Foto nga VCG
Të shtunën u mbyll në Tajlandë Mbledhja e 29-të e Udhëheqësve Ekonomikë të APEC-ut. Gjatë mbledhjes, presidenti kinez Xi Jinping mbajti një fjalim, duke paraqitur një sërë propozimesh të rëndësishme për ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta të Azi-Paqësorit dhe promovimin e integrimit ekonomik rajonal, duke u pritur pozitivisisht dhe duke gjetur mbështetje nga të gjitha palët.
APEC-u është platforma më e rëndësishme për bashkëpunimin ekonomik në rajonin e Azi-Paqësorit. Aktualisht, perspektivat për zhvillimin e ekonomisë botërore janë të zymta e të pasigurta. Janë shtuar zërat e "shkëputjes" dhe "prishjes së zinxhirëve globalë" dhe disa vende po ndjekin "Strategjinë e Indo-Paqësorit" me elemente të Luftës së Ftohtë, gjë që ka penguar seriozisht bashkëpunimin në Azi-Paqësor. Si “lider” dhe “lokomotivë” e ekonomisë botërore, drejtimi dhe rruga e bashkëpunimit në Azi-Paqësor do të ndikojë jo vetëm në të ardhmen e këtij rajoni, por edhe në zhvillimin e ekonomisë botërore. Tema e mbledhjes së APEC-ut të këtij viti ishte "Hapje, ndërlidhshmëri dhe balancë", duke pasqyruar aspiratën e përbashkët të familjes së Azi-Paqësorit.
Kina është një anëtare e rëndësishme e APEC-ut. Që nga viti 2013, presidenti Xi Jinping ka mbajtur shumë herë fjalime të rëndësishme në platformën e mbledhjeve të APEC-ut, duke shpjeguar konceptin dhe propozimin e ndërtimit të një bashkësie me fate të përbashkëta të Azi-Paqësorit. Nga këto fjalime të rëndësishme, bota e jashtme ka kuptuar se Kina është fokusuar gjithmonë në "bashkësinë me fate të përbashkëta të Azi-Paqësorit", duke bërë thirrje për "ruajtjen e drejtimit të duhur të bashkëpunimit të Azi-Paqësorit" dhe duke shpjeguar "si të promovohet thellimi i bashkëpunimit të Azi-Paqësorit”. Antonio Basilio, drejtor ekzekutiv i Sekretariatit të Komitetit Këshillimor të Biznesit të APEC-ut, beson se "ndërtimi i një bashkësie me një të ardhme të përbashkët në Azi-Paqësor" pasqyron aspiratat e përbashkëta të popujve të këtij rajoni për paqe e bashkëpunim, ndihmon në ruajtjen e drejtimit të duhur të bashkëpunimit të Azi-Paqësorit dhe pasqyron përgjegjësinë e Kinës si një vend i madh.
Foto nga VCG
Synimi fillestar i APEC-ut ishte të promovonte hapjen dhe bashkëpunimin ekonomik në Azi-Paqësor. Pas propozimit të "Objektivave të Bogorit" në vitin 1994, vëllimi i tregtisë në rajonin e Azi-Paqësorit u rrit me 5 herë, me një normë mesatare vjetore rritjeje prej 6.7 %; investimet e dyanshme u shtuan me 12 herë, me një rritje mesatare vjetore prej më shumë se 10%, kurse niveli mesatar i tarifave u ul nga 13.9 % në 5.2%. Mbi këtë bazë, mbledhja e APEC-ut e vitit 2020 në Malajzi miratoi Vizionin e Putrajaya-s, i cili nxit ndërtimin e një bashkësie të hapur, dinamike, të qëndrueshme e paqësore të Azi-Paqësorit deri në vitin 2040 dhe realizimin e begatisë së përbashkët të popujve të Azi-Paqësorit dhe brezave të ardhshëm. Për të promovuar realizimin e këtij vizioni, Kina ka kontribuuar me shumë mençuri dhe "masa konkrete".
Në këtë mbledhje të APEC-ut, presidenti Xi vuri në dukje se tregtia dhe investimet e lira e të hapura janë shtylla të rëndësishme për të realizuar Vizionin e Putrajaya-s 2040. Nga theksimi i krijimit sa më parë të një Zone të Tregtisë së Lirë gjithëpërfshirëse dhe të nivelit të lartë të Azi-Paqësorit, deri te thirrja për kultivimin e një tregu të madh të Azi-Paqësorit me përfitime për të gjitha palët; të gjitha këto pasqyrojnë vendosmërinë e fortë të Kinës për të mbështetur një tregti të lirë e të hapur dhe për hapjen e tregut të vet ndaj botës. Li Mingjiang, profesor i asociuar në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare “Rajaratnam” në Universitetin Teknologjik “Nanyang” të Singaporit, beson se në një kohë kur ekonomia e Azi-Paqësorit po përballet me sfida, Kina këmbëngul në hapjen dhe ndarjen e mundësive të zhvillimit të Kinës, gjë që ka forcuar besimin dhe ndjenjën e sigurisë së ekonomive të Azi-Paqësorit.
Foto nga VCG
Sipas një komenti të CMG –së, zhvillimi i Kinës nuk mund të ndahet nga Azi-Paqësori dhe prosperiteti i Azi-Paqësorit nuk mund të ndahet nga Kina. APEC-u ka përcaktuar objektivin madhor të ndërtimit të një "bashkësie të Azi-Paqësorit" deri në vitin 2040, i cili plotëson dhe promovon ndërsjellas idenë e Kinës për të ndërtuar një bashkësi me fate të përbashkëta të Azi-Paqësorit. Fjalimi i rëndësishëm i presidentit Xi Jinping në këtë mbledhje të APEC-ut la edhe një herë “gjurmën” e veçantë kineze në “rrugën” e zhvillimit të Azi-Paqësorit, thuhet në koment. Një Kinë që shkon vazhdimisht drejt modernizimit me siguri do t’i sjellë më shumë mundësi të reja Azi-Paqësorit e botës me zhvillimin e saj të ri.