxisësh ata për të qenë më proaktivë, që ky proaktiviteti i tyre në orën e mësimit të zhvillohet nesër në punët që ato bëjnë në tregun privat. Jemi gjithmonë jo vetëm unë, por dhe kolegët e mi të cilët synojmë që të pregatisim një brez i cili do jetë shumë i rëndësishëm dhe i nevojshmë për tregun e punës. Gjithashtu ne kemi marrëveshje me kompani të ndryshme shqiptare dhe ndërkombëtare ku zhvillojnë praktika dhe japin mundësi bursash për studentët tanë në mënyrë që studentët më pas të jenë pjesë e këtyre kompanive.
CMG: Një mesazh për brezin e ri?
Lavdërim Hoxha: Ajo që unë do ju thoja është që më shumë sesa e ardhmja dukshëm ne e shohim që të rinjtë janë e tashmja sepse janë shumë të nevojshëm në të gjitha industritë e tregut të punës dhe institucione të ndryshme. Unë do ju thoja punoni sa më shumë, studioni sa më shumë sepse kontributi juaj në shoqërinë shqiptare do jetë shumë herë më i madh sa më shumë të punoni sot.
Intervistoi: Gazmend Agaj