Rezultatet e turneut të Xi Jinping-ut në Azi
2022-11-20 15:06:34

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Nga 14 deri më 19 nëntor, presidenti kinez Xi Jinping mori pjesë me radhë në Samitin e 17-të të G20-së në Ishullin Bali të Indonezisë, në takimin e 29-të jozyrtar të udhëheqësve të APEC-ut në Bangkok të Tajlandës, ku zhvilloi edhe një vizitë zyrtare në këtë vend.

Në samitin e G20-ës, presidenti Xi Jinping paraqiti përsëri projektin e Kinës dhe u bëri thirrje vendeve të ndryshme të ndërtojnë bashkësinë e fateve të përbashkëta dhe ta zëvendësojnë kundërvënien me bashkëpunim për të promovuar zhvillimin gjithëpërfshirës global. Sipas tij, modernizimi nuk është e drejta e posaçme e pak vendeve, sepse ato të zhvilluara duhet t’i ndihmojnë të tjerat për zhvillim, duke dhënë më shumë produkte publike globale. Duhet të krijohen marrëdhëniet e partneritetit për rimëkëmbjen ekonomike globale dhe të thellohet bashkëpunimi midis vendeve të ndryshme në fushën antiepidemike, kundër inflacionit, të borxhit, të ekonomisë digjitale, të zhvillimit të gjelbër etj. Kina e përkrah anëtarësimin e Bashkimit Afrikan në G20.

APEC është një platformë e rëndësishme e bashkëpunimit ekonomik në Azi-Paqësor. Në takimin e APEC-ut, presidenti Xi Jinping bëri thirrje për zhvillimin paqësor rajonal dhe për vendosjen e marrëdhënieve të partneritetit të Azi-Paqësorit me paqe, stabilitet, begati të përbashkët dhe bashkëpunim. Xi Jinping u shpreh gjithashtu se Kina po shqyrton mundësinë e zhvillimit të Forumit të 3-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar mbi “Një brez, një rrugë” vitin e ardhshëm.

Gjatë pjesëmarrjes në samitin e G20-ës dhe në takimin e APEC-ut, presidenti Xi Jinping zhvilloi takime dypalëshe me udhëheqësit e shumë vendeve, duke shtuar besimin e ndërsjellë.

Gjatë takimit me presidentin amerikan Joe Biden, Xi Jinping u shpreh se gjendja e tanishme e marrëdhënieve kino-amerikane nuk përputhet me interesat e të dy vendeve. Ai priti gjithashtu të punojë së bashku me presidentin Biden për të promovuar normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Presidenti Xi Jinping vuri në dukje se problemi i Tajvanit është baza politike e marrëdhënieve kino-amerikane dhe se kjo e fundit duhet të zbatojë premtimet e bëra për këtë problem. Bashkëekzistenca paqësore  dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik përputhen me interesat e përbashkëta të të dy vendeve. Kina dhe ShBA-ja duhet të zhvillojnë bashkëpunim në rimëkëmbjen ekonomike globale pas pandemisë, përballimin e ndryshimit të klimës, zgjidhjen e problemeve të rëndësishme rajonale etj.

Nga ana e tij, presidenti Joe Biden u shpreh se një Kinë e qëndrueshme dhe në zhvillim përputhet me interesat amerikane dhe botërore. ShBA-ja nuk përkrah “dy Kina” ose “një Kinë, një Tajvan” dhe nuk kërkon ndërprerjen e ndërlidhjes ekonomike me Kinën, duke mos penguar zhvillimin ekonomik kinez.

Gjatë takimit me udhëheqës të vendeve të tjera, presidenti Xi Jinping sqaroi gjithashtu qëndrimin e Kinës për krizën e Ukrainës. Xi Jinping theksoi se në këtë luftë nuk do të ketë asnjë fitues dhe duhet të shmanget kundërvënia mes vendeve të mëdha. Kina i përmbahet gjithmonë paqes dhe do të vazhdojë përpjekjet për nxitjen e bisedimeve paqësore. (Fani)