Avdulla Kënaçi, gazetari që la gjurmë me reportazhet për emigrantët
2022-11-21 13:41:34

Avdulla Kenaci me shkrimtarin Ismail Kadare (Foto personale)

Avdulla Kenaci me shkrimtarin Ismail Kadare (Foto personale)

Avdulla Kënaçi është gazetar i njohur që për shumë vite ka punuar si gazetar dhe skenarist në Televizionin Shqiptar, duke realizuar mjaft reportazhe dhe dokumentarë me tema interesante. Gjatë viteve të punës së tij në televizion ai ka udhëtuar në shumë vende të botës, duke realizuar reportazhe për jetën e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në këto vende.

Ai jeton prej 15 vjetësh në Kanada bashkë me familjen e tij, ku duket se ka gjetur një mjedis të përshtatshëm për të zhvilluar talentin e tij, duke i dhuruar lexuesit vepra dinjitoze, shkruar me një gjuhë të gjallë dhe plot kolor. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për karrierën e tij gazetareske, largimin nga Shqipëria dhe integrimin në Kanada, por dhe botimet në gjininë e tregimeve.

CMG: Prej disa vitesh ju jetoni në Kanada, ku dhe vazhdoni të jeni aktiv me krijimtarinë tuaj letrare. Sa vite keni në Kanada dhe në cilin qytet jetoni?

Avdulla Kënaçi: Unë në vazhdimësi kam 15 vjet që jam në Kanada, që nga viti 2007 dhe erdha këtu për arsye se kam dy fëmijët e mi, djalin dhe vajzën të cilët kanë studiuar dhe janë të punësuar këtu. Kështu që erdha dhe unë pas tyre për arsye që dihen, se ne shqiptarët jemi shumë familjarë dhe shumë të lidhur me njëri tjetrin, sidomos kemi një traditë familjare që ne nuk jetojmë dot pa fëmijët tanë. Unë nuk erdha këtu për arsye ekonomike sepse ata janë në gjendje që mund të më ndihmonin mua në Shqipëri, pavarësisht nga rrogat tona të vogla që kemi pasur vazhdimisht. Ju kemi shërbyer atyre më shumë se sa kemi përfituar të mirat e Kanadasë, megjithatë duke qenë në një komunitet të tillë ne jemi njohur edhe me shqiptarë të tjerë. Unë jam aktivist në shoqatat shqiptare të Kanadasë këtu në Misisagua që është vazhdimi i Torontos, është një qytet me rreth 1 milion banorë. Ky është një qytet modern sepse e ka shfrytëzuar teknologjinë e mëvonshme, është miks nga ana e përbërjes ku ka nga të gjitha popullsitë dhe është shumë qytet i zhvilluar afër një atraksioni turistik që është Niagara, ku turizmi vazhdon dimër dhe verë.

CMG: Si ka qenë integrimi juaj në fillim kur shkuat në Kanada?

Avdulla Kënaçi: Është moment i vështirë në jetën time me thënë të drejtën, megjithëse unë kisha qenë një gazetar që kisha punuar me diasporën dhe i kisha vizituar shumë vende që na lidhnin me Shqipërinë. Kisha vizituar shumë herë Amerikën ku kisha bërë emisione, kisha vizituar Zvicrën, Gjermaninë, Francën, Italinë, Greqinë, dhe këtu e kisha të vështirë mënyrën e jetesës, integrimin sepse më mungonin shokët e Tiranës dhe kolegët gazetarë, me të cilët që në rininë time dhe në vazhdimësi kisha punuar, bisedat që janë profesionale por edhe intime sepse e njohim njëri- tjetrin në Shqipëri, ja dimë hallet dhe kafet e Shqipërisë më kanë munguar. Kafe ka dhe këtu ku jam, por këtu njerëzit punojnë dhe nuk e kanë kafen institucion siç e kemi ne në Shqipëri, sepse kafet janë për të këmbyer përvojat ose për të hapur ndonjë front pune, për t’u lidhur ne gazetarët, me bashkëpunëtorët. Këtu kafet nuk janë të tilla, por janë kafe pune që shkon nganjëherë me makinë ku nga sporteli merr kafen dhe ikën ose mund të ulesh, por je i vetmuar. Kjo gjë realisht mua më mungoi këtu në Kanada për arsye sepse në Shqipëri unë isha mësuar me një metodë të tillë pune, por mbi të gjitha njeriu kur takon një shok ose një koleg shkarkohet emocionalisht dhe korrigjon veten ose merr informacion. Ndërsa kjo gjë këtu nuk ishte, këtu është vendi i punës, është një shtet që është krijuar me emigrantët kryesisht, është një shtet që ka ecur përpara sepse ka burime, por mbi të gjitha është një shtet mjaft i organizuar dhe kudo sundon ligji.

