Javën që lamë pas u mbajt në Indonezi takimi i radhës i G20, tashmë i konsoliduar si një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare. I përbërë nga 19 shtete plus Bashkimin Europian, ky forum ndërqeveritar vlerësohet jo vetëm për pjesëmarrjen e ekonomive më të mëdha në botë, por edhe për faktin që është më përfaqësues për situatën globale krahasuar me platforma të tjera.
Takimi i këtij viti në kuadër të kësaj platforme, e cila është vetëshpallur përpara më shumë se një dekade tashmë, si forumi kryesor ndërkombëtar për bashkëpunimin financiar dhe ekonomik, kishte një rëndësi të dorës së parë.
Foto:VCG
Kjo për faktin se, ndoshta më shumë se në dy dekadat paraardhëse, krizat me të cilat përballen shtetet anëtare të forumit, por të gjitha vendet e globit, janë të shumta, të ndërlidhura në mënyrë komplekse dhe sfiduese. Padyshim, lufta e paprovokuar e Rusisë në Ukrainë ka qenë në qendër të vëmendjes globale, në mënyrë të justifikueshme, por nuk është e vetmja. Tema gjithaq të pranishme në tavolinën e diskutimit të liderëve të fuqive më të mëdha në botë ishin pasojat dhe efektet e mbartura të pandemisë COVID-19, sfidat klimaterike, rritja e varfërisë, problematikat e krijuara në zinxhirët globalë të ekonomisë, siguria ushqimore dhe ajo energjetike, si dhe kontekste të tjera gjeopolitike delikate.
Jashtëzakonisht e rëndësishme ishte vënia e theksit te siguria ushqimore dhe energjetike. Siguria ushqimore është një problematikë veçanërisht e prekshme për vendet më pak të zhvilluara, mbi të gjitha në Afrikë, dhe lufta në Ukrainë e ka rritur eksponencialisht vështirësinë e mjaft vendeve për ta garantuar këtë siguri. Nga ana tjetër, siguria energjetike është rënduar gjithaq nga zhvillimet në kontinentin europian, por kësaj rradhe pasojat i kanë ndjerë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe vendet më të zhvilluara. Mjafton të shikojmë vështirësitë që kanë hasur vendet më të mëdha të Bashkimit Europian, bllokut ekonomik më të madh në botë, për të gjetur burime alternative energjie dhe për të mbajtur nën kontroll inflacionin si derivat.
Nisur nga ky prizëm, ishte veçanërisht e rëndësishme që të adresoheshin këto dy shqetësime madhore dhe duket sikur kishte një dakordësi globale për këtë fakt. Këtu duhet vërejtur jo vetëm qëndrimi i qartë i vendeve perëndimore, por edhe i fuqive të tjera të rëndësishme. Fjala vjen, presidenti kinez Xi Jinping ishte në të njëjtën gjatësi vale, duke i etiketuar sigurinë ushqimore dhe atë energjetike si sfidat më aktuale dhe më të rëndësishme ndaj zhvillimit global.
Foto:Xinhua
Thënë kjo, deklarata e përbashkët e liderëve në përfundim të samitit të mbajtur në 15-16 nëntor mbetej një udhërrëfyes i përgjithshëm dhe nuk shpalosi zgjidhje të mirëfillta përpara për përballjen me këto sfida. Nisur nga ky realitet, më së paku, vlen të theksohet vullneti pozitiv i shpalosur nga të gjithë vendet pjesëmarrëse, me përjashtim të Rusisë e cila është sigurisht më e izoluar në kontekstin aktual gjeopolitik.
Pritmënia e vëzhguesve të kujdesshëm, referuar këtij vullneti të shprehur në fjalë, është se mund të ekzistojë një momentum për të rritur frymën e bashkëpunimit në shkallë ndërkombëtare.
Një nga faktorët kyç në këtë drejtim mund të jetë dhe një çtensionim i shpresuar ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas takimit bilateral të presidentit amerikan Joe Biden me homologun kinez Xi Jinping në margjinat e samitit në Indonezi.
Rifillimi i një dialogu në nivelin më të lartë të mundshëm ndërmjet dy vendeve është ogur i mirë dhe duhet mirëpritur nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Mbi të gjitha dhe për faktin që biseda bilaterale ngriti në të shumtën e saj, bazuar mbi deklaratat zyrtare të palëve, shqetësimet dhe problematikat globale të shtruara për diskutim dhe në platformën e gjerë të G20. Dhe kjo gjë ofron një shtresë dhe valencë tjetër për këtë takim madhor.
Tashmë sfida do të jetë për ta shfrytëzuar këtë moment për të ndërtuar mbi “udhërrëfyesin” e samitit një ndriҫim të ri, për të prezantuar dhe ndjekur politika të rëndësishme marrëveshjesh e koordinimeve. Madje edhe për adresimin e krizave aktuale dhe për përmirësimin ekonomik në shkallë globale.
Porti Haikou, provincë Hainan, Kinë Jugore(Foto:VCG)
Lidershipi i këtyre vendeve është thelbësor, jo vetëm për rëndësinë e ekonomive të tyre në shkallë botërore, por edhe për rolin që luajnë brenda sistemit aktual ndërkombëtar.
Dakordësimi i dy udhëheqësve të Kinë-SHBA-ve, më të rëndësishmit e botës, për fuqizimin e zyrtarëve kryesorë që do të mbajnë komunikimin për të thelluar përpjekjet për ҫështjet themelore të aktualitetit ndërkombëtar, përbën një gur bazik.
Menaxhimi me përgjegjësi i konkurrencës është një tjetër gur themelor. Bashkëpohimet për kuptim mes dy udhëheqësve Xi-Biden përbëjnë një dritë të fortë shprese dhe konstruktivizmi. Udhërëfyesi i samitit të G 20 në Indonezi, thelbësisht vlen për lehtësimin e ankthit global për pasiguritë në kryqëzimet e së ardhmes ndërkombëtare, në këto kohë e sidomos, në këto ditë të vështira e me shtresëzime krizash.