Ilir Sallaku është këngëtar i këngës popullore dhe treva ku identifikohet është ajo e Shqipërisë së mesme. Lidhja e tij me muzikën popullore ka qenë që në moshë të vogël me instrumentin e klarinetës, dhe më vonë ai vazhdoi të interpretoi këngën e mirëfilltë popullore shqiptare. Ka realizuar disa këngë popullore për qytetin e tij të Kavajës, dhe para pak kohësh ka publikur një krijim tjetër popullor me motive të trevës së Çamërisë. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për fillimet e tij në muzikën popullore, krijimtarinë muzikore që ka sjellë për artdashësit si dhe planet për të ardhmen.
CMG: Kur kanë qenë fillimet tuaja në muzikën popullore shqiptare?
Ilir Sallaku: Muzika popullore shqiptare tek unë ka nisur që herët, pothuajse 15-16 vjeç ku në fillim kam nisur me instrumentin e klarinetës që në klasë të pestë. Pastaj kisha dëshirë shumë që të këndoja dhe 16 vjeç kam filluar aktivietin tim në pallatin e kulturës si dhe me ansamblin e qytetit tim të Kavajës.
CMG: E keni nisur këtë rrugëtim me klarinetën, por a vazhdoni të luani sërisht në këtë instrument?
Ilir Sallaku: Unë vazhdoj të luaj pak me klarinetë, më shumë në shtëpi me djalin tim sepse dhe ai ka dëshirë shumë të ndjekë muzikën. Pra vetëm në shtëpi luajmë diçka me klarinetë për kënaqësinë tonë.
CMG: Cila ka qenë kënga juaj e parë që keni publikuar dhe si është pritur nga artdashësi?
Ilir Sallaku: Kënga ime e parë është një këngë për qytetin tim të Kavajës. Pasi u shkëputa nga Kavaja dhe erdha në Amerikë, ku ka 12 vjet që jam larguar dhe e kisha si peng që nuk e realizova një këngë, dhe arrita ta realizoj kur erdha këtu. Kjo këngë është pritur shumë mirë nga qytetarët e qytetit tim duke më uruar shumë prej tyre. Kavaja është qyteti im sepse atje kam lindur dhe atje është fillimi i jetës dhe çdo gjë që kam kalura gati 40 vjet jetë.
CMG: Keni mall për Kavajën?
Ilir Sallaku: Kam shumë mall dhe sikur të udhëtoj njëherë në muaj nuk do e kisha problem fare, por nuk janë mundësitë.
CMG: Cilët janë autorët e këngës tuaj kushtuar Kavajës?
Ilir Sallaku: Kjo këngë ishte një krijim i ri i imi për qytetin, dhe teksti është i mjeshtërit të penës dhe fjalës Jorgo Papingji, ndërsa kompozitori është mjeshtri Edi Balili, që unë vazhdoj akoma të bashkëpunoj me të edhe me këngët e tjera.
CMG: Në repertorin tuaj keni më shumë këngë të Shqipërisë së mesme, por së fundi keni realizuar një këngë me motive të Çamërisë. Si erdhi kjo këngë dhe keni lidhje me këtë trevë?
Ilir Sallaku: Unë këndoj këngë të Shqipërisë së mesme sepse jam i asaj treve, por kënga e Çamërisë ka një lidhje tjetër sepse unë kam shumë shokë dhe miq çamë të cilët janë njerëz të mrekullueshëm. Unë e kisha si obligim për ta realizuar një këngë për Çamërinë ku dhe tekstin e kam bërë vetë. Kjo këngë është kompozuar prapë nga Edi Balili sepse ai ka një veçanti në realizimin e kompozimeve.
CMG: Cilat kanë qenë përshtypjet e atyre që e kanë dëgjuar këtë këngë?
Ilir Sallaku: Përshtypjet kanë qenë të mira, madje edhe Edi Balili para disa ditësh më tha se i kishin dërguar shumë komplimenta dhe janë të prekur nga kjo këngë sepse teksti ka disa fjalë prekëse. Kështu që kjo këngë është pritur mirë nga të gjithë.