Gazetari Avdulla Kenaci (Foto personale)

Gazetari Avdulla Kenaci (Foto personale)

CMG: Sa i organizuar është komuniteti shqiptar në Kanada?

Avdulla Kënaçi: Të parët shqiptarë që kanë qenë këtu në këto rrethina ku jam unë në Toronto dhe në Missisaga ishin shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, sepse ata kishin mundësi lëvizje në regjimin e Titos kryesisht, ndërsa emigrantët e hershëm kanë qenë shumë të rrallë. Nuk e kanë ndjekur shqiptarët e para Luftës së Dytë Botërore emigracionin në Kanada, nuk ju ka pëlqyer për shkak të klimës sepse është ftohtë, por dhe të kushteve. Më shumë kanë pasur Amerikën dhe më shumë kanë ikur në Argjentinë sesa në Kanada. Në Kanada janë të periudhës së ish socializmit në Shqipëri, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ishin të parët që krijuan shoqatë këtu. Pastaj në atë shoqatë u integruan edhe të arratisurit nga Shqipëria të cilët gjetën veten e tyre me komunitetin, por ata kanë qenë shumë të rrallë në Kanada dhe nuk përbënin komunitet.

CMG: Flasim për periudhën kur ju punonit si gazetar në RTSH, ku keni të arkivuar mjaft reportazhe dhe dokumentarë sidomos për emigracionin. Si i kujtoni momentet e punës suaj si gazetar dhe skenarist?

Avdulla Kënaçi: Ka qenë një kënaqësi e imja që të takoj, të jem midis shqiptarëve kudo në botë, qoftë nga trojet rreth e rrotull si Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Greqi, dhe pastaj tek shqiptarët në Zvicër ku kam realizuar shumë dokumentarë. Kanë qenë të shumta reportazhet, shkrimet, dokumentarët edhe përpara periudhës se të hapej Shqipëria që është viti 1993-94, ndërsa më vonë arritëm të merrnim fonde nga televizioni, por dhe me kontributet e bashkëatdhetarëve. Unë kam realizuar jo për modesti, por jam i pari në televizion që kam sjellë jetën e emigrantëve dhe problemet që ata kanë pasur, dhe mbi të gjitha kam dashur që të sjell në ekran jetën e tyre, të mos të ishin të vetmuar.

Nuk e harroj në një moment kur ne me makinën që shkruante RTSH kemi qenë në Greqi dhe shumë vende, ku vetë shqiptarët afroheshin dhe krenoheshin duke bërë fotografi me siglën e RTSH-së. Kjo ishte një nga kënaqësitë që më ka dhënë ky profesion sepse unë kam shkuar atje ku ata punonin, ku flinin dhe jetonin duke sjellë në ekran dhe problemet e tyre, pra nuk e kam bërë që emigracioni është një mrekulli me qëllim që të ikin nga Shqipëria. Përkundrazi, unë kam thënë se sa vështirësi kishin ata me gjuhën, punën, ligjet, profesionet, dhe kjo për mua ka qenë një risi në jetën e reportazheve brenda Shqipërisë dhe emigracionit. Besoj se kam lënë gjurmë në këtë anë.

Avdulla Kenaci.(Foto personale)

Avdulla Kenaci.(Foto personale)

CMG: Përveçse një gazetar me shumë përvojë, një pasion tjetër i juaji është dhe letërsia në gjininë e tregimeve ku keni botuar disa vëllime me tregime. Cilat kanë qenë vëllimet që keni sjellë për lexuesit?

