Skënder Beck quhet artisti shqiptar me një karrierë të suksesshme si aktor, por edhe në fushën e muzikës rrok. Ai që fëmijë është angazhuar me aktrimin, por edhe ka kënduar duke bërë edhe musical. Dëshira e tij ka qenë që gjithmonë të identifikohej sa më origjinal. Nuk e ka pëlqyer asnjëherë muzikën komerciale, dhe është fokusuar vetëm te muzika që e krijon vetë. Përveç muzikës, Skënder Beck merret dhe me graphic design, duke punuar në kompaninë e tij në Los Angeles ku ka krijuar një familje të bukur. Ai ka realizuar një album muzikor dhe disa këngë singëll, një prej të cilave është në gjuhën shqipe dhe mban titullin “Sa larg”. Skënder Beck tregon për ne për fabulën e këngës “Sa larg
CMG: Skënder Beck, së pari na trego se çfarë të lidh me heroin kombëtar Skënderbeun?
Skënder Beck: Nëna më ka emëruar Skenderbeg, por kur babai shkoi të më regjistronte në zyrën e lindjeve në Prishtinë aty u refuzua me arsyen se “beg” është titull. Babai nuk insistoi më shumë dhe më mbeti vetem Skënder, por në 2010-tën u bëra shtetas amerikan dhe vendosa ta kthej “titullin” dhe tash zyrtarisht në çdo dokument e kam emrin Skënder Beck. Të them të drejtën jam rritur me rrëfime për Skenderbeun dhe trimëritë e tij dhe mburrem që kam emrin e tij.
CMG: Po lidhja me artistët e grupeve U2 dhe Pink Floyd?
Skënder Beck: Gjatë pandemisë pata një “fat në tragjedi”…pasi u mbyllën studiot dhe inxhinerët nuk punonin në studiot e mëdha, sepse kishin kohë që punonin prej shtëpisë. Rashë në kontakt me Marc De Sisto, i cili punoi në shumë albume të yjeve si të U2, Pink Floyd, Marc Anthony etj. Marc që në plot kuptimin e fjalës e kupton esencën e zërit, e di sa i duhet intensiteti basit dhe kur ai e mikson këngën, çdo instrument vallëzon me të. Atij i pëlqeu kënga “Stop” më dha disa sugjerime dhe filloi bashkëpunimi madje edhe kritika e muzikës. Këngët e mia i cilësuan që kanë frymën e njëjtë artistike me këto legjenda të muzikës. Me Marc i punova më pas tri këngë të albumit dhe së shpejti shpresoj se do të punoj një këngë të re me të.
CMG: Je shumë larg nesh, ndërsa ke publikuar së fundi këngën e parë në gjuhën shqipe "Sa larg". Si lindi kjo këngë dhe pse pikërisht pas kaq kohësh kjo këngë në gjuhën shqipe?
Skënder Beck: Çdo këngë që e kam shkruar e kompozuar buron nga emocionet e sinqerta të miat. Kënga “Sa Larg” ndoshta është kënga më emocionale e imja. Unë edhe pse merrem me muzikë qysh prej fëmijërisë, profesionalisht fillova të merrem 2 vjet më parë, kështu që nuk po më duket shumë kohë e gjatë që nuk kam bërë një këngë shqip. Sa kam jetuar në Kosovë kam pasë bendin që kemi kënduar “cover” këngësh në shqip. “Sa Larg” tingëllonte shumë më e sinqertë në shqip dhe vendosa ta bëj në shqip.
CMG: Për çfarë flet fabula e saj dhe a është një dedikim?
Skënder Beck: Fabula e këngës flet për dhimbjen që kemi kur e humbim dikë të dashur dhe mbetesh me një zbrazëti që të përcjell përgjithmonë. Para dy vitesh papritmas humba një shok të zemrës dhe u mundova me këngë ta shpreh emocionin që pata me humbjen e tij. Në të njejtën kohë u mundova që kënga të mos jetë vetëm këngë e ndjenjave të mia. U mundova ta bëj këngën më të afërt me “ndjenjën e humbjes” që çdokush e pësoi, sidomos gjatë pandemisë.
Kënga ju dedikohet atyre që nuk janë më në mesin tonë.
CMG: Kjo këngë edhe pse është në gjuhën shqipe, ka shumë bashkëpunëtorë të huaj. Si e pritën këta kolegë këtë material muzikor?
