VCG
Me gjithë ndikimin nga pandemia e COVID-19, Ekspozita Kinë-Azi Jugore ka bërë përparim drejt objektivit për nxitjen e bashkëpunimit në tregti e investime ndërmjet Kinës dhe vendeve të Azisë Jugore e Juglindore.
Rreth 170 projekte me një vlerë të përgjithshme investimesh mbi 40 miliardë juanë, ose 5.6 miliardë dollarë, janë nënshkruar në Ekspozitën e 6-të Kinë-Azi Jugore që po zhvillohet në Kunming të Kinës Jugperëndimore.
Ekspozita, që po organizohet si në internet, ashtu edhe me prani fizike, pason samitin e ASEAN-it të sapozhvilluar në Kamboxhia dhe Mbledhjen e Udhëheqësve Ekonomikë të APEK-ut në Tajlandë. Këtë vit, Laosi është vendi i ftuar i nderit në këtë ekspozitë.
Në mesazhin e vet të urimit, presidenti kinez Xi Jinping u shpreh që Kina është e gatshme ta shfrytëzojë ekspozitën si një platformë për nxitjen e bashkëpunimit në fushat e reja të rritjes, për zhvillimin cilësor në kornizën e nismës “Një brez, një rrugë” dhe për zbatimin e Nismës së Zhvillimit Global.
Në 13 pavijonet e ekspozitës janë paraqitur produkte dhe shërbime të shumta, duke përfshirë energjinë e gjelbër, bujqësinë moderne, prodhimin e përparuar, biomjekësinë dhe turizmin.
Një prej ekspozuesve tregoi si prodhohen produktet mjekësore në një mënyrë inteligjente.
“Produktet tona mund të eksportohen në Azinë Jugore dhe Juglindore, në të njëjtën kohë që ne përmbushim edhe kërkesën e brendshme. Meqë nuk ka uzina për produkte të tilla në shumicën e vendeve të rajonit, ne mund të ndërtojmë uzina atje sipas ligjeve dhe rregullave të dy palëve,” thotë Jiang Yanfang, menaxherja e përgjithshme e kompanisë së bioterapisë të Kunming-ut, degë e “Sinopharm”-it.
Ajo shtoi gjithashtu që “ka një perspektivë të ndritshme për bashkëpunimin e ardhshëm”.
VCG
Në një sërë forumesh të zhvilluara gjatë ekspozitës janë bërë diskutime edhe për bashkëpunimin e ardhshëm ndërmjet Kinës dhe vendeve të këtij rajoni. Një nga temat fokus është mëkëmbja e sektorit të aviacionit.
Menaxheri i marketingut i kompanisë kineze të Grupit të Investimeve në Industrinë e Aviacionit të Yunnan-it, Tuo Wei, i tha CGTN-it që në tre vjetët e fundit, gjendja e tregut të fluturimeve në përgjithësi ka qenë e dobët, por tregu i transportit ndërkombëtar ka pasur rritje. Shumë mallra janë eksportuar për në vendet si Mianmar dhe Laos nga provinca Yunnan, që është porta e Kinës Jugperëndimore për në Azinë Jugore dhe Juglindore.
“Me vënien nën kontroll të pandemisë, besoj që turizmi ndërkufitar do të mëkëmbet në mënyrë graduale e do të lulëzojë,” thotë Tuo.
Kina është partnerja më e madhe tregtare e ASEAN-it dhe vëllimi i tregtisë së saj me Azinë Jugore ka ruajtur rritjen e vazhdueshme.
VCG
Ndihmësi i ministrit të Jashtëm të Kinës Wu Jianghao vuri në dukje që tregtia e Kinës me Azinë Jugore ka arritur mbi 187 miliardë dollarë në vitin 2021, 50 miliardë dollarë më shumë se në 2019-n, para shpërthimit të pandemisë.
“Sivjet është 31-vjetori i marrëdhënieve të dialogut ASEAN-Kinë. Në vitet e kaluara kemi dëshmuar një numër arritjesh të rëndësishme. Kam besim që bashkëpunimi ynë në fushën e tregtisë dhe investimeve do të shtohet më tej,” tha konsulli i përgjithshëm i Laosit në Kunming, Manila Sombandith.
Edhe ekspertët janë optimistë për çlirimin e mëtejshëm të potencialit të bashkëpunimit dypalësh.
“Mendoj që do të punojmë bashkë në fushat e shkencës, arsimit, teknologjisë e bujqësisë, duke zbatuar praktikisht rezultatet e kërkimeve në këto fusha, dhe do të forcojmë ekonomitë tona dhe zhvillimin e vazhdueshëm në këtë rajon, për një të ardhme të përbashkët,” shprehet studiuesi pakistanez Arshad Muhammad. (Jiang Lei)