CMG: Një prej këngëve të repertorit tuaj është dhe kënga e njohur “Lule të bukura ka Tirana” e kënduar nga Mbretëresha e muzikës popullore Merita Halili, ku ju e keni përshtatur në “Lule të bukura ka Kavaja.
Ilir Sallaku: Për Merita Halilin kam depulesë sepse është një nga këngëtaret e mia të preferuara, dhe unë e përshtata këngën në “Lule të bukura ka Kavaja”, ku besoj se shkon mirë meqë jemi edhe zonë e Shqipërisë së mesme dhe i shkon.
CMG: Cilat kanë qenë aktivitetet muzikore që keni marrë pjesë dhe si jeni pritur nga publiku?
Ilir Sallaku: Kam marrë pjesë në aktivitete të ndryshme si në Odën Dibrane në Peshkopi, një popull i mrekullueshëm i cili na ka pritur dhe duartrokitur shumë. Gjithashtu në Gjirokastër kam marrë pjesë dy herë në festivalin folklorik me grupin e Kavajës. Kam qenë në Shkodër, në ditën e verës në Elbasan, kam marrë pjesë dhe në aktivitete muzikore në Tetovë si dhe në Pejë. Ndërsa këtu në Amerikë ku jetoj aktualisht shumë pak jam aktivizuar sepse jam përkushtuar më shumë te puna.
CMG: Si mund ta ruajmë traditën tonë të folklorit në ditët e sotme, ashtu siç po e ruani dhe ju?
Ilir Sallaku: Kjo është shumë e vërtetë dhe ne duhet ta ruajmë këtë traditë duke e mbajtur pastër këngën, pa ndërhyrje të pavlefshme të teksteve, dhe duhet ti mbajmë pastër që mos të cënohen se folku nuk duron, duhet të jetë siç është origjinali.
CMG: Përveç jush a keni dikë tjetër në familje që e trashëgon muzikën popullore sepse pak më parë përmendët dhe djalin që e ka pasion muzikën?
Ilir Sallaku: Ai e ka me shumë pasion dhe unë do kisha dëshirë shumë që ta vazhdonte por që veret nga vetë ai. Ndërsa nga familja për dëshirën e vet babai ka kënduar dikur kur ishte i ri, dhe tani jam vetëm unë që e vazhdoj këtë ruugë.
CMG: A keni ndonjë këngëtar idhull në muzikën popullore shqiptare?
Ilir Sallaku: Unë kam idhull këngëtarin e Shqipërisë së mesme Mustafa Mehja, Bujar Qamilin dhe Ramadan Krasniqin, një këngëtar i Kosovës që më pëlqen shumë. Gjithashtu pëlqej Merita Halilin dhe shumë të tjerë, por që këto janë për mua si më të spikaturit dhe që unë i preferoj.
CMG: Deri tani jeni prezantuar me këngë solistike. Do kishe dëshirë që të bashkëpunoje me të tjerë këngëtarë të muzikës popullore?
Ilir Sallaku: Kjo që ju thatë është shumë e vërtetë sepse kam pasur shumë dëshirë për bashkëpunime, dhe jo se nuk e kam zgjedhur por dua të jem pak i saktë kur ta realizoj një bashkëpunim. Kam shumë dëshirë një bashkëpunim me ndonjë këngëtar ose këngëtare tjetër.
CMG: Keni së afërmi ndonjë projekt tjetër artistik?
Ilir Sallaku: Kam dy-tre projekte, dhe pothuajse dy janë prapë për qytetin tim dhe shpresoj që ti realizoj shumë shpejt por varet sesi do ecin punët.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë, miqtë dhe adhuruesit tuaj.
Ilir Sallaku: Unë i përshëndes të gjithë dhe të dëgjojnë sa më shumë muzikë folk dhe të pastër se ajo është origjinali dhe prezanton kudo në botë vendin tonë. Pastërtia e muzikës është e para. Uroj gjithë të mirat për dëgjuesit e Radio Ejani.
Intervistoi: Gazmend Agaj