Historia e Nuh Sahatçisë, shkodranit që i ktheu orën oficerit gjerman, 30 vite më vonë, është një histori që qarkullon prej vitesh. Nuk është një mit urban, por një histori e vërtetë. Një histori që ka bërë rrugëtimin e saj, si fillim në formën e një çudie, më pas si kureshtje, e së fundmi, si histori karakteri dhe krenarie.
Është historia e shkodranit Nuh Sahatçia, një histori e kthyer edhe në film. Premiera e filmit të titulluar thjesht “Sahatçia”, tërhoqi interesin e publikut në kryeqytet, ndërsa kureshtja për njeriun që frymëzoi filmin bëhet edhe më intriguese.
Gjermani Johann Arendt - foto panorama
Nuh Sahatçia ishte një shkodran i vjetër, banor i një rrugice ku të gjithë e njihnin njeri-tjetrin. Sot, personazhi ynë nuk jeton, por historia e tij është e freskët dhe e dashur për banorët, si të kishte ndodhur dje.
Nuh Sahatçia ishte një zanatçi i njohur për rregullimin e orëve, një profesion i trashëguar brez pas brezi nga familjarët e tij. Jo më kot, të gjithë ai fis e ka mbiemrin “Sahatçia”, pasi nga të gjithë njiheshin si “sahatçinjtë” më të mirë të qytetit.
Të njohur edhe matanë Shkodre, jo vetëm si mjeshtër sahatësh, por edhe zanatçi korrektë. Mbajtja e fjalës, ishte tipari i tyre dallues. Dhe një histori e tillë mbi fjalën e mbajtur dhe orën e ruajtur, i përket Nuh Sahatçisë. Si të gjithë Sahatçitë e tjerë edhe ai punonte në dugajën e tij, i veshur me kostum popullor, përherë korrekt, në dyqanin që nuk kishte njëri që nuk e dinte. Ai merrte çdo ditë porosi për rregullim orësh dhe ora ishte një send me shumë vlerë asaj kohe. Në vitin 1944, një kapiten gjerman që ndodhej në Shqipëri si efektiv i Brigadës 999, që mori pjesë në luftime në zonën veriore të Shqipërisë, shkoi në dyqanin e mjeshtrit për të ndrequr orën e prishur.
Nuh Sahatcia (ulur) me nje shokun e tij - foto Fototeka Marubi
Djalë i vetëm një çifti gjermano-polak, Arendt, kishte kryer studimet universitare në Zvicër dhe në vazhdim ishte diplomuar ushtarak kariere në Berlin. Fundi i luftës e gjeti në Shkodër, ku mbeti rob i forcave partizane, për t’u riatdheusuar në vitin 1947.
Koha rrjedh. Shqipëria është çliruar. Në vitin 1968 Nuh Sahatçia vazhdon të punojë në dyqanin e tij tek Çinari me të njëjtin ritëm dhe korrektesë.
Një ditë në dyqan i vjen një turist gjerman me një kërkesë të çuditshme, por jo të pamundur. Kërkonte orën që sipas tij, një mik, i cili dikur kishte qenë ushtar, e kishte kishte lënë për ta ndrequr. Ajo orë ishte e dashur për njeriun që e mbante dikur, e donte si sytë e ballit. E kishte kujtim nga gjyshi, por ora mbeti në një dyqan për t’u ndrequr dhe ai nuk pati mundësi që ta merrte me vete.
Në fakt, personi që po kërkonte orën, ishte vetë ai që e kishte sjellë dikur, Johann Arend. Por me ndrojen se koha kishte bërë të vetën dhe ora mund të mos gjendej, duke mos dashur të fyente ndokënd, fillimisht ai tha se ora ishte e një miku të tij. Ai as që e besonte se orën, të cilën ia kishte lënë dikur një njeriu të panjohur për ta rregulluar, mjeshtri e kishte ruajtur fort mirë.
poster i filmit Sahatcia - foto kohajone
Sigurisht që ora ishte aty, edhe pse kishin kaluar 30 vite, e rregulluar, e ruajtur, e veçuar, siç e kishte lënë dora e mjeshtrit në sirtar. Ishte një orë e markës “Erberhard”, një markë e rrallë zviceriane, e ruajtur si në ditën e parë. Kur miku gjerman e mori në duar orën, nuk iu besonte syve, për nga mënyra e korrektësia me të cilën ishte ruajtur ajo. Ai kërkoi ta shpërblente me para Sahatçinë, i cili nuk pranoi kurrsesi, pasi ora ishte një amanet. Dhe iku i lumtur duke i lënë të paktën si dhuratë orën që hoqi nga dora, për mjeshtrin plak dhe besnik.
Sigurisht që historia bëri bujë asaj kohe, si në qytet, ku filloi të përflitej e të komentohej, jo pa krenari, por edhe në Gjermani, ku edhe në televizor u fol për një ngjarje të tillë, gati të pabesueshme..
Sot Nuh Sahatçia, burri zanatli, i fisëm e korrekt, nuk jeton më, por historia e tij po. As gjermani nuk jeton. Ai vdiq në moshën 90 vjeçare në vitin 1996 dhe nuk u kthye më kurrë në Shqipëri.
Një film, i bazuar mbi këtë histori, është promovuar gjatë kësaj jave në Tiranë. Thelbi i historisë së ruajtjes së orës për dekada, mjaft i veçantë dhe domethënës, inkurajoi regjisorin e ri Gjergj Mazi, të shkruante skenarin për një film artistik mbi atë motiv, për të nxjerrë në pah artistikisht vlerat e popullit shqiptar dhe më pas të bënte edhe regjinë e filmit.
shkodra - foto Dede Jakova -foto Albania news
Por në ndryshim nga realiteti, ngjarja dhe historia e filmit janë vendosur në kohën e sotme. Zhvendosja e ngjarjeve në kohë, pra 60 vite me vonë, i jep shumë më vlerë xhestit, “çudisë” që ka ndodhur në një komb të vogël, në një qytet si Shkodra. Në këtë film të ri audienca do të përballet me të panjohura pozitive, të cilat sigurisht që do të zënë vend tek shikuesit. Ata do të vihen në mendime, do flasin me miqtë për fabulën e filmit, për ngjarjen dhe njeriun e vërtetë që fshihet pas saj.
Neritana Kraja