Seminar rajonal për bashkëpunimin Kinë-Ballkani Perëndimor
2022-11-22 17:13:07

 

Tre përfaqësues diplomatikë kinezë, duke përfshirë ambasadoren e posaçme për bashkëpunimin Kinë-EQL Jiang Yu, ambasadorin në Shkup Zhang Zuo dhe ambasadorin në Tiranë Zhou Ding, bënë thirrje për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në një seminar të zhvilluar të hënën në Tiranë.

Seminari “Kina dhe Ballkani Perëndimor në vitin 2022: sfidat, mundësitë dhe potencialet e bashkëpunimit”, u mbajt me nismën e Institutit të Studimeve të Globalizimit të Shqipërisë (AIGS). Në të morën pjesë 15 ekspertë të qarqeve akademike, mediatike, të instituteve studimore, të biznesit etj., nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Të pranishmit shkëmbyen mendime mbi domethënien e marrëdhënieve Kinë-Ballkani Perëndimor përballë luhatjeve në botën e tanishme dhe problemet ekzistuese që pengojnë forcimin e këtyre marrëdhënieve, duke dhënë sugjerime për të shfrytëzuar mundësitë e bashkëpunimit në fushat ekonomike, kulturore, mediatike etj.

Ambasadorja Jiang Yu përshëndeti seminar përmes një mesazhi video

Ambasadorja Jiang Yu, përshëndeti seminarin përmes një mesazhi video dhe theksoi se në dekadën e fundit shkëmbimet midis Kinës dhe Ballkanit Perëndimor janë rritur. “Jetojmë në një kohë të turbullt ndaj duhet të punojmë së bashku”- tha ajo, duke shtuar se Kina do të hapë më shumë derën e saj për të kontribuar në ekonominë globale.

Ambasadori Zhang Zuo mbajti një videofjalim në seminar

Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Maqedoninë e Veriut, Zhang Zuo, deklaroi se ndarjet ideologjike, politika e grupeve dhe kundërvënia në kampe do ta përçajnë botën, duke kërcënuar zhvillimin e vendeve të mesme dhe të vogla. Ai bëri thirrje për konsolidim të besimit politik dhe forcim të koordinimit, për të përballuar së bashku sfidat globale, si ndryshimi klimatik, siguria energjetike e ushqimore etj.

Ambasadori Zhou Ding në seminar

Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, nënvizoi se midis Kinës dhe Shqipërisë janë nënshkruar më shumë se 30 dokumente bashkëpunimi. Ai bëri të ditur se shumë investitorë kinezë duan të investojnë në Shqipëri dhe studiuesit e ekspertët të dy vendeve kanë mbajtur kontakte të ngushta. Por, “mund të bëjmë dhe duhet të bëjmë më shumë”, theksoi ambasadori kinez në Tiranë.

Sipas dr. Enriko Ceko, senator i Forumit Botëror të Ëngjëjve të Biznesit, Ballkani Perëndimor, i etur për zhvillim, mund të mësojë nga rruga e Kinës drejt prosperitetit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe transnacionalizmit. Ai vuri në dukje që, nëse realizohen financime prej 40 miliardë dollarësh amerikanë, rritja ekonomike e Ballkanit mund të shkojë deri në 6 %, duke krijuar rreth 1.5 milionë vende pune. Ndërsa në periudhën 2009 – 2021 Kina ka investuar rreth 32 miliardë euro në rajon. Nisma “Një rrugë, një brez” mund të shërbejë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh, tha ai.

Ndërsa z. Peco Trajkoski, themelues dhe president i Qendrës për Kërkime dhe Analiza Strategjike (CSIA) të Maqedonisë së Veriut, numëroi fushat në të cilat vendet e Ballkanit Perëndimor mund të zhvillojnë bashkëpunim me Kinën në transformimin digjital, si shfrytëzimi i teknologjisë 5G, krijimi i sinergjisë midis ekonomisë digjitale dhe asaj të gjelbër etj.

