Joe Artid Fejzo (Foto nga Instagram)
Kantautori i njohur shqiptar Joe Artid Fejzo i cili jeton dhe vepron në Itali, rikthehet pas një dekade mungese në festivale, tashmë në festivalin muzikor ”Luleborë”, i cili këtë vit në edicionin e tij të shtatë, është kthyer në një traditë për qytetin e Shkodrës. Kantautori shqiptar Joe Artid Fejzo ka qenë pjesë e disa festivaleve në Shqipëri, por shënon edhe shumë pjesëmarrje në Festivalin e Këngës në Rtsh që nga viti 1995 ku mori pjesë në Festivalin e 34-të të këngës me këngën “Prind”, në Festivalin e 36-të me këngën "Nesër një tjetër ditë...", në Festivalin e 43-të në RTSH me këngën "Me Ty", në Festivalin e 44-të në RTSH me këngën "Zhurma e heshtjes... Oh Tirana", në Festivalin e 45-të me këngën "Vallë Përse…..?", në Festivalin e 46-të mori pjesë me këngën "Këtë natë të dy", si dhe pjesëmarrja e tij e fundit në Festivalin e 47-të të Këngës në Rtsh me këngën "Nostalgji” ku kantautori Joe Artid Fejzo erdhi në një duet me artistin e ndjerë, Kujtim Prodani. Përgjatë këtyre viteve ai ka krijuar muzikë, album muzikor, interpretime live, por gjithashtu nuk kanë munguar dhe aktivitetet e tij të shumta artistike në Itali. Në e edicionin e shtatë të Festivalit që mbahet në Shkodër “Luleborë” ai u paraqit këtë vit me këngën “Larg yje” me tekst nga Joe Artid Fejzo dhe Sava Lena, muzikë nga Joe Artid Fejzo dhe orkestrim nga Markelian Kapidani. (Përgatiti: Sava LENA)