Avdulla Kënaçi: Me ardhjen time në Kanada, duke qenë i mësuar me punën ku dhe fizikisht e ndjeva veten mire dhe këtu kisha kushte shumë komode për arsye se kisha një dhomën time, kisha televizorin, kompjuterin dhe internetin, kështu që e ndjeva veten se duhet t’i kthehesha një pasioni të rinisë time, që ka qenë shkrimi i tregimeve. Unë kam lëvruar reportazhin dhe përshkrimin, që janë vëllezër të tregimit. Kështu që këtu unë u mora kryesisht me letërsinë artistike, me tregimin. Deri tani në këto vite unë kam botuar tre vëllime nga 200-300 faqe me tregime. Tregimi i parë titullohet “Enigma e një nate” dhe ngjarja zhvillohet në Europë, pastaj kam botuar vëllimin tjetër “Autokritika” ku unë mbaj një qëndrim për kohën që kaloi dhe e marr atë me sportivitet, jo duke ironizuar por më shumë ajo ishte një histori donkishoteske dhe kështu e kam trajtuar të kaluarën në të cilën unë kam punuar.

Kam qenë gazetar dhe në kohën e socializmit në Shqipëri dhe mbaj mend që kam qenë i ftuar në një tryezë ku kishin ardhur gazetarë kinezë, që ishin shumë të interesuar për Shqipërinë. Mbaj mend pyetjet që bënin për elektrifikimin në atë kohë, dhe ishte tryeza e parë në jetën time që haja darkë me një delegacion nga Kina. Unë e kam shkruar në një tregim këtë histori timen dhe pastaj kam vazhduar tek vëllimi “Autokritika” ku kam edhe njohjen me një gazetarët kinezë dhe është shumë interesante ajo periudhë sesi e kam përshkruar dhe them se ka dalë një nga tregimet më të bukura tek ky vëllim. Vëllimi i fundit është “Liridona”, një personazh nga Kosova.

CMG: Keni diçka tjetër në dorë që prisni ta sillni së shpejti për lexuesit?   

Avdulla Kënaçi: Kam në dorë një vëllim të katërt me tregime, ku tregoj jetën e një emigranteje në Kanada, e cila është vetëm, nuk ka asnjë njeri nga familja apo të afërt, si komunikon ajo dhe si e kapërcen jetën individuale dhe si i vjen komuniteti në ndihmë. E kam publikuar si tregim “E vetmuara”, por e kam zgjedhur që ta bëj titull të vëllimit për arsye se është nga tregimet që është pëlqyer jashtëzakonisht shumë sepse ka dhimbje, sentimentalizëm dhe humanitet nga njerëzit që i vijnë në ndihmë asaj. Kështu që kam gati 11 tregime, por më duhen dhe 3-4 tregime që të dali një vëllim me po aq sasi sa të parët. Kam një vëllim gati me reportazhe dhe përshkrime nga Amerika që e kam titulluar duke përdorur një fjalë anglisht “West”, dhe të dyja këto vëllime jam duke i punuar.

CMG: Jeni i kënaqur me krijimtarinë tuaj lerare dhe si kanë qenë përshtypjet e lexuesëve?

Avdulla Kënaçi: Them se jam i kënaqur me punën që bëj, me letërsinë që shkruaj ku dhe reagimet kanë qenë pozitive dhe më kanë dhënë shumë frymëzim dhe kurajo për të vazhduar akoma. Unë kam shkruar edhe në rininë time tregime, por jeta e gazetarit nuk të lejon të merresh me letërsinë. Unë e them këtë për të gjithë ata gazetarë që janë me pasion që ose do të vazhdojnë gazetarinë dhe t’i nxjerrin fundin asaj, ose do të merren me letërsinë siç po bëj dhe unë në këtë moment që po merrem vetëm me letërsinë, dhe atëhere them se ka cilësi.

Intervistoi: Gazmend Agaj