Sipërmarësi shqiptaro-norvegjez: Pro aministisë fiskale nëse kalon në filtra
2022-11-23 14:52:22

Në vazhdimin e debateve dhe qëndrimeve pro e kundra për projektligjin e  Amnistisë Fiskale një tjetër kënvështrim vjen nga një sipërmarrës shqiptaro – norvegjez, i cili thotë se qeveria është e vonuar për këtë nismë. Sipërmarrësi Bujar Zhuri shprehet se në situatën aktuale ekonomike, amnistia fiskale e mirë kontrolluar, jep  ndihmë.

“Reforma që do të bëhet me këtë amnisti fiskale është e vonuar, duhej të ishte bërë shumë më përpara. Personalisht unë jam pro kësaj amnistie dhe e shoh si mjaft pozitive. Detyrimisht ka edhe zëra kundër saj, të cilët natyrshëm duhen dëgjuar, por mendimi im është se kjo amnisti është pozitive jo vetëm për ata që duan të investojnë paratë e tyre, por edhe për situatën ekonomike që kalon Shqipëria”- thotë Zhuri.

Amnistia fiskale (Foto dritare.net)

Amnistia fiskale (Foto dritare.net)

I pyetur nëse amnisti të tilla janë implementuar në vende të tjera, sipërmarrësi Zhuri thotë se Norvegjia ku ndan aktivitetin e tij të biznesit, aplikon amnisti.

“Amnisti fiskale sigurisht që ka në shumë vende edhe vetë vendet e Bashkimit Evropian, por duke marrë shkas që unë jetoj në një vend si Norvegjia dhe sigurisht që ndaj jetën midis Norvegjisë dhe Shqipërisë, dua të theksoj që ka një sistem të tillë amnistie. Edhe pse Norvegjia vetë nuk është anëtare e Bashkimit Europian dhe nuk pretendon të hyjë në BE, por e ka një mundësi të tillë. Përshembull nëse një qytetar norvegjez, i cili ka një sasi parash të akumuluara diku në një vend jashtë Norvegjisë, të realizuar nëpërmjet një pune ose aktiviteti ekonomik dhe nuk ka paguar taksat dhe nuk e ka lajmëruar këtë në sistemin fiskal norvegjez, detyrimisht në mënyrë vullnetare mund të paraqitet në instituionet norvegjeze të tatimtaksave dhe mund të bëjë këtë njoftim duke paguar TVSH-në, taksën nacionale dhe duke mos u ndjekur penalisht nga institucionet ligjzbatuese. Në rastin e kundërt kur shteti norvegjez zbulon se individë të caktuar dhe qytetarë të caktuar kanë para të akumuluara në mënyrë të fshehtë, sigurisht që ndëshkimi është jashtëzakonisht i madh. Kështu që, duke u paraqitur në mënyrë të vullnetshme, këta ta krijojnë mundësinë që individët mos të ndëshkohen penalisht kështu që është krejt normal dhe paguhet një lloj takse që është taksa nacionale, TVSH-ja por paguhet dhe një rent ose një interes bankar të 10 viteve të fundit në të cilët ti nuk i ke lajmëruar institucionet. Kjo e bën që në një fare mënyre këta individë të cilët duan t’i amnistojnë paratë e tyre në shtet, e kanë një hapësirë të tillë dhe i ndihmon ata të cilët duan të amnistojnë paratë e tyre në institucionet norvegjeze si në rastin që duam të bëjmë në Shqipëri.”- thekson sipërmarrësi.

Hedhja në qarkullim e këtyre parave sipas  sipërmarrësit Zhuri jep përfitime për ekonominë  dhe rrit likuiditetin.

“Duke parë inflacionin në rritje në shkallë globale por edhe në atë nacionale, pra rritjen e këtij inflaiconi në vendin tonë,  impakti do të jetë shumë pozitiv me këtë lloj reforme. Injektimi i parasë në këtë kohë kur çmimet janë rritur dhe fuqia e vetë valutës vendase apo atë të huaj në treg ka rënë. Besoj se shteti mund të përfitojë shumë nga kjo, por më shumë mund të përfitojnë edhe shumë individë dhe aktivitete ekonomike të cilat kanë shumë nevojë për likuiditet në këtë fazë.”, shton ai.

Për këtë sipërmarrësi shqiptaro- norvegjez jep edhe shembuj.

bujar-zhuri (dhoma e biznesit te diaspores) jpg

bujar-zhuri (dhoma e biznesit te diaspores) jpg

“Personalisht besoj se përfitimi do të jetë i dyanshëm. Marrim një shembull shumë të thjeshtë. Një ndërtues i ndershëm që ka investuar duke huazuar para në bankë dhe ka ndërtuar rreth 100 apartamente që i ka në gjendje për t’i shitur por që nuk ka blerës, injektimi i kësaj paraje mund të krijonte mundësi të rritjes së shitjes dhe blerjes nga ana e individëve të caktuar. Kjo do të bënte të mundur qarkullimin e parasë, kjo do të lehtësonte dhe bankat që janë kreditorë të këtyre kompanive apo ndërmarrjeve, të cilat kanë një mundësi më të madhe likuiditeti në treg, njëkohësisht kanë dhe një mundësi shumë më të madhe të qarkullimit të kapitaleve të parasë. Kështu bankat dhe investitorët minimizojnë riskun”, thekson sipërmarrësi.

Sipas projektligjit të nxjerrë për konsultim  nga qeveria, amnistia fiskale  lejon deklarimin vullnetar të një pasurie në vlerë monetare deri në 2 milionë euro, te cilat më pas tatohen nga 7-10 %. Subjektet e këtij ligji mund të deklarojnë vullnetarisht pasuritë dhe elemente të pasqyrave financiare që nuk i kanë deklaruar më parë apo i kanë deklaruar në një një vlerë më të vogël se ajo çfarë duhet të deklaronin pavarësisht nëse pasuritë, në tërësinë apo pjesë të tyre, janë të paregjistruara në autoritetet kompetente, apo ndodhen ose jo në territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjithësesi edhe psë është pro nismës, sipërmarrësi i mëshon faktit se duhet të studiohet me imtësi kufiri i lejuar për amnistim dhe të ketë një sërë filtrash.

“Kufiri i 2 milion eurove për të bërë një amnisti, kjo shumë hap debat faktikisht sepse është pak e tepërt duke parë nivelin e atyre që duan të amnistojnë paratë. Unë mendoj që amnistia duhet të shoqërohet dhe me një proces filtrash, me nje proces të fortë kontrrolli dhe natyrshëm që filtrat nuk mungojnë veçse duhet të ketë një dëshirë dhe iniciativë nga institucionet ligjtatuese si dhe ato kontrrolluese të cilët duhet të kontrrollojnë, duke i kaluar në filtër një pjesë të atyre shumave të cilët mund të jenë të dyshimta. “- shton Zhuri.

Përfaqësues të mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë janë shprehur të vendosur për ta çuar përpara nismën për Amnistinë fiskale por thonë se po konsultohen edhe me institucionet ndërkombëtare.

Diskutimi i amnistisë fiskale dhe me ndërkomnëtarët (Foto Lapsi.al)

Diskutimi i amnistisë fiskale dhe me ndërkomnëtarët (Foto Lapsi.al)