Roland Tasho: E kam peng jete që nuk fotografova lagjen ku u rrita
2022-11-22 20:22:12

Roland Tasho është fotoreporter shqiptar i njohur për fotografitë e tij në protestat e dhjetorit të viteve '90 dhe një sërë albumesh që kanë në qendër komunitetet shqiptare jashtë Shqipërisë. E filloi karrierën e tij si fotograf në vitin 1982 në laboratorin e Ndërmarrjes Komunale ku punoi për pesë vjet. Në periudhën 1987-1992 ai ishte fotoreporter i Revistës  “Ylli”. Roland Tasho ka hapur një numër të madh ekspozitash brenda dhe jashtë vendit. Ai mori medaljen "Naim Frashëri" në vitin 1988 dhe katër vjet më vonë fitoi çmimin e parë në Konkursin e Fotografisë Artistike "Click Sagra" në Ankona të Italisë. Në vitin 1996 u shpall "Fotografi i vitit" nga Drejtoria e Rinisë në Ministrinë e Kulturës dhe fitoi çmimin e tretë në Konkursin Ndërkombëtar "Marubi". Roland Tasho është vlerësuar me medalje mirënjohjeje nga presidenti hungarez Ader Janos, në vitin 2016. Motivi i këtij nderimi janë ekspozitat e fotografive më të cilat ka pasqyruar jetën dhe vlerat e Budapestit në Shqipëri. Ai thotë se në fotot e tij ka gjithmonë qëllim promovimin e vlerave dhe bashkëjetesës mes popujve. Tasho është bërë i njohur për fotografitë e realizuara vitet e fundit me tematikë shqiptarët në botë dhe të huajt në Shqipëri.


Fotografi R. Tasho (Foto Report TV)

CMG: Cilat janë Roland reflektimet më të sinqerta të cilat i ke me veten?
Roland Tasho: Vjen një moshë, vijnë disa momente apo çaste në të cilat njeriu ndalon dhe përpiqet t’i japë disa përgjigje pyetjeve që ka në mendje. U bë shumë kohë, u bënë shumë vite që unë merrem vetëm me fotografi dhe kështu jeta ime është një foto e bukur e shkrepur ndër vite, ku është punuar gjatë për t’i ndërtuar ngjyrat e saj. Kanë kaluar mbi dyzetë vite në këtë profesion  e megjithatë nuk shoh në asnjë çast të ditës ndjesë mërzie. Për mua të jem në punë është të jem gjallë , të ndiej që jetoj dhe të jap kontributin tim.

CMG: Në kutinë e fëmijërisë suaj cilat janë kujtimet më të shtrenjta që do doje të nxirrje për t'i rrëfyer?

Roland Tasho: Erdha në Tiranë në vite shumë të vështira dhe momente delikate të rritjes sime. Bashkë me familjen u vendosëm në qendër të Tiranës, ku u ndesha me një realitet tjetër, koncept tjetër për jetën dhe shumë sfida të tjera. Aty ne "stononim" me familjet e tjera tiranase. Po bëj një krahasim shumë të thjeshtë. Kur dilja të luaja me fëmijët e lindur dhe rritur në Tiranë, ata luanin zbathur ndërsa unë vishja çorape. Më dukej habi kjo gjë, por u mësova me kohën. Fëmijët qeshnin me mua në ato vite dhe aty kuptova dallimet mes meje dhe tyre. Fëmijërinë time e kujtoj shumë të bukur megjithëse isha i vendosur në mes të Tiransve ata ishin shumë të dashur.

Roland Tasho (Foto Gazeta Si)

CMG: A ju merr malli për atë periudhë?

Roland Tasho: Më merr patjetër malli. Pengu im në jetë është një dhe i vetëm. Do doja shumë që të kisha fotografuar lagjen në të cilën u rrita.
Po të ishte ende ajo lagje sot do ishte vendi më i frekuentuar nga turistët.
Lagje të bukura me kalldrëm e porta të hekurta, të forta ... Çdo gjë ishte e bukur në lagjen ku unë u rrita dhe ndërtova kutinë e kujtimeve të mia të një vogëlushi, i cili sot i kujton me mall. Ajo lagje mund të ishte trashëgimi e fortë e qytetit sepse kishte njerëz shumë të mirë, gra të veshura me veshje tradicionale dhe çdo detaj tjetër që e ben një vend të duket si "Muze i hapur".

CMG: Ne nuk e kuptojmë dot kohën pa njerëzit, cilët kanë qenë njerëzit më të shtrenjtë për ty dhe dikush a ka ndikuar në jetën tuaj ?