Pjesëmarrës në seminar

Pjesëmarrës në seminar

Për sa i përket portretizimit të Kinës në media, ekspertët vunë në dukje se mediat shqiptare përgjithësisht bazohen vetëm te stacionet tradicionale perëndimore, si radiot “Europa e Lirë” dhe “Zëri i Amerikës”, duke bërë që të pasqyrojnë vetëm linjën editoriale që kanë këto media ndaj Kinës. Ndërkohë në Maqedoni, pavarësisht se ka shumë projekte me mbështetjen e Kinës në fusha të ndryshme, si ndërtimi, sporti, shëndetësia, mbrojtja e mjedisit etj., ato paraqiten shumë pak në  medie për publikun dhe njoftimet ekzistuese trajtojnë vetëm problemet e lindura jashtë vetë bashkëpunimit.

Pjesëmarrësit nxorën në pah rëndësinë e shtimit të shkëmbimeve njerëzore e kulturore ndërmjet Kinës dhe Ballkanit Perëndimor. “Kur njerëzit nga kultura dhe prejardhje të ndryshme njohin dhe kuptojnë njëri-tjetrin – dhe fitojnë aftësitë që u nevojiten për të kontribuuar si qytetarë dhe udhëheqës - ata formojnë partneritetet globale që mbështesin sigurinë, stabilitetin ekonomik dhe tolerancën”, tha Silva Doci, studiuese e pavarur shqiptare. Sipas saj, theksi mbi paqen është pjesë e kulturës tradicionale kineze që respekton kulturat e tjera dhe ndryshimet midis njerëzve.

Pjesëmarrës në seminar

Drejtorja ekzekutive e AIGS-it, dr. Marsela Musabelliu, u shpreh se pengesat kryesore për zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-Ballkani Perëndimor janë mendësia e Luftës së Ftohtë. Sipas saj, aktorët e shoqërisë civile, media, bota akademike dhe ajo e biznesit duhet të mblidhen për të parë më qartë realitetin përtej sloganeve polarizuese. Kina ka paraqitur projekte si nisma “Një brez një rrugë”, Nisma e Zhvillimit Global dhe Nisma e Sigurisë Globale, që synojnë realizimin e një bote të begatë dhe paqësore. “Tashmë është në dorë të vendeve tona për të mos humbur mundësitë e përfitimit me bazë të ndërsjellë, për të krijuar kushte të shëndosha për komunikim dhe për të intensifikuar bashkëpunimin pragmatik në të gjitha fushat”, vuri në dukje dr. Musabelliu.

Sipas statistikave nga Maqedonia e Veriut, në vitin 2021 vëllimi i përgjithshëm tregtar ndërmjet këtij vendi dhe Kinës ishte 944 milionë dollarë amerikanë, 23.6 % më shumë në krahasim me vitin 2020. Kina është partnerja më e madh tregtare e Maqedonisë së Veriut jashtë Europës.

Pjesëmarrës në seminar

Ndërkohë, statistikat e Administratës së Përgjithshme të Doganave të Kinës treguan se importi i Kinës nga Shqipëria është rritur me 102.6 % vitin e kaluar. “Investitorët kinezë janë në pritje të politikave më të favorshme dhe dëshirojnë të luajnë një rol edhe më të madh në ekonominë shqiptare dhe në zhvillimin e rajonit”, theksoi përfaqësuesi diplomatik i Kinës në Tiranë, z. Zhou Ding.

Gjatë dekadës së kaluar, tregtia ndërmjet Kinës dhe vendeve të EQL-së është rritur me 140 për qind, duke arritur vjet në 136.2 miliardë dollarë amerikanë dhe duke pasur një normë rritjeje shumë më të lartë se ajo e tregtisë ndërmjet Kinës dhe BE-së. Kina është tashmë për vendet e EQL-së partnerja tregtare dhe burimi i importit më i rëndësishëm jashtë BE-së.