Seminari Kinë-Ballkani Perëndimor, ambasadori i Kinës në Tiranë: Mundësi e mirë për shkëmbimet mes vendeve
2022-11-22 17:06:57

Seminari Kinë-Ballkani Perëndimor ( Foto CMG )

Në Tiranë u zhvillua seminari “Kina dhe Ballkani Perëndimor në vitin 2022: sfidat, mundësitë dhe potencialet e bashkëpunimit”, organizuar nga Instituti i Studimeve të Globalizimit të Shqipërisë (AIGS).

Përfaqësuesja e posaçme e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës për Bashkëpunimin Kinë-Vendet e Europës Qendrore-Lindore, ambasadorja Jiang Yu, përshëndeti seminarin përmes një mesazhi video dhe theksoi se në dekadën e fundit shkëmbimet midis Kinës dhe Ballkanit Perëndimor janë rritur.

“Jetojmë në një kohë të turbullt ndaj duhet të punojmë së bashku”,- tha ajo.

Seminari Kinë-Ballkani Perëndimor ( Foto CMG )

Duke theksuar rëndësinë e Kongresit të 20-të të PKK-së, ambasadorja Jiang Yu shtoi se Kina do të hapë më shumë derën e saj për të kontribuar në ekonominë globale.

Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Maqedoninë e Veriut, Zhang Zuo, përmes një mesazhi video, deklaroi se zhvillimi i Kinës do të sjellë progres për botën, përfshirë Ballkanin Perëndimor.

Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, e cilësoi seminarin si një mundësi të mirë për shkëmbimet midis Kinës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai nënvizoi se midis Kinës dhe Shqipërisë janë nënshkruar më shumë se 30 dokumente bashkëpunimi. Ambasadori bëri të ditur se shumë investitorë kinezë duan të investojnë në Shqipëri, ndërsa nënvizoi se Shqipëria krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është disi mbrapa sa i përket investimeve kineze.

Dr. Enrico Ceko foli për rëndësinë e Samitit të G20-s dhe të Bashkëpunimit Ekonomik APEC-ut për ekonominë globale.

Studiuesi maqedonas Peco Trajkoski vlerësoi kontributin e Kinës në ekonominë digjitale, duke shtuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të mësojnë nga shembulli i Kinës për sa i përket digjitalizimit.

Ambasadori i Kines ne RMV (Foto CMG)

Përfaqësuesja e kompanisë shqiptare “Morava”, Entela Brazhda, foli për shkëmbimet e kësaj kompanie me Kinën, duke kërkuar realizimin e marrëveshjes për tregtimin e prodhimeve të mjaltit në vendin aziatik.

Drejtori i përgjithshëm i “Megatek”, Endri Xhori, tha se kompania operon prej 16 vitesh në tregun shqiptar. Sipas tij, prej 25 vjetësh bashkëpunohet me tregun kinez dhe marrëdhënia dypalëshe është thelluar.

Analisti Gëzim Podgorica në fjalën e tij theksoi rolin e medies në promovimin dhe mbështetjen e Mekanizmit të Bashkëpunimit Kinë-EQL.

Gazetarë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut theksuan rëndësinë e shkëmbimeve në fushën e medies. Kryeredaktorja e medies “Argumentum” Marjana Doda sugjeroi krijimin e partneritetit midis medieve kineze dhe shqiptare, përfshirë dhe mediet private të të dyja vendeve.

Seminari Kinë-Ballkani Perëndimor ( Foto CMG )

Drejtoresha ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit të Shqipërisë, Marsela Musabelliu, u shpreh se pengesat kryesore për zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-Ballkani Perëndimor janë mendësia e Luftës së Ftohtë. Sipas saj, aktorët e shoqërisë civile, media, bota akademike dhe ajo e biznesit duhet të mblidhen për të parë më qartë realitetin përtej sloganeve polarizuese. “Kina ka paraqitur projekte si nisma “Një brez, një rrugë”, Nisma e Zhvillimit Global dhe Nisma e Sigurisë Globale, që synojnë realizimin e një bote të begatë dhe paqësore. Tashmë është në dorë të vendeve tona për mos të humbur mundësitë e përfitimit me bazë të ndërsjellë, për të krijuar kushte të shëndosha për komunikim dhe për të intensifikuar bashkëpunimin pragmatik në të gjitha fushat”,- vuri në dukje Musabelliu.

Samiti përfshinte katër panele; Bashkëpunim në kuadrin e nismave kineze në rajon dhe ekonomia; Kultura, filozofia kineze dhe shkëmbimet njerëzore; Media dhe portretizimi i Kinës në Ballkanin Perëndimor; Politika, gjeopolitika dhe prezenca e Kinës në Ballkan. Në të morën pjesë mbi 10 ekspertë shqiptarë e maqedonas nga qarqet akademike, mediatike, të instituteve studimore, të biznesit etj. Të pranishmit shkëmbyen mendime mbi domethënien e marrëdhënieve Kinë-Ballkani Perëndimor përballë luhatjeve në botën e tanishme dhe problemet ekzistuese që pengojnë forcimin e këtyre marrëdhënieve, duke dhënë sugjerime për të shfrytëzuar mundësitë e bashkëpunimit në fushat ekonomike, kulturore, mediatike etj.  (Eda Merepeza)

Seminari Kinë-Ballkani Perëndimor ( Foto CMG )