Kina shpejton investimet në energjinë e hidrogjenit për mbrojtjen e mjedisit
2022-11-22 17:21:47

VCG

VCG

Kohët e fundit, shumë krahina në Kinë kanë publikuar politika dhe masa mbështetëse, duke kryer investime stimuluese për zhvillimin e sektorit të energjisë së hidrogjenit. Më pas, krahinat e ndryshme do të shpejtojnë krijimin e sistemit të politikave dhe do të shfrytëzojnë epërsitë vendore, me synim që të formojnë një model të arsyeshëm për zhvillimin e kësaj energjie të pastër.

 

VCG

VCG

Krijohet rruga e shpejtë e zhvillimit për hidrogjenin

 

Kohët e fundit, provincat e ndryshme, si Hubei, Shaanxi dhe Shanxi, kanë publikuar politika mbështetëse për zhvillimin e sektorit të energjisë së hidrogjenit.

 

Provinca Hubei ndodhet në Kinën Qendrore dhe pak ditë më parë, ajo shpalli Masat Mbështetëse për Zhvillimin e Sektorit të Hidrogjenit, duke deklaruar mbështetjen e plotë për “prodhimin, rezervimin, furnizimin, ngarkimin dhe përdorimin” e energjisë së hidrogjenit. Ndërmarrjet e sektorit të hidrogjenit mund të marrin një subvencion maksimal prej 10 milionë juanësh.

 

Ndërkohë, në provincën Shaanxi u publikua programi provincial i zhvillimit të energjisë së hidrogjenit në kuadër të planit të 14-të 5-vjeçar. Në këtë program vihet në dukje që, në vitin 2025, në këtë provincë perëndimore do të formohet struktura e zhvillimit me “një thelb drejtues, dy boshte ndërlidhëse e tre qendra mbështetëse” dhe parashikohet që vlera e zinxhirit të plotë industrial do të arrijë në mbi 100 miliardë juanë.

 

VCG

VCG

Krahas këtyre, edhe provinca Shanxi publikoi programin afatmesëm dhe afatgjatë për zhvillimin e hidrogjenit për periudhën 2022-2035, ku thuhet që, deri në vitin 2025, numri i automjeteve me energji hidrogjeni mund të arrijë mbi 10 mijë dhe do të ngrihen një kontingjent pikash për mbushjen e automjeteve me hidrogjen. Po ashtu, deri në vitin 2035, në këtë provincë do të formohet një grup i përparuar i industrisë së hidrogjenit në shkallë kombëtare.

 

“Sektori i energjisë së hidrogjenit është futur në një rrugë zhvillimi të shpejtë,” thotë drejtori i inovacionit dhe teknologjisë së lartë i Komisionit Kombëtar për Zhvillimin dhe Reformën të Kinës, Shen Zhulin.

 

Në fakt, në mars të vitit 2022, Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës dhe Administrata Shtetërore e Energjetikës e Kinës kanë publikuar programin afatmesëm dhe afatgjatë për zhvillimin e hidrogjenit 2021-2035, sipas të cilit hidrogjeni është një pjesë e rëndësishme përbërëse e sistemit  energjetik kombëtar të Kinës. Më pas, ndërmarrjet dhe organet e pushtetit vendor në krahina të ndryshme nisën planet vendore për zhvillimin e hidrogjenit.

 

Qysh nga fillimi i këtij viti, ndërmarrjet shtetërore, si “Sinopec”, “Sinopetro”, CNOOC, SPIC dhe Korporata e Rrjetit Elektrik, kanë shpallur programet e tyre në këtë drejtim dhe në gjysmën e parë të 2022-s, ka filluar zbatimi i 18 programeve të prodhimit të hidrogjenit në mbarë vendin.

 

“Sipas statistikave fillestare, numri i projekteve për prodhimin e hidrogjenit të deklaruara nga krahinat e ndryshme ka arritur në 190,” bën të ditur Shen Zhulin.

 

VCG

VCG

Perspektivë optimiste për hidrogjenin

 

Tashmë janë vënë në zbatim projekte dhe janë kryer investime në industrinë e hidrogjenit, dhe hapi i ardhshëm do të fokusohet tek inovacioni dhe aplikimi i kësaj energjie. Shen Zhulin theksoi që “duhet të ngulet këmbë në inovacion, të eksplorohet përdorimi i shumëfishtë i hidrogjenit, të shtohet garancia me anë të sistemit mbështetës dhe të thellohet hapja e bashkëpunimi”.

 

Me mbështetjen e politikave dhe rritjen e investimeve nga ndërmarrjet, sektori i hidrogjenit ka një treg me perspektivë vërtet optimiste.

 

“Këtë vit, në energjinë e hidrogjenit, Kina ka zbatuar 35 projekte financimesh dhe investimesh, me vlerë mbi 6.3 miliardë juanë, dhe kapitalet po futen më shpejt në sektorin e hidrogjenit,” u shpreh analisti i kompanisë “Chuancai Securities”, He Xiaoxiangyu. Ai analizon që, në të ardhmen, do të ketë më shumë investime lidhur me hidrogjenin dhe do të shtohen efektet e bashkëkoordinimit industrial, çka do të nxitë zhvillimin e bashkërenduar në pjesë të ndryshme të zinxhirit industrial dhe eksplorimin e më shumë skenarëve të aplikimit.

 

Analisti i kompanisë “Debang Securities” Ni Zhengyang parashikon që, deri më 2050, niveli i prodhimit të energjisë së hidrogjenit mund të arrijë në 1.2 trilionë juanë dhe përpjesëtimi i prodhimit të hidrogjenit nga energjitë e përtëritshme do ta kalojë 70 %. E gjithë bota do të ketë një kulm në zhvillimin e sektorit të hidrogjenit dhe prodhimi i hidrogjenit me anë të energjive të përtëritshme do të ketë një hapësirë më të gjerë. (Jiang Lei)