Skënder Beck: Po…Ishin shumë të emocionuar nga kënga sidomos kur e panë konceptin përfundimtar në videoklipin muzikor. Këngën e kam konceptuar me xhirim filmik në mendje. Një ndjenjë zbrazëtie. Një apokalips që i përngjan një bote tjetër ku nuk e di cili përsonazh e ka humbur tjetrin. Atmosfera e zbrastësisë ta krijon përshtypjen që kënga është e xhiruar në një planet tjetër me idenë “Ecje në rrugën e kujtimeve”. E falenderoj gruan time Florentinën, e cila më ka ndihmuar që nga momenti i parë në këtë këngë. Po më pas e falenderoj gjithashtu Ujkan Hysajn, që më ndihmoi në realizimin e këtij videospoti muzikor. Lekë Miftarin, një drejtor i shkëlqyeshëm i fotografisë si dhe Kushtrim Sheremetin që m’i huazoi ato rekuizita të mrekullueshme të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Me fjalë të tjera ishte një punë kolektive.
CMG: A ke dëshirë që në të ardhmen të sjellësh materiale të tjera muzikore edhe për publikun shqiptar?
Skënder Beck: Po, patjetër. E dua gjuhën shqipe shumë dhe i kam në mendje disa këngë shqip.
CMG: Na trego për publikun shqiptar, si po ecën aktiviteti yt artistik në SHBA?
Skënder Beck: Duke e pasur parasysh që tregu amerikan është shumë i madh, unë ende nuk jam i lidhur me ndonjë music label (kompani muzikore) unë i bëj të gjitha vetë. Duke u nisur nga teksti, deri te orkestrimi dhe në fund video muzikore e më pas PR (marketingu për këngën). Duke i pasur parasysh këto rrethana mendoj që është shumë sukses i madh që këngët mia të dëgjohen dhe të shkruhet për to jo vetëm në Amerikë, por gati në të gjitha vendet e botës. Jam shumë i kënaqur, por gjithashtu pres shumë më shumë.
CMG: Si ke arritur që të kesh bashkëpunime me artistë me famë botërore dhe a ke patur vështirësi?
Skënder Beck: Jam shumë detajist sa i përket muzikës, për shembull kënga “Sa Larg” është përfunduar në tri versione nga tre mjeshtër të ndryshëm. Nuk lëshoj pe derisa të jem i kënaqur unë personalisht se si po tingëllon kënga. Kjo më ka drejtuar nga njerëzit që janë shumë ekspertë dhe që mendojnë njësoj si unë në këtë lloj muzike. Së fundmi pata fatin të punoj “Stuck in the sky” dhe “Sa Larg” me Chris Wonzer, një mjeshtër briliant i zërit i cili ka punuar me këngëtarë të njohur si Sting, Pink, Christina Aguilera etj.
CMG: Cili është kulmi i suksesit tënd dhe çfarë pret në vazhdimësi ?
Skënder Beck: Përkrahja e madhe që kam nga publiku, për mua është suksesi më i madh. Natyrisht që jam prezent në gjitha platformat digjitale të muzikës dhe shumë njerëz më shkruajnë dhe më dërgojnë lëvdata për muzikën e pakompromis që e bëj. Për mua ai ishte, është dhe do të mbetet suksesi im më i madh. Kur fillova këngën e parë dhe e publikova në itunes…për mua ai ka qenë suksesi që e kam kërkuar. Natyrisht pres përkrahje më të madhe dhe të të më zgjerohet rrjeti i përkrahësve të muzikës sime. Muzikën që e bëj, e bëj me shumë pasion.
CMG: A dëshiron që të realizosh në të ardhmen ndonjë bashkëpunim në vendin tënd të lindjes apo në Shqipëri?
Skënder Beck: Sa isha në Kosovë u takova me njerëz që kanë pasion llojin e muzikës që unë bëj dhe nuk do të mungoj bashkpunimi edhe në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Të dyja këto vendet i dua shumë
CMG: Çfarë projektesh të tjera ke në vazhdimësi?
Skënder Beck: Jam duke punuar në disa projekte paralele që për momentin nuk kam informacion të plotë që ta bëj publike. Por shpresoj që të performoj vitin e ardhshëm edhe në Shqipëri e në Kosovë!
Intervistoi: Sava Lena