Roland Tasho me familjen(Foto personale)

Roland Tasho: Njerëzit janë kujtesa për atë që ne jemi. Ne jemi njerëz për të qenë bashkë, më të dashur apo më të mirë me njëri- tjetrin dhe të gëzojme respekt qoftë për ditët apo vitet që vijnë dhe ikin . Kështu ka qenë dhe familja ime, një vatër e ngrohtë ku të gjithë gjenin hapësirën e tyre për t'u strehuar. Ndërsa një mik shumë shumë i afërt për mua që ka ndikuar për mirë në jetën tonë ka qenë libri.
CMG: Profesioni i fotografit është diçka e lindur rishtazi apo e mirëmenduar?
Roland Tasho: Do t'ia nis duke treguar se si ka qenë familja ime në raport me punën për të shkuar deri tek unë. Ne kemi qenë përherë një familje, që e kemi respektuar shumë punën . Për të dashur një profesion mjafton vetëm të jesh i dedikuar për të dhe të respektosh mundësinë që të jepet. Ky kam qenë unë. Një djalë, i cili e nisi pa ndonjë prespektivë kaq të madhe, por që përfundoi duke ju dhënë këshilla të tjerëve për të qenë të gatshëm për punën e tyre të ëndrrave ose jo .
CMG: I kujton momentet e para që kuptove se kjo ka qenë puna që ti do?
Roland Tasho: Ndertesa  në të cilën unë punova dhe i kushtova ditët e para të punës duke vrapuar çdo ditë për të kapur orarin, është ende. Sa herë rruga më bie andej më ngacmon kujtimet e para në punë. Në atë kohë fotografoja njerëz që kërkonin pasaportat. Unë kam bërë një foto dje dhe një foto sot tek ajo ndërtesë dhe çdokujt i tregoj historinë. Nuk kam qenë i përgjegjshëm për të mbajtur mend foton e pare dhe nuk isha i bindur që do ta vazhdoja kaq gjatë profesionin.
CMG: Cili është miku më i mirë në profesion?

Roland Tasho me kostum popullor(Foto personale)

Roland Tasho: Zamir Marika ka qenë miku dhe kolegu im, i cili më përfshiu edhe më tepër në këtë punë. Më vinte turp prej njerëzve në pjesën më të madhe të kohës sepse nuk kisha vijuar studimet por kisha vendosur menjëherë të punoj.
CMG: Cili ka qenë momenti më i vështirë për ta fotografuar?

Roland Tasho: Unë mund ta cilësoj veten si një ndër fotografët e etapave të ndryshimeve. Më vinte keq të fotografoja periudhat e vështira që ka kaluar Shqipëria, më pas arrita të bëja dallimet mes periudhave dhe kuptova sa bukur është të fotografosh  çaste të mira. Fotografia është ushqim shpirti për njerëzit ndaj unë doja shumë të fotografoja çaste që t'ua përcillja njerëzve si ushqim të mirë për syrin dhe t'u krijonte ndjesi të mirë çdo foto.

CMG: Si kanë qenë bashkëpunimet tuaja jashtë Shqiperisë?

Roland Tasho: Unë kam udhëtuar në diasporë me foto të cilat kanë bërë histori sepse këtë histori e tregojnë njerëzit. Njerëzit që unë zgjedh të fotografoj  janë pjesë e një cikli në librin tim apo në hapësirën që ju krijoj. Unë sapo kam nisur edhe librin tim të radhës me shqiptarët e Kroacisë. Janë shumë figura të cilat ja vlejnë të mbeten si trashëgimi në libër .

CMG: A i thua shpesh vetes bravo për arritjet e tua ?

Roland Tasho me një fotografi të realizuar prej tij (Foto personale)

Roland Tasho: Bravo unë i them "genit", pemës së familjes sepse ata më kanë edukuar dashurinë për punën dhe seriozitetin për të .

CMG: Çfarë është për ty suksesi ?

Roland Tasho: Sukses është çdo gjë që të bën të ndihesh i lumtur. Familja është në pikën e parë dhe më pas vjen puna. Unë kam arritje të ndryshme në jetën time, por me e rëndësishmja është që kam njohur veten në raport me atë që dua të bëj .
CMG: Mësimi me i madh që të ka dhënë jeta ?

Roland Tasho: Miku im Roland Qafoku më quan "Magelani i fotografisë". Në jetë shumë e rëndësishme është puna dhe e vërteta. Nëse dëshiron të marrësh një foto në dorë dhe ta shijosh ajo duhet të jetë e vërtetë. Në jetë nuk është e thjeshtë të takosh njerëz të mire, ndaj ata që i takon dhe të japin mësime duhet t'i vlerësosh tej mase.
CMG: Çfarë është për ju fotografia?

Roland Tasho: Fotografia është takim me njerëz dhe udhëtim në botë e kohë . Të gjitha këto t’i ofron fotografia.

Roland Tasho

Intervistoi: Megi